Detyrimet feudale

Sistemi i detyrimeve feudale që rëndonin mbi fshatarin nuk ishte i njëjtë për të gjitha viset shqiptare. Ai ndryshonte sipas konfiguracionit të terrenit, por edhe sipas sferave politike në të cilat përfshihej kjo apo ajo zonë. Edhe raporti midis llojeve të ndryshme të rentës, në natyrë, në të holla e në angari, ndryshonte nga vendi në vend e nga koha në kohë. Fuqizimi i fisnikëve kundrejt pushtetit qendror bëri që nga shek. XIII, pjesa e rentës në angari e në të holla të rritej në krahasim me rentën në natyrë. Njëherësh ndryshoi edhe raporti midis rentës që shkonte në favor të shtetit dhe asaj në dobi të fisnikut, në fitim të këtij të fundit.
Detyrimet për shtetin përfshinin detyrimin mbi tokën (soku), që në trevën e Shkodrës përbëhej nga pagimi i një dukati dhe të një modi grurë (afër 250 kg) në vit nga çdo ekonomi fshatare. Krahas sokut paguhej dhe taksa "për tym" (zjarr, shtëpi) e barabartë me një dukat flori, e ashtuquajtura "e dhjeta e melit", taksa e obrokut, baras me 4 grosh argjendi në vit, që paguhej si kontribut për mbajtjen e ushtrisë dhe të nëpunësve qeveritarë gjatë qëndrimit në një vend të caktuar etj. Një vend të rëndësishëm zinte aerikoni, që në fillimet e tij kishte qenë thjesht një gjobë e parashikuar për një numër shkeljesh e krimesh (vrasje, përdhunim, gjetje thesari). Me kalimin e kohës aerikoni u kthye në një detyrim të përhershëm. Kontribute të tjera të bujkut për shtetin kishin të bënin me punë angari në ndërtime rrugësh, urash, kështjellash (kastroktisia) apo në transporte të ndryshme, me taksa të veçanta si e dhjeta e derrave, taksa e verës, e vajit etj.
Nga ana e tij, fisniku merrte si rregull 1/10 e prodhimeve, por kjo nuk përjashtonte që duke shfrytëzuar pushtetin, ai të kërkonte sasi më të madhe. Në rastet kur pronari jepte me qira ngastra nga paraspori i tij për bujq nevojtarë, ai kërkonte deri në 1/4 e 1/2 e prodhimit. Për raste festash fshatarët ofronin gjithashtu dhurata në natyrë (kaniske), të cilat ishin të detyruara dhe aspak me dëshirë, siç e thotë emri i tyre. E madhe ishte gama e punëve angari që bujqit kryenin gjatë vitit në pronat e fisnikut: nga lërimi i tokës, mbjelljet, korrjet, vjelje e vreshtave, e deri te transportimi i produkteve nëpër depo, prerja e transporti i druve të zjarrit, i kripës etj. Në shek. XIV angaritë zinin një peshë të madhe të detyrimit të fshatarit. Në disa zona të Shqipërisë ato zinin deri në 2 ditë pune në javë në pronat e fisnikut apo në shërbime të ndryshme.
Në shek. XII-XIV vertikalizimi feudal i shoqërisë shqiptare u thellua edhe më tepër. Lidhjet e varësisë ekonomike e juridike përfshinë sektorë gjithnjë e më të gjerë të popullsisë fshatare. Burimet flasin për kthim në pronë feudale jo vetëm të zonave fushore, por dhe të atyre kodrinore e madje malore. Në pronësi feudale po kalonin edhe bastionet e fundit të pronës së bashkësisë, pyjet, kullotat, korijet, peshkoret etj. Ky proces feudalizimi mori vrull sidomos në periudhën e dobësimit të Perandorisë Bizantine, që përkon me sundimin e dinastisë së Perandorisë Paleologe (shek. XIII-XV). Atë kohë edhe prona e përkohshme dhe e kushtëzuar (pronia) përmbylli evolucionin e saj të kthimit në një pronë të vërtetë feudale të përhershme, të trashëgueshme e të pakushtëzuar. Shitblerja e lirë e tokave e favorizoi së tepërmi përqendrimin e tokës në duar të një numri të kufizuar pronarësh.
Por masën dërrmuese njerëzore, mbi të cilën ngrihej pushteti i fisnikut, e përbënin pa dyshim bujqit, që banonin dhe punonin në zotërimet e tij. Tashmë lidhjet feudale të varësisë po ktheheshin në një karakteristikë themelore të marrëdhënieve të tyre me "të fuqishmit". Burimet historike i përmendin shpesh herë bujqit me termat servi, villani apo paroikoi, që dëftejnë bujkrobin e mirëfilltë. Të njëjtat burime japin të dhëna të mjaftueshme, që tregojnë se në zona të gjera të Shqipërisë popullsia e fshatit kishte rënë realisht në statusin e bujkrobërisë. Një udhëtar anonim tregon, në vitin 1308, se fshatarët në krahinat kryesisht malore të Këlcyrës, Tomorricës, Stefaniakës, Kunavisë, Pultit e Dibrës, punonin tokat dhe vreshtat e fisnikëve të veçantë, u dorëzonin atyre detyrime të caktuara dhe kryenin shërbime të tjera shtëpiake për ta. Historiani bizantin Kantakuzeni, nga ana e tij, dëshmon se fuqia e krerëve të këtyre krahinave mbështetej së tepërmi në bagëtitë e imta e të trasha që ata zotëronin në kope të panumërta.
Ky përqendrim i pasurisë në pak duar, kishte pa dyshim anën tjetër të shpronësimit e të varfërimit të masës së bujqve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama