Epiri ne kohen e sundimit te Pirros (297-272 p.e.sone)

Në fillim të shek. III p.e.sonë, Epiri del nga kriza e vështirë dhe me pasoja të rënda politike që e kishte mbërthyer pas vdekjes së Aleksandrit Molos dhe vihet në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror dhe politiko-kulturor.
Nga një politikë e paqëndrueshme e brejtur nga kontradikta të brendshme dhe presione nga jashtë, shteti epirot kalon tani në një politikë energjike të pavarur, me një perspektivë të gjerë në fushën e forcimit të pushtetit shtetëror dhe të zgjerimit territorial të tij, që u realizuan me një shpejtësi dhe me një mënyrë të paparë deri atëherë. Gjatë sundimit të Pirros shteti epirot bëhet një fuqi imponuese e kohës me një pushtet të fortë mbretëror, me një potencial të madh ushtarak si dhe me një autoritet politik të shquar në botën mesdhetare të kësaj kohe.
Pirroja vendosi marrëdhënie diplomatike me disa shtete të fuqishme të asaj kohe dhe i forcoi lidhjet me martesa të shumta që bëri me bijat e sundimtarëve të tyre. Që kur ishte në oborrin e Ptolemeut I, Pirroja qe martuar me të bijën e tij Antigonën, më vonë pas vdekjes së saj, me Lanasen, të bijën e Agathoklit të Sirakuzës, prej së cilës mori si prikë dhe Korkyrën që ai kishte pushtuar dhe pastaj edhe me të bijat e sundimtarëve ilirë, Audoleonit të paionëve dhe të Bardhylit të Ri. Pirroja i kushtoi vëmendje të posaçme organizimit të ushtrisë, përpunimit të një strategjie efektive luftarake, për të cilat kishte njohuri të mëdha teorike, si dhe rritjes së aftësisë luftarake të ushtrisë. Ai favorizoi gjithashtu dhe përparimin ekonomik dhe kulturor të vendit që u pasqyrua në zhvillimin dhe në intensifikimin e mëtejshëm të urbanizimit të Epirit. U zhvillua një veprimtari e dendur ndërtuese në qytetet ekzistuese si në Dodonë, Ambraki apo në qytetet e tjera të reja epirote, midis të cilëve Berenike, Kasopi dhe Antigonea në Kaoni, të cilët mbajnë emra që kanë të bëjnë me siguri me kohën e sundimit të Pirros. Për një nivel të lartë të artit të ndërtimit në këtë kohë dëshmojnë edhe shtëpitë shumë të bukura dhe të ruajtura mirë të Amotoposit në Molosi, ku mendohet të ketë qenë dhe Fylakeja antike.
Pirroja projektoi një politikë të jashtme aktive ekspansioniste. Ai ndërhyri në çështjet e ndërlikuara të botës greko-maqedone dhe italike me mendimin që të krijonte një shtet të madh epirot, i cili do të përfshinte Ballkanin dhe përtej detit, Gadishullin Italik.
Së pari, Pirroja e drejtoi vëmendjen nga Maqedonia, ku pas vdekjes së Kasandrit kishin shpërthyer turbullira për trashëgimin e fronit. Këtë gjendje të vështirë të Maqedonisë e shfrytëzoi për të ndërhyrë në punët e brendshme të saj si përkrahës i Aleksandrit, të birit të Kasandrit. Me këtë rast Pirroja i shkëputi Maqedonisë mjaft krahina që gjendeshin në atë kohë nën kontrollin e saj dhe pikërisht Tymfenë e Paraunenë epirote të pushtuara nga Filipi II, Amfilokinë, Akarnaninë dhe Ambrakinë, të cilën e bëri kryeqytet të mbretërisë së tij.
Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Maqedoninë nuk vazhduan shumë dhe u prishën në vitin 294 p.e.sonë, kur Demetër Poliorketi zhduku aleatin e tij Aleksandrin dhe mori në duar frenat e Mbretërisë Maqedone. Në këtë situatë Pirroja duke mos qenë më i sigurt në kufijtë lindorë të mbretërisë së tij, u vu në opozitë të hapur me sundimtarin e ri maqedon dhe aderoi në aleancën antimaqedone që u krijua pak më vonë në Greqi. Në vitin 289 p.e.sonë, Demetri duke dashur t’u imponohej kundërshtarëve të vet, pushtoi Etolinë dhe sulmoi Epirin, por Pirroja kundërveproi menjëherë. Pasi theu maqedonët në Etoli, duke u shkaktuar atyre humbje shumë të mëdha, i detyroi ata të tërhiqeshin dhe nga Epiri.
Kundër Demetrit të Maqedonisë filloi të veprojë pak më vonë koalicioni i sundimtarëve helenistikë: Ptolemeu i Egjiptit u nis me një flotë të madhe dhe ngriti kundër tij qytetet e Greqisë, kurse Lysimaku, sundimtar i Trakisë dhe i një pjese të Azisë së Vogël, hyri në Maqedoninë Veriore duke e shkretuar atë. Kjo gjendje vuri në lëvizje edhe Pirron, i cili e sulmoi Maqedoninë nga jugu. Ky iu drejtua qytetit Edisa, dhe e pushtoi atë pa hasur në ndonjë qëndresë të madhe, meqë forcat më të rëndësishme të ushtrisë së Demetrit ishin dislokuar në veri kundër Lysimakut. Pirroja ndërkaq përparonte pa ndonjë qëndresë nga ana e maqedonëve dhe arriti, madje, të shpallej mbret i tyre. Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, pasi qe detyruar t’i ndante zotërimet e tij në Maqedoni me Lysimakun, i cili pretendonte se kishte dhënë ndihmesë në sukseset e Pirros duke mbërthyer për një kohë forca të shumta të Demetrit në kufirin verior të Maqedonisë. Këto lëshime të Pirros mënjanuan konfliktin e mundshëm me Lysimakun, por nuk zhdukën kontradiktat midis tyre.
Në këtë kohë, zotërimet e shtetit epirot në Ballkan arritën zgjerimin e tyre më të madh. Pirroja sundonte tani jo vetëm mbi tërë Epirin, por edhe mbi një pjesë të madhe të Maqedonisë dhe të Thesalisë në lindje, mbi krahinat greke në jug të Epirit, ku bënin pjesë Ambrakia, Amfilokia e Akarnania. Në veri zotërimet e tij shtriheshin dhe mbi një pjesë të vogël të Ilirisë, si edhe mbi disa ishuj të Jonit ku bënte pjesë edhe Korkyra. Kjo hapësirë territoriale, megjithatë, nuk përbënte një organizim të qëndrueshëm politik rreth një bërthame të fuqishme qendrore, as edhe një komunitet territoresh dhe popullsish të bashkuara me interesa të përbashkëta, por një konglomerat popujsh me zhvillim jo të njëllojtë social, ekonomik dhe politik, të nënshtruar nga ushtria epirote në krye të së cilës qëndronte si komandant Pirroja. Kjo ishte arsyeja që këto zotërime, në rastin më të volitshëm, u shkëputën nga varësia e Epirit. Dhe ky rast u shfaq menjëherë pas shpartallimit të Demetrit në Azi. Lysimaku që e ndiente tani veten të lirë dhe kohën të përshtatshme për të aneksuar tërë Maqedoninë, u drejtua me forca të mëdha kundër Pirros dhe e detyroi atë të hiqte dorë nga pushtimet në Maqedoni dhe në Thesali.
Ndërkaq në Italinë e Jugut u zhvilluan ngjarje, të cilat nuk lanë pa tërhequr vëmendjen e sundimtarit epirot, sidomos tani pas humbjes së Maqedonisë. Qytetet greke të Italisë së Jugut, me të cilat Epiri kishte vendosur me kohë lidhje tregtare, të dobësuara nga lufta e konkurrenca ndërmjet tyre, nuk qenë në gjendje të zhduknin kontradiktat e ashpra që karakterizonin marrëdhëniet midis tyre.
Këtë gjendje e shfrytëzoi me sukses Roma, e cila ndërhyri për t’i zgjidhur këto kontradikta në të mirën e vet. Por ky fakt ngjalli pakënaqësi tek Tarentinët, që hynë në konflikt të hapur me romakët. Duke mos e përballuar epërsinë e forcave romake, me të cilët u bashkuan si aleatë edhe lukanët, mesapët dhe tarentinët kërkuan ndihmën e Pirros.
Shtetit epirot iu dha për të dytën herë mundësia që të ndërhynte aktivisht në punët e brendshme të qyteteve të Italisë së Jugut. Qarqet sunduese të Epirit e mirëpritën këtë ftesë, duke shpresuar se lufta në Itali do t’u sillte përfitime të mëdha. Pirroja iu përgjigj me kënaqësi kësaj thirrjeje, duke menduar se kishte ardhur koha për të bërë hapin e rëndësishëm në formimin e një perandorie të madhe në perëndim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama