“Megali Idea” greke dhe “Nacertania” serbe

Kryengritjet për autonomi të viteve 30-40, si pjesë përbërëse dhe element aktiv i lëvizjes çlirimtare në Ballkan, e dobësuan sundimin e Portës së Lartë dhe krijuan kushte objektive për bashkëpunimin ushtarak të popujve të shtypur të gadishullit dhe për shpejtimin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane. Por ky bashkëpunim u minua nga politika ekspansioniste e Greqisë dhe e Serbisë.
Në vitet 40 shteti serb dhe ai grek nuk e kishin përfunduar ende bashkimin e tyre kombëtar. Një pjesë e territoreve me popullsi serbe e greke ndodhej ende nën sundimin osman. Për këtë arsye, një nga drejtimet e politikës së këtyre vendeve ishte ai i çlirimit të territoreve dhe i bashkimit të tyre me shtetet kombëtare përkatëse. Por, krahas këtij synimi të drejtë, te qeveritë greke e serbe që drejtonin këto shtete ishin shfaqur prirje të frymëzuara nga ide shoviniste, të cilat u zhvilluan e u shndërruan në një vijë themelore të politikës së tyre.
Në fillim të vitit 1844 kryeministri grek J. Koleti e formuloi dhe e shpalli zyrtarisht programin politik ekspansionist, i cili hyri në histori me emrin “Megali Idea” (“Megali Idhea” - “Ideja e Madhe”). Sipas këtij programi, Greqia si trashëgimtare e Bizantit duhej të shndërrohej në një shtet të madh me kryeqytet Stambollin (Konstandinopojën), ku do të bënin pjesë jo vetëm tokat greke, por edhe të gjitha territoret me popullsi ortodokse jogreke të Ballkanit, që kishin qenë nën Perandorinë Bizantine dhe vareshin fetarisht nga Patrikana e Stambollit. “Megali Idea” përfshinte në kufijtë e Greqisë së Madhe edhe tokat shqiptare. Me këtë projekt, në veri në fillim përfshihej në kufijtë e Greqisë gjithë Shqipëria, kurse pas viteve 60 caktohej si kufi verior herë lumi Drin, herë Shkumbini, ndërsa shovinistët më të moderuar grekë e çonin atë deri te lumi Vjosë.
Për realizimin e kësaj platforme qeveria greke parashikonte të hidhte në Shqipërinë e Jugut çeta të armatosura, të cilat do të provokonin kryengritje dhe do të përgatisnin truallin për aneksimin e këtyre territoreve nga Greqia. Ajo u orvat të shfrytëzonte për qëllimet e saj edhe kryengritjet shqiptare, sidomos ato të Shqipërisë së Jugut, siç ishte ajo e vitit 1847, kur kryeministri grek J. Koletis hyri në bisedime me Zenel Gjolekën, të cilat, për shkak të synimeve ekspansioniste të Athinës, dështuan.
“Megali Idea” greke gjeti një mbështetje të fuqishme te Patrikana ortodokse e Stambollit. Me formimin e shtetit grek, Patrikana e humbi dora-dorës karakterin ekumenik që kishte më parë dhe u kthye në një kishë greke, në një aleate e Greqisë. Kështu që kisha ortodokse dhe shkollat në gjuhën greke u kthyen në vatra për të helenizuar besnikët e nxënësit që i frekuentonin ato.
Po atë vit, më 1844, ministri i Serbisë I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe e që është i njohur në histori me emrin “Naçertanie” (“Projekt”). Edhe qarqet politike drejtuese të Serbisë, ashtu si ato të Greqisë, me pretekstin e çlirimit të tokave të sllavëve të jugut nga zgjedha osmane, synonin të krijonin një shtet të madh, që do të përtërinte perandorinë mesjetare të Stefan Dushanit. Në kufijtë e kësaj perandorie të re, sipas “Naçertanies”, do të hynin edhe viset e Shqipërisë së Veriut së bashku me Kosovën, që ministri serb e pagëzoi me emrin “Serbi e Vjetër”.
Të dyja programet kishin karakter shovinist dhe shprehnin aspiratat ekspansioniste të borgjezisë greke e serbe. Ato nuk e njihnin ekzistencën e kombit e të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe si pasojë kundërshtonin idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Sipas këtyre programeve, tokat shqiptare ishin të destinuara të ndaheshin midis Greqisë dhe Serbisë.
Këto synime të shteteve fqinje, që ishin shfaqur edhe më parë, u shndërruan prej viteve 40 të shek. XIX në një politikë të përhershme zyrtare, pasojat e së cilës u ndien shumë shpejt në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama