Bankat interesa rekord per te terhequr emigrantet

Prej më shumë se 3 javësh, tregu bankar shqiptar është duke përjetuar një rritje fiktive të interesave për depozitat. Lufta për të tërhequr kursimet e emigrantëve në sporteve i ka vënë bankat në një garë që në të vërtetë është e pandershme, pasi asnjë bankë në vend nuk ofron interesa 10 deri në 11 për qind, apo në nivele që janë gati dy herë më shumë se interesi normal i depozitave. Me anë të njoftimeve publicitare klientët mbesin të çuditur me faktin se kur paraqiten pranë sporteleve nuk mund të përfitojnë veçse një interes normal, dhe një pjesë e mirë e ofertave nuk vlejnë. Me përballjen në sportele kuptohet se për të përfituar këto interesa luksi duhet që të depozitosh qindra-mijë euro dhe me kushte të rrepta kohore. Këto oferta nuk vlejnë për një pjesë të mirë të klientëve që nuk mund as të mendojnë që të depozitojnë në këto vlera monetare në banka.

BSH: Interesat promocionalë

Pas bërjes publike të një sërë ofertash tepër të larta për interesat në lek dhe në valutë, Banka e Shqipërisë i ka vlerësuar këto zhvillime si promocionale. “Në tregun e depozitave është vërejtur rritje e natyrës promocionale të normave të interesit për depozitat, me afat në lekë dhe në euro”,- bën të ditur në një raport të saj BSH. Autoriteti Qendror vlerëson se bankat po krijojnë një rritje promocionale të interesit të depozitave. Muaji gusht dhe ai korrik, shënojnë edhe kulmin e kthimit të emigrantëve shqiptarë në atdhe, duke u kthyer në këtë mënyrë në klientë potenciale të bankave. Më këto kushte, bankat e nivelit të dytë kanë filluar që të publikojnë se ofrojnë interesa mbi 10% për depozitat njëvjeçare në lekë. I njëjti promocion po realizohet edhe për monedhën evropiane që është kthyer në monedhë bazë për kursimet e shqiptarëve. Por BSH bën të ditur se këto interesa janë të natyrës promocionale dhe deklaron se në treg nuk ka rritje të ndjeshme të interesit të depozitave.

Interesat e depozitave

Pavarësisht interesave promocionalë, Banka e Shqipërisë bën të ditur se rritja e interesave në treg për depozitat ka qenë brenda normave të përcaktuara edhe nga politika monetare. Që në 3-mujorin e parë BSH ka bërë të ditur se ka patur një rritje të kontrolluar të interesave të depozitave në treg. Interesi mesatar i ponderuar i depozitave 12-mujore në lekë arriti në 6.11 për qind në muajin mars, 0.63 pikë përqindjeje më lart se një vit më parë, duke u përputhur me sinjalizimin për rritjen e normave të interesit në ekonomi, gjatë vitit të kaluar. Në raport me fund-tremujorin e kaluar, ato tregojnë një ulje prej 0.38 pikë përqindjeje, por kjo ka ardhur si pasojë e përfundimit të ofertave promocionale të fundvitit nga bankat e nivelit të dytë. Rritja e normave të interesit të depozitave me afat në lekë është shoqëruar me hyrjen e këtyre të fundit në tremujorin e parë, në vlera disi më të larta se rritja e depozitave me afat në euro. Interesat për depozitat me afat në euro, në përgjithësi janë ulur në tremujorin e parë të vitit 2008.

Interesi për depozitat 12-mujore në euro shënoi vlerën 4.12 për qind ose 0.11 pikë përqindjeje poshtë atij të fundvitit. Pavarësisht, tregu i depozitave me afat në euro mbetet relativisht konkurrues. Normat e interesit të depozitave në euro (12-mujore) rezultojnë 0.33 pikë përqindjeje mbi ato të një viti më parë. Në të njëjtën periudhë, norma bazë e interesit për këtë monedhë ka ndryshuar me +0.25 pikë përqindjeje.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama