Aleanca Ballkanike dhe ceshtja shqiptare

Kryengritjet e mëdha shqiptare dhe lufta italo-turke e kishin dobësuar pozitën e Turqisë në Ballkan dhe u kishin krijuar popujve të kësaj zone kushte të favorshme për zhdukjen e plotë të sundimit osman. Këto ngjarje, nga ana tjetër, shqetësuan e vunë në lëvizje qeveritë e shteteve ballkanike. Gjendjen e krijuar në Ballkan, sipas tyre, mund ta shfrytëzonte Austro-Hungaria për të pushtuar sanxhakun e Pazarit të Ri, ndërsa lëvizja çlirimtare në Shqipëri e në Maqedoni mund të shpinte në autonominë e këtyre vendeve, gjë që ishte në kundërshtim me planet ekspansioniste serbe, malazeze, bullgare e greke. Shtetet ballkanike, me gjithë kontradiktat e thella që kishin ndërmjet tyre, shpejtuan të lidhnin një aleancë politike e ushtarake për t’i dalë përpara çdo të papriture dhe për ta zgjidhur çështjen në përputhje me interesat dinastikë. Formimin e një aleance të tillë e përkrahte edhe Rusia cariste, e cila kërkonte ta përdorte atë si gardh kundër shtrirjes austro-gjermane në Evropën Juglindore.
Bisedimet për formimin e kësaj aleance i kishin filluar qysh në tetor 1911 kryeministri bullgar Geshov dhe ai serb Milovanoviç. Një nga çështjet themelore të këtyre bisedimeve ishte, krahas asaj të Maqedonisë, edhe ajo e copëtimit të Shqipërisë. Kjo kishte të bënte me synimet e Serbisë për të dalë në detin Adriatik e për t’u lidhur me tregjet e Evropës Perëndimore. Prandaj Milovanoviçi e shikonte si një rrezik formimin e një shteti shqiptar. Duke përdorur si argument të ashtuquajturën “paaftësi të shqiptarëve” për të formuar shtetin e tyre, ai kërkonte bashkimin e Shqipërisë së Veriut e të Verilindjes me Serbinë dhe të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Qysh në ditët e para të bisedimeve të dyja qeveritë kishin rënë në marrëveshje të njihnin të drejtën e plotë të Serbisë mbi vilajetin e Shkodrës dhe mbi atë pjesë të vilajetit të Kosovës që ndodhej në veri të Bjeshkëve të Sharrit, ndërsa Bullgarisë të drejtën mbi vilajetin e Adrianopojës. Por bisedimet u zgjatën për shkak të kontradiktave që lindën në lidhje me ndarjen e tokave të tjera të vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të Manastirit e të Selanikut.
Austro-Hungaria, nga ana e saj, u përpoq ta sabotonte këtë aleancë që po formohej me pjesëmarrjen aktive të Rusisë. Për të lidhur pas vetes Malin e Zi e Greqinë, ajo i premtonte mbretit Nikolla toka shqiptare deri afër Shkodrës, ndërsa Greqisë i propozonte të hynte në një bllok ballkanik kundërsllav me Austro-Hungarinë, Rumaninë e Shqipërinë. Por këto orvatje nuk patën sukses.
Më 13 mars 1912 u përfundua marrëveshja serbo-bullgare. Ajo përmbante një shtojcë të fshehtë, sipas të cilës Bullgaria i njihte Serbisë jo vetëm tokat me popullsi serbe, por edhe aneksimin e tokave shqiptare në veri e në perëndim të Bjeshkëve të Sharrit (Shqipërinë e Mesme, Veriore dhe Verilindore), kurse Serbia i njihte Bullgarisë tokat në lindje të Rodopit dhe të lumit Struma. Territori midis Bjeshkëve të Sharrit, lumit Struma dhe liqenit të Ohrit, me qytetet kryesore Dibër, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Kumanovë e Shkup, u quajtën si zonë e diskutueshme; si arbitër për zgjidhjen e kësaj çështjeje u caktua cari i Rusisë.
Krahas bisedimeve serbo-bullgare u zhvilluan edhe bisedimet bullgaro-greke, të cilat përfunduan më 29 maj me nënshkrimin e një marrëveshjeje mbrojtëse në rast sulmi nga ana e Turqisë.
Aleanca Ballkanike, me gjithë kompromiset e arritura, përmbante në vetvete farën e përçarjes midis vendeve ballkanike. Nga ana tjetër, ajo përbënte një rrezik tepër serioz për ekzistencën e kombit shqiptar.
Pas përpjekjeve të Vjenës, për t’i kërkuar Portës së Lartë zbatimin e politikës së decentralizimit, diplomacia ballkanike u bë më aktive. Mali i Zi, i cili vazhdonte gjithnjë të organizonte provokacione në kufi, i ftoi aleatët ballkanikë të hidheshin menjëherë në luftë kundër Turqisë. Ai dërgoi emisarët e vet në Shkodër për të bindur klerin katolik ta ndihmonte në veprimin që do të ndërmerrte kundër Turqisë, me qëllim që të çlirohej rrethi ose gjithë vilajeti i Shkodrës dhe të hynte në një “union real” me Malin e Zi. Përfaqësuesit e klerit katolik të Shkodrës nuk e pranuan këtë projekt. Këto përpjekje të aleatëve ballkanas kishin mbështetjen e qeverisë ruse.
Porta e Lartë, nga njëra anë, u deklaroi shteteve ballkanike se nuk kishte aspak ndërmend t’u jepte shqiptarëve autonominë, ndërsa, nga ana tjetër, shpalli më 23 gusht, në një redaktim të ri, kërkesat e shqiptarëve të pranuara prej saj. Duke mos përmendur asnjëherë në to fjalët Shqipëri e shqiptarë, qeveria turke synonte t’i qetësonte shtetet ballkanike dhe t’u jepte atyre të kuptonin se privilegjet e dhëna mund të shtriheshin edhe mbi popullsinë joshqiptare të vilajeteve të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, nëse do të ishte nevoja që ajo t’u bënte një interpretim të tillë. Por kjo nuk i kënaqi aspak shtetet ballkanike. Sukseset e rrufeshme të kryengritjes shqiptare dhe ngjarjet në frontin e Tripolit kishin treguar qartë kalbësinë e Perandorisë Osmane dhe paaftësinë e saj ushtarake. Të nxitur nga kjo, ato filluan të bënin përgatitje të ethshme për t’i shpallur luftë Turqisë.
Qeveria malazeze kishte përfunduar me Bullgarinë një marrëveshje verbale, sipas së cilës kjo e fundit i njihte Cetinës tokat që do të pushtonte në rast lufte kundër Turqisë. Mali i Zi, me qëllim që të shkaktonte sa më parë konfliktin ballkanik, bëri të gjitha përpjekjet me anën e bajraktarëve, si Sokol Baci etj., që ishin në shërbim të tij, t’i hidhte malësorët katolikë shqiptarë në luftë kundër turqve, të cilët kishin krijuar në Malësi një gjendje të padurueshme. Urrejtja e papërmbajtur e malësorëve kundër sundimtarëve osmanë i bëri ata të bashkëpunonin me malazezët.
Këtë bashkëpunim turqit e shfrytëzuan për të nxitur fanatizmin fetar në vilajetin e Shkodrës dhe për të bërë masakra mbi popullsinë katolike të Zadrimës, një pjesë e madhe e së cilës u detyrua të arratisej në male. Me politikën e tyre të terrorit turqit i afruan edhe më shumë malësorët katolikë me Malin e Zi. Luftime të ashpra kundër forcave turke zhvilluan në shtator të vitit 1912 malësorët e Malësisë së Madhe, të përkrahur nga reparte malazeze, si edhe nga zadrimasit.
Ndërkohë marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe shteteve të Aleancës Ballkanike po acaroheshin gjithnjë e më shumë. Nuk e zbuti këtë acarim as vendimi i marrë nga Porta e Lartë më 24 shtator për t’i shtrirë një varg privilegjesh, që u ishin njohur shqiptarëve, edhe mbi popullsitë joshqiptare të vilajeteve të Rumelisë.
Në fund të shtatorit si Turqia, ashtu edhe shtetet ballkanike filluan mobilizimin e ushtrive të veta. Dukej qartë se konflikti i armatosur ishte i pashmangshëm. Fuqitë e Mëdha e në mënyrë të veçantë Rusia u përpoqën ta pengonin një konflikt të tillë që mund të shpinte në prishjen e status quo-së në Ballkan dhe në një luftë botërore, për të cilën ata nuk ishin përgatitur ende. Më 7 tetor Austro-Hungaria e Rusia deklaronin në emër të Fuqive të Mëdha që, në rast lufte ndërmjet Turqisë e shteteve ballkanike, në mbarim të konfliktit fuqitë nuk do të lejonin asnjë ndryshim të status quo-së territoriale në Ballkan. Në një kohë kur përfundimi i luftës nuk dihej, Vjena synonte, me anë të kësaj deklarate, të pengonte zgjerimin e shteteve ballkanike në kurriz të Turqisë, ndërsa Rusia të siguronte mbrojtjen e aleatëve të vet ballkanikë në rast disfate.
Megjithatë Lufta Ballkanike shpërtheu. Më 8 tetor Mali i Zi i shpalli luftë Turqisë. Më 17 tetor i shpallën asaj luftë Serbia e Bullgaria dhe një ditë më vonë Greqia.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama