Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shoqëria civile dhe degradimi i OJF-ve

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Shoqëria civile dhe degradimi i OJF-ve

Të premten, Fatos Lubonja cekte një temë sa të bezdisshme këto kohë, po aq edhe të rëndësishme, sikurse është ajo mbi cilësinë dhe rolin e shoqërisë civile në Shqipëri. Duke iu referuar vitit 1997, si ndarje mes dy epokave, Lubonja arrin në konkluzionin se shoqëria civile deri atë vit ka qenë më civile, ndërsa më këndej është bërë më ushtarake, duke iu bashkuar formacioneve politike dhe për këtë fajëson më së shumti donatorët që kanë furnizuar me ushqime prapavijën e kësaj ushtrie. I gjendur brenda kësaj ushtrie prej disa vitesh, do të thoja se situata është pak më e rëndë se ky vlerësim aforfe që mund t’i bëhet shoqërisë civile nga jashtë.

Për fat të keq, me shoqëri civile ne sot kuptojmë vetëm një ushtri organizatash joqeveritare, OJQ, të cilat më vonë u vetëquajtën OJF, që do të thotë organizata jofitimprurëse, mesa duket në përpjekje për të treguar në opinion se ato nuk kanë asnjë përfitim. Janë këto OJF që mbushin çdo ditë sallat e hoteleve të Tiranës dhe qyteteve të tjera, duke organizuar seminare dhe tryeza të rrumbullakëta, në të cilat më së shumti ftojnë dhe mbledhin shoshoqin, u bëjnë fotografi të pranishmëve, ose në rastin më të mirë ftojnë ndonjë personalitet që të tërheqin vëmendjen e mediave dhe u dërgojnë ndonjë kasetë donatorëve për t’u treguar se projekti i sponsorizuar prej tyre ia arriti qëllimit.

Janë miliona euro, me të cilat donatorë të huaj dhe vendas financojnë çdo vit organizata të shoqërisë civile, por është vështirë të identifikosh, ose numërohen me gishta, punët e bëra mirë në shërbim të komunitetit. Ka mes tyre syresh që vërtet janë të përkushtuara, por abuzivizmi masiv në këtë drejtim ka çuar në fund fare shkallën e besimit të shoqërisë tek OJF-të. Për të mos folur kuturu, do të sillja disa shembuj për të justifikuar këtë qëndrim kritik.

Disa vite më parë, një duzinë OJF-shë u mblodhën në një hotel në Tiranë dhe diskutuan themelimin e një grupimi të gjerë antikorrupsion. Isha atje, mes dhjetëra njerëzve të angazhuar në themelimin e një lëvizjeje shoqërore kundër korrupsionit, për t’u bërë pjesë dhe për të mësuar se çfarë do të bënin konkretisht njerëzit që janë jashtë qeverisë dhe jashtë strukturave të shtetit, kundër fenomenit të korrupsionit. Por, pa diskutuar ende strategjinë e aksionit, mes OJF-ve plasi sherri se si do të ndaheshin mes tyre fondet që do të merreshin nga donatorët. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që isha në mbledhjet e këtij grupimi.

Në prag të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, në vitin 2008, bashkë me disa kolegë u ulëm të diskutonim ndërmarrjen e një lëvizje sensibilizuese ndaj politikës për kriteret që duhej të plotësonte njeriu që do të zgjidhej President i Republikës. Që 50 njerëz të diskutojmë dhe të pjekin një mendim, për t’i përcjellë një mesazh politikës, kjo nuk ka ndonjë kosto financiare, ndaj nuk pati debate fondesh. Por, pa kaluar një muaj dhe kur diskutimi brenda organizatave ishte ende i papërfunduar, njëra syresh u shfaq me një tufë posterash nëpër pemë, pallate, shtylla e ku të mundte, ku reklamonte “kriteret e votimit të Presidentit”, edhe pse Presidenti nuk zgjidhet me votim popullor. Mësuam se ajo kishte siguruar me nxitim një fond, shtypi disa qindra postera dhe i fotografoi për t’ia dërguar me email donatorit.

Si drejtues i lëvizjes më të madhe vullnetariste në vend, Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve, ndodhesha në Vlorë bashkë me 300 vullnetarë, ku nisëm fushatën e pastrimit të plazheve. Pas një tubimi në sheshin para Skelës, vullnetarët hipën nëpër autobusë dhe u shpërndanë në zonat ku do të punonin. Po atë ditë, një televizion lokal në Vlorë ironizonte, duke thënë se qindra persona pastruan 50 metra katrorë lulishte. Ne fakt gazetarët nuk e kishin ndjekur aksionin që çoi në pastrimin e 8 kilometrave vijë bregdetare. Televizioni theksonte në mënyrë kritike se shumë OJF vijnë në këtë shesh, mbledhin ndonjë letër mbi barin e kësaj lulishteje, filmohen nga kamerat dhe ikin për piknik.

Disa javë më parë, në një nga rrugët e Tiranës, dikush montonte me trapan në trupin e pemëve në trotuar disa kosha prej dërrase me mbishkrimin “Hidhni këtu mbeturinat” dhe logon e një organizate mjedisore. Nuk ishin më shumë se 5 kosha dhe dikush i fotografonte ato, për t’ua dërguar më pas donatorëve si dëshmi e realizimit të projektit. Dy vjet më parë, një projekt u financua në ndihmë të fëmijëve të ngujuar. Kërkova me ngulm të mësoj nëse shkoi ndonjë fletore, laps apo ndonjë shërbim tjetër në ndihmë të këtyre fëmijëve, por nuk mësova dot.

Në këtë mënyrë përfundojnë projektet me financime miliona euro çdo vit. Në kushtet kur shumë donatorë, në rastin më të mirë, nuk e verifikojnë produktin e financimit të tyre, një duzinë OJF-shë janë shndërruar në industri demagogjie dhe përfitimi. Edhe pse të profilizuara, një eskortë OJF-shë përfiton sot në mënyrë klienteliste financime për projekte edhe për median, edhe për të drejtat e grave, edhe për pakicat kombëtare, edhe për antikorrupsionin etj. Ndërkohë që ka shumë organizata, të vogla e pa suporte politike e klienteliste, që edhe pse me produktive, nuk depërtojnë dot murin e trashë të donatorëve.

Më shumë se shoqëri civile, këto OJF përfaqësojnë sot një kastë, një shtresë të shkëputur nga pjesa tjetër e shoqërisë, me lidhje të forta politike dhe shtetërore dhe shumë prej drejtuesve të tyre janë edhe aktivë në politikë. Përmes kësaj kaste kanalizohen financime, që në borderotë e shteteve donatore shënohen si “ndihmë për popullin shqiptar”. Vetë ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmuth Lohan, e ngriti këtë shqetësim duke thënë se fondet nuk po shkojnë atje ku duhet.
Janë pikërisht këto OJF që kanë dëmtuar imazhin e shoqërisë civile, kanë shkatërruar prestigjin, duke prodhuar një shpërfillje të rëndë mes shoqërisë.

Në fakt këto nuk e përfaqësojnë aspak shoqërinë civile, ato janë thjesht ca mekanizma, të cilave u shkon shumë për shtat përkufizimi i huazuar sipas të cilit OJF-të janë ca mekanizma, përmes të cilave u merren paratë të varfërve në shtetet e pasura dhe u jepen të pasurve në shtetet e varfra.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama