Depertimi austriak dhe italian ne fushen ekonomike kishtare dhe shkollore

Në vitet e para të shek. XX, krahas shteteve fqinje ballkanike (Serbisë, Greqisë e Bullgarisë), të cilat prej kohësh punonin për të vendosur në provincat shqiptare ndikimin e tyre në fushën politike e në atë shkollore-kishtare edhe Shtetet e Mëdha, e veçanërisht Austro-Hungaria dhe Italia, i shtuan përpjekjet për të zgjeruar ndikimin e tyre në Shqipëri. Për shkak të afërsisë gjeografike me Italinë dhe me Austro-Hungarinë dhe të pozitës së rëndësishme në Ballkan e në Adriatik, Shqipëria mori në këtë periudhë një vlerë të veçantë gjeostrategjike për këto dy fuqi dhe u bë një nga objektet kryesore të rivalitetit të tyre.
Austro-Hungaria u aktivizua sidomos pas pushtimit të Bosnjës dhe të Hercegovinës, kur vuri si qëllim të shtrihej drejt territoreve të tjera ballkanike të Perandorisë Osmane, të dilte në Selanik (porti më i madh i detit Egje) dhe të ndërtonte hekurudha drejt Egjeut e Adriatikut, të cilat do të kalonin nëpërmjet territoreve shqiptare. Vjena synonte gjithashtu të përdorte tokat dhe popullsinë shqiptare si mburojë kundër shtrirjes së shteteve sllave (Malit të Zi e Serbisë) në brigjet shqiptare të Adriatikut dhe të pengonte njëkohësisht vendosjen e Italisë në këtë zonë.
Italia, nga ana e saj, synonte të zgjerohej në të dyja brigjet e Adriatikut, për të vendosur zotërimin e plotë mbi të dhe për ta kthyer në një det të brendshëm ose “liqen italian”. E shqetësuar përballë rritjes së ndikimit austriak në Shqipëri e në Ballkan, Roma, që nga fundi i shek. XIX, filloi të zhvillonte një veprimtari të gjerë për depërtimin ekonomik, politik e ideologjik në vilajetet shqiptare.
Ndeshja e interesave ndërmjet tyre i detyroi këto dy fuqi të merreshin vesh për politikën e mëtejshme në Shqipëri. Marrëveshja u arrit pas shkëmbimit të notave ndërmjet Romës e Vjenës, që u bë nga dhjetori i vitit 1900 deri në shkurt 1901, në të cilat u ripohua nevoja e ruajtjes së status quo-së në Shqipëri dhe u theksua me këtë rast se, në qoftë se ajo do të prishej, atëherë do të formohej një Shqipëri autonome.
Marrëveshja austro-italiane për Shqipërinë dhe për brigjet lindore të Adriatikut, që u arrit edhe nën ndikimin e Gjermanisë, u vu në themel të Aleancës Tripalëshe, Gjermani, Austri dhe Itali, e cila u përsërit më 1902 dhe mbeti pjesë e saj deri më 1912. Me këtë marrëveshje, që njihet edhe si një akord i “ekuilibrit” në Adriatik, nuk i lejohej asnjërës prej këtyre dy fuqive të vendoseshin në Shqipëri; por për shkak se kishte nën zotërim bregdetin Adriatik, ky vend, sipas tyre, nuk duhej të binte as në duart e shteteve të tjera. Në të vërtetë, kjo marrëveshje e mbante Shqipërinë si zonë të ndikimit austro-italian.
Respektimin e status quo-së në Ballkan e në Perandorinë Osmane e kërkuan, në vitet e para të shek. XX, edhe Fuqitë e tjera të Mëdha, Gjermania, Rusia, Franca dhe Anglia. Megjithatë, në Angli kishte filluar të përkrahej edhe ideja e dëbimit të Turqisë nga Ballkani dhe e ndarjes së zotërimeve të saj evropiane ndërmjet shteteve ballkanike.
Meqë ruajtja e status quo-së kishte një karakter të përkohshëm, Austria dhe Italia i shtuan përpjekjet për zgjerimin e depërtimit ekonomik e politik në Shqipëri, në mënyrë që të ishin të përgatitura për të kënaqur ambiciet e tyre, në rast se do të ndodhnin ndryshime eventuale në hartën politike të Ballkanit.
Austro-Hungaria, Italia dhe shtetet e tjera në fundin e shek. XIX e sidomos në fillim të shek. XX shtinë në dorë tregun e Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, Austro-Hungaria dhe Italia vendosën kontrollin mbi tregtinë e jashtme të vendit, që bëhej nëpërmjet skelave të Adriatikut, nga të cilat një rëndësi të dorës së parë kishin skela austriake e Triestes dhe ato shqiptare, si Shkodra, që lidhej me botën e jashtme me anë të Obotit në Bunë, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Saranda etj.
Të dhënat ekonomike të viteve 1901 e 1904-1905 tregojnë se në fillim të shek. XX Austro-Hungaria kishte përqendruar në duart e veta 3/4 e import-eksportit që bëhej nëpërmjet Shkodrës, e cila ishte qendra më e rëndësishme për tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare. Vendin e dytë e zinte Italia, pas së cilës vinin Mali i Zi, Franca dhe shtetet e tjera. Nga vlera e përgjithshme prej 215 000 franga ari të doganës së Shkodrës për vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i përkisnin rreth 170 000 franga, kurse Italisë 24 000 franga.
Firmat austro-hungareze kontrollonin gjithashtu rreth 2/3 e import-eksportit, që bëhej nga porti i Durrësit në vitin 1904-1905. Vendin e dytë e të tretë e zinin këtu Anglia dhe Italia, pas të cilave vinin Egjipti, Rusia e Franca. Nga 251 000 franga ari të vlerës së përgjithshme të import-eksportit të portit të Durrësit për vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i takonin 156 000 franga, Anglisë 37 000 franga, kurse Italisë rreth 30 000 franga. Austro-Hungaria zinte vendin e parë në import-eksportin e vilajetit të Kosovës, që në vitin 1908 arriti në rreth 49 000 000 franga dhe bëhej kryesisht nëpërmjet Selanikut. Pas saj vinin Rusia, Anglia, Gjermania, Italia etj.
Në tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare (të Shkodrës, të Kosovës etj.), për shkak se Shqipëria ishte një vend agrar, zotëronte importi, që përbëhej nga prodhime industriale e ushqimore dhe gjatë viteve 1901-1910 paraqitej çdo vit 2,5-3 herë më i madh nga eksporti, i cili përbëhej tërësisht nga prodhimet bujqësore e blegtorale të vendit.
Austro-Hungaria e Italia kishin vendosur gjithashtu kontrollin e tyre mbi lundrimin detar e mbi transportin tregtar e postar të porteve shqiptare të Adriatikut dhe të Jonit, të cilat i kishin në dorë shoqëritë austriake të lundrimit “Llojd” (“Lloyd”), “Raguza” (“Ragusa”), “Ungaro-Kroate” dhe Shoqëria italiane “Pulia” (“Puglia”). “Llojdi” austriak, që ishte një nga shoqëritë më të fuqishme në Evropë, kryente veprimet e transportit në tërë bregdetin shqiptar deri në portet e jugut dhe zinte pozitë zotëruese në transportin detar të Shkodrës (Obotit) e të Durrësit. “Llojdi”, sipas të dhënave të vitit 1902, merrte nga qeveria austriake një subvencion vjetor shtetëror prej 3 600 000 fiorintash.
Në vitet e para të shek. XX shoqëritë austriake të lundrimit ndeshën në konkurrencën e atyre italiane, të “Pulias”, që depërtoi në skelat e Tivarit, të Ulqinit, të Shëngjinit, të Durrësit, të Vlorës, të Sarandës e të Janinës. “Pulia” kishte mbështetjen financiare të shtetit, që, sipas të dhënave të vitit 1902, arrinte në 430 000 lireta në vit. Përveç “Pulias”, në skelat e Shqipërisë së Jugut vepronte edhe Shoqëria tjetër italiane “Adria”, që, konkurronte me sukses shoqëritë austriake “Llojd” e “Raguza”, ndërsa Shoqëria tregtare italiane “Frateli Alatini”, që ishte grumbulluesja kryesore e leshit dhe e drithit, e kishte shtrirë veprimtarinë e saj deri në vilajetin e Kosovës.
Në këto rrethana u rrit pesha e Italisë në tregtinë e jashtme të skelave të Shqipërisë së Jugut. Në vitin 1910 Italia arriti të zinte vendin e parë në importin e Shqipërisë së Jugut, që ishte 3 800 000 franga ari, duke ia kaluar dy herë atij austriak, që përbëhej vetëm nga 1 800 000 franga ari. Por Austro-Hungaria vijoi të mbante vendin e parë në importin e skelave të Shqipërisë së Veriut, që në vitin 1910-1911 arriti në rreth 5 200 000 franga ari, duke ia kaluar dy herë atij italian, që ishte vetëm 2 200 000 franga ari.
Ndikimi austriak në skelën e Sarandës në jug të Shqipërisë dhe në portin e Durrësit ndeshi, në fillim të shek. XX, edhe në konkurrencën e firmave greke të tregtisë e të lundrimit, si “Ksidias (“Xydias”) e C” etj.
Depertimi i huaj ekonomik, veçanërisht ai austriak e italian, u realizua gjithashtu nëpërmjet sistemit bankar e të kredisë. Në vilajetin e Shkodrës vepronin shtëpitë bankare të Triestes, ndërsa bankat evropiane (franceze, italiane, gjermane, angleze) jepnin kredi me anë të agjentëve ndërmjetës që mbanin në Shqipëri. Në vitin 1906 u themeluan në Shkodër e në Durrës degë bankare italiane të “Shoqërisë Tregtare të Lindjes” (“Societa Comerciale d’Oriente”), që kishin si synim të përqendronin në duart e tyre veprimet e blerjes së mallrave, të hipotekimeve e të inkasimeve dhe të vendosnin ndikimin e Romës në sistemin financiar në Shqipërinë e Veriut.
Firmat e huaja bënë përpjekjet e para për të depërtuar edhe në fushën e industrisë. Në Vlorë, në fillim të shek. XX, firmat austriake ngritën presa për prodhimin e vajit, ndërsa sipërmarrës të tjerë austriakë filluan të shfrytëzonin pyjet e Bregut të Matit. Po në këto vite të para të shek. XX një shoqëri italiane siguroi nga Turqia koncensionin e përpunimit të pyjeve të Rrushkullit; firma të tjera italiane hapën në Vlorë, në Durrës e në Butrint kripore, mullinj e presa për prodhimin e vajit, ndërsa një shoqëri franceze filloi të nxirrte bitum në Selenicë. Sipërmarrësit italianë parashikonin të sillnin kolonistë në rrethet e Shkodrës, të Vlorës dhe të Durrësit, ndërsa ata austriakë në tokat e vilajetit të Kosovës.
Në fillim të shek. XX firmat e huaja (franceze, italiane, austriake e ruse) hartuan disa projekte për ndërtimin e hekurudhave transballkanike, që do të lidhnin portet shqiptare të Adriatikut me detin Egje (Selanikun) dhe me Detin e Zi.
Austro-Hungaria dhe Italia kishin ngritur konsullatat e agjencitë konsullore, tregtare e postare në qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë, si në Shkodër, Durrës, Vlorë, Janinë, Prevezë, Gjirokastër, Shkup, Prizren, Mitrovicë, Manastir etj. Përfaqësi të shumta konsullore në qytetet e vilajeteve shqiptare kishte gjithashtu Franca dhe në disa qendra të Shqipërisë edhe Rusia me Anglinë.
Në fillim të shek. XX u acarua konflikti ndërmjet Vjenës e Romës për ndikimin mbi klerin katolik në Shqipëri dhe në lëmin e kulturës. Vjena synonte të ruante përgjithmonë të drejtën e protektoratit mbi klerin e mbi shqiptarët katolikë, të fituar prej kohësh me anë të kapitulacioneve që i kishte shkëputur Perandorisë Osmane (qysh me Traktatin e Karllovacit të vitit 1699) dhe që i siguronte asaj kontrollin e plotë mbi ta e varësinë prej Vjenës. Ndërkohë qeveria italiane filloi të vendoste në Shqipëri urdhra katolikë që do t’i nënshtroheshin Romës, po ashtu edhe priftërinj italianë nga kombësia, dhe po përgatiste klerikë shqiptarë në Itali. Por, gjatë bisedimeve që u zhvilluan ndërmjet përfaqësuesve të të dy vendeve në fillim të shek. XX, Vjena mbrojti të drejtën e saj ekskluzive mbi klerin katolik e mbi institucionet katolike në Shqipëri dhe nuk pranoi t’i bënte asnjë lëshim Romës. Ndërkaq, qeveritë e të dyja vendeve bënin shpenzime të mëdha për të bërë për vete klerin katolik duke i dhënë atij subvencione të rregullta mujore ose vjetore.
Austro-Hungaria e Italia zgjeruan edhe rrjetin e shkollave të tyre, që ishin kryesisht fetare katolike, kurse një pjesë laike. Pas shkollave, të hapura qysh në gjysmën e dytë të shek. XIX, Austro-Hungaria ngriti shkolla të tjera, për djem e për vajza, në Shkodër, Durrës, Shkup, Janievë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Zymë, Lumë, Manastir, Milot, Rrëshen, Tiranë dhe në qendra të tjera të Shqipërisë. Vetëm në qytetin e Shkodrës, në fillim të shek. XX, kishte 7 shkolla austriake me rreth 800 nxënës, ndërsa në gjithë vilajetin ishin ngritur 21 të tilla; në vilajetin e Kosovës kishte 8 shkolla austriake dhe në atë të Manastirit 3 (në sanxhakun e Manastirit). Shkollat austriake ishin në shumicën e tyre fetare dhe administroheshin nga institucionet katolike; vetëm një pjesë ishin laike (fillore) ose profesionale. Disa nga këto të fundit frekuentoheshin edhe nga fëmijë myslimanë.
Deri në vitet e fundit të shek. XIX në shumicën e shkollave austriake mësimi zhvillohej në gjuhën italiane. Në fillim të shek. XX, duke synuar të dobësonte ndikimin italian, Vjena shpalli “nacionalizimin” e shkollave katolike austriake në Shqipërinë e Veriut, vendosi në mjaft prej tyre, në vend të italishtes, gjuhën shqipe si gjuhë mësimi, në disa të tjera futi gjuhën gjermane po si gjuhë mësimi dhe mbajti njëkohësisht (në ndonjë qendër të Kosovës) shkollat katolike në gjuhët sllave.
Me këtë masë Vjena mendonte të forconte ndikimin e saj mbi lëvizjen kulturore shqiptare, një nga kërkesat e së cilës ishte themelimi i shkollave kombëtare shqipe. Në qarqet qeveritare të Austro-Hungarisë ky veprim, si edhe botimi në Vjenë i librave në gjuhën shqipe, vlerësohej si një kontribut për ruajtjen dhe përhapjen e idesë nacionale në Shqipëri. Pranë Institutit shtetëror të gjuhëve orientale të Vjenës u hap në vitin 1903 një kurs për mësimin e gjuhës shqipe, që drejtohej nga Gjergj Pekmezi, ndërsa në koloninë shqiptare të Zarës (në Borgo-Erico) qysh në vitin 1901 funksiononte një kurs për mësimin e shqipes pranë Institutit Pedagogjik, një tjetër pranë shkollës ushtrimore (me rreth 40 nxënës, më 1903); në vitin 1903 u çel aty një kurs i gjuhës shqipe për vajza (me 55 nxënëse), që drejtohej nga Patër Bardhi. Në vitin 1906 mësimin e gjuhës shqipe në atë institut si edhe në shkollën e vajzave filloi ta jepte, në vend të Patër Bardhit që u largua, Shtjefën Konstantin Gjeçovi. Në shkollat pedagogjike me internate, si në atë të Klagenfurtit e të ndonjë qendre tjetër, u përgatitën mësuesit e parë për shkollat austriake në Shqipëri.
Edhe Italia, duke filluar nga viti 1896, pas ardhjes në fuqi të kryeministrit Krispi, çeli shkolla fillore e profesionale në Shkodër, në Janinë, në Durrës e në Vlorë, ndërsa në fillim të shek. XX u ngritën shkolla të tjera në Shkodër (ku funksiononin tanimë një shkollë fillore për djem, një për vajza, një shkollë tregtare, një tjetër artizanati dhe një kopësht për fëmijë), u hapën shkolla të reja fillore për djem dhe për vajza (më 1901-1906) në Vlorë, në Durrës, në Janinë (dy shkolla fillore e një shkollë artizanati). Vëmendjen kryesore Roma e kishte përqendruar në Shkodër, ku në vitin 1906 shkollat italiane ndiqeshin nga 360 nxënës, ndërsa ato të Durrësit nga rreth 110 djem e vajza, të Vlorës nga 68 nxënës dhe 50 të rritur. Në vitin 1906 qeveria italiane shpenzonte për shkollat jashtë vendit 1 milion franga. Vetëm për shkollat e Shkodrës Roma shpenzonte çdo vit 40 mijë franga.
Ndryshe nga shkollat austriake, ato italiane nuk ishin fetare, por shtetërore, ndërsa mësimet zhvilloheshin në italisht. Në vitet e para të shek. XX edhe Roma, nën ndikimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të kërkesës së saj për përhapjen e shkrimit shqip, futi në shkollat italiane, në një masë shumë të kufizuar (dy orë në javë në vitin e fundit), mësimin e gjuhës shqipe. Përgatitja e personelit mësimor për shkollat italiane në Shqipëri bëhej në dy institucione, në Katedrën e Gjuhës Shqipe, pranë Institutit Oriental të Napolit dhe në Kolegjin italo-shqiptar të Shën-Demetër Koronës (San-Demetrio Corone), që nxirrte mësues dhe priftërinj për Shqipërinë.
Si Austria, ashtu edhe Italia, siç theksohej në dokumentacionin e kohës të të dy këtyre shteteve, duke zgjeruar nëpërmjet shkollave ndikimin e gjuhës e të kulturës së tyre në Shqipëri, synonin njëherazi të përgatisnin truallin për të vendosur kontrollin e tyre mbi shtetin e ardhshëm shqiptar. Prandaj rilindësit, edhe pse këto shkolla ndikonin në zhvillimin e përgjithshëm kulturor të vendit, madje edhe në përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe, sado që në një masë të kufizuar, i shikonin ato me mosbesim, kërkonin zëvendësimin e tyre me shkolla kombëtare shqipe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama