BSH Do te kete perseri renie te dergesave te emigranteve

Rënia e dërgesave të emigrantëve, pasojë e zvogëlimit të gatishmërisë së tyre për të mbështetur financiarisht familjet

Ekonomia shqiptare po ndeshet me shqetësimin e zvogëlimit të remitancave si në vëllim total, ashtu edhe në nivel dërgese për emigrantët. Ekspertë të Bankës së Shqipërisë thanë për gazetën “Korrieri”, se kjo situatë vjen për pasojë të rënies së ritmeve migratore dhe zvogëlimit të gatishmërisë së emigrantëve për të mbështetur financiarisht familjet e tyre në origjinë. Për më tepër, ekspertët shprehen se edhe me vazhdimësinë e fenomenit të emigrimit, rënia e parashikuar e nivelit për emigrant të remitancave është mundshme të ndodhë, si pasojë e bashkimit familjar apo integrimit gjithnjë e më shumë të emigrantëve në vendet pritëse. Nga ana tjetër, ky proces redukton aftësinë dhe gatishmërinë e emigrantit për dërgesa, aftësinë për arsye të rritjes së numrit të pjesëtarëve që tashmë banojnë në familjen e emigrantit dhe gatishmërinë për arsye të zvogëlimit të lidhjeve familjare të emigrantit me vendin e origjinës. Përllogaritjet shfaqin një prirje lakore të vëllimit total të remitancave të dërguara. Konkretisht, emigrantët me qëndrim nga 5 deri në 10 vjet jashtë kanë kontributin kryesor në dërgesa përgjatë vitit. Ndërsa emigrantët e viteve të fundit dërgojnë më pak se ata që kanë mbi 10 vjet në emigrim. Përfaqësimi i lartë i grupimit 5-10 vjet në vëllimin total të remitancave është i kuptueshme, pasi ky grupim shfaq njëkohësisht frekuencat më të larta në dërgesa, ku rreth 55 për qind e dërgesave vijnë nga kjo klasë emigrantësh.

Të ardhurat e emigrantëve, ulje edhe në raport me PBB-në

Mesatarja mujore e të ardhurave të emigrantëve gjatë vitit të kaluar llogaritet në vlerën e 80 milionë eurove. Tremujori i parë i këtij viti tregon të kundërtën, ku të ardhurat mujore llogariten në vlerën e 60 milionë eurove në muaj. Shifrat më të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se për gjatë muajit shkurt të këtij viti, të ardhurat e emigrantëve kanë qenë në vlerën e 70 milionë eurove. Në krahasim me vitin 2007, të ardhurat e emigrantëve janë ulur rreth 7 milionë euro. Duke ndjekur këtë kurbë, të ardhurat e emigrantëve për 6-mujorin e parë të këtij viti në krahasim me ato të një viti më parë do të jenë rreth 27 milionë euro më pak. Duke iu referuar të ardhurave vjetore të emigrantëve për vitin 2007, ato vlerësohen rreth 12.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra me një rënie prej 6 për qindësh kundrejt vitit 2006.

Emigrantët, 1 mijë euro në vit për familjet

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 189 736 familje ose rreth 26 për qind e familjeve në territorin e vendit përfitojnë dërgesa nga jashtë në formën e remitancave. Fluksi mesatar vjetor i remitancave për familje vlerësohet afërsisht në 1 897 euro dhe ndryshon nga qyteti në qytet. Familjet në Kuçovë, Peqin dhe Pogradec shfaqin fluksin më të ulët të remitancave gjatë vitit nën 1 000 euro, ndërkohë që në Pukë, Tropojë, Bulqizë dhe Gramsh hasen vëllimet më të larta të remitancave për familje në një interval që varion nga 3 000 deri në 8 000 euro në vit. Nga ana tjetër, nëse do të ndalemi në mesataren për emigrant, sipas grupimeve kohore të sipërpërmendura, nivele më të larta të remitancave shfaqin emigrantët që kanë nga 1 në 5 vjet në emigrim, ku mesatarisht në vit ky grupim dërgon 1 539 euro. Me kalimin e viteve vërehet një rënie në nivelin mesatar të dërgesave për emigrant.

Investimet e emigrantëve vetëm në pasuri të patundshme

Pjesa më e madhe e të ardhurave të emigrantëve shkojnë për blerjen e mallrave ushqimorë. Nga analiza e përdorimit kryesor të remitancave vjetore, rezulton se 41.8 për qind e tyre janë të orientuara drejt shpenzimeve për konsum, që përfshin plotësimin e nevojave të përditshme të familjes me ushqim, veshmbathje dhe tipa të tjerë të shpenzimeve për konsum, si orendi shtëpie etj. Nga ana tjetër, 16.4 për qind e remitancave janë përdorur për edukim dhe trajtim mjekësor, që konsiderohen të dobishme për vendin si investime sociale. Kurse 33.9 për qind e remitancave janë me destinacion investimet, rezultat i cili flet për ndikimin ekonomik të remitancave në vend. Me fjalë të tjera, ai nënkupton se një e treta e remitancave shkon direkt për të financuar aktivitetin e biznesit, ose në masën 6 për qind; blerjen e pasurive të patundshme 5.8 për qind dhe ndërtimin e shtëpive 12.3 për qind. Po ashtu, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të emigrantëve shkojnë për kursime në bankë, pra bëhet fjalë për 9.9 për qind. Kurse 6.6 për qind e remitancave ka për destinacion shpenzimet për shlyerjen e borxheve.

Remitancat, 27 milionë euro më pak se vjet

Shifrat më të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se përgjatë muajit shkurt të këtij viti të ardhurat e emigrantëve kanë qenë në vlerën e 70 milionë eurove. Në krahasim me vitin 2007, të ardhurat e emigrantëve janë ulur rreth 7 milionë euro. Duke ndjekur këtë kurbë, të ardhurat e emigrantëve për 6-mujorin e parë të këtij viti në krahasim me ato të një viti më parë do të jenë rreth 27 milionë euro më pak. Duke iu referuar të ardhurave vjetore të emigrantëve për vitin 2007, ato vlerësohen rreth 12.3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pra me një rënie prej 6 për qindësh kundrejt vitit 2006.

Dërgesat e emigrantëve sipas shteteve:

% ndaj Mesatarja % ndaj shumës

nr (euro)

Argjentinë 0.1 563 0.0

Austri 0.3 189 0.0

Australi 0.1 1,855 0.1

Belgjikë 0.8 3,706 2.2

Kanada 0.6 812 0.4

Zvicër 0.2 2,416 0.3

Çeki 0.0 1,933 0.1

Gjermani 1.8 1,483 2.1

Francë 0.6 681 0.3

Britani e Madhe 5.1 1,812 7.1

Greqi 45.1 1,094 37.7

Kroaci 0.0 1,500 0.1

Hungari 0.1 3,479 0.2

Itali 40.0 1,498 45.8

Kosovë 0.1 786 0.1

Maqedoni 0.1 50 0.0

Holandë 0.1 743 0.1

Norvegji 0.1 805 0.0

Arabi Saudite 0.1 403 0.0

Mali i Zi 0.1 966 0.1

Suedi 0.0 2,013 0.0

SHBA 4.3 964 3.2

Total 100.0 1,310 100.0

Burimi: Banka e Shqipërisë


Gazeta: Korrieri

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama