Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Falsifikimi i votës, komisionerët 'në litar'

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Falsifikimi i votës, komisionerët 'në litar'

Individë, grupe individësh apo organizata të ndryshme, shpesh u kanë adresuar organeve të drejtësisë thirrje publike, duke kërkuar dënimin maksimal të një njeriu që ka tronditur shoqërinë me krimet monstruoze që ka kryer. Sot drejtësia ka në dorë një çështje shumë të rëndë e të rëndësishme, edhe pse nuk ka viktima: hetimi ndaj disa komisionerëve që kanë drejtuar procesin e votimit në Komunën Ruzhdie në Fier, për të cilën ne të gjithë duhet të kërkojmë me forcë të hetohet deri në fund dhe komisionerët të ndëshkohen. Nga veprimi i tyre nuk ka humbur jetën asnjë njeri, gjithashtu nuk është shkaktuar asnjë dëm material, pra nuk ka ndodhur asgjë nga ato që ne i konsiderojmë si krime të rënda. Por në fakt ata kanë kryer një krim, i cili ka vite e vite që na ngatërrohet nëpër këmbë dhe nuk po na lejon të lëmë pas një epokë të rëndë politike.

Komisionerët, ashtu si edhe vite më parë, ashtu si edhe shumë kolegë të tyre anekënd qendrave të votimit në Shqipëri, votuan në emër të njerëzve, të cilët për shumë arsye nuk morën pjesë në votim. Ata nuk ishin në Shqipëri, ishin të sëmurë, apo thjesht nuk donin të votonin. Është kjo përqindja e njerëzve që përbëjnë grupin e qytetarëve mospjesëmarrës në votim. Në disa vende është shteti që e ka vendosur t’i detyrojë njerëzit të votojnë, duke parashikuar sanksione ligjore dhe administrative ndaj bojkotuesve, ndërsa në shumë vende të tjera, mes të cilëve edhe në Shqipëri, shteti thjesht ka vendosur të respektojë vullnetin e qytetarëve për të marrë pjesë ose jo në votim.

Por në Ruzhdie, të paktën vetëm për këtë rast, ka fakte të konfirmuara zyrtarisht, komisionerët vendosën të mos e respektojnë vullnetin e bojkotuesve. Në listën e votuesve, përbri emrave të atyre që nuk kishin shkuar në qendrën e votimit, ata shënuan nga një numër fiktiv pasaporte dhe firmosën vetë në emër të qindra zgjedhësve dhe po në emër të tyre hodhën votën në kuti. Ata njerëz që ndodheshin aty vetëm për të mbikëqyrur votuesit dhe administruar procesin, u shndërruan vetë në votues masivë. Ne të gjithë e dimë se kjo nuk ka ndodhur vetëm në Ruzhdie. Ne po ashtu e dimë se në Shqipëri, në çdo proces zgjedhor, një person ka votuar për të gjithë familjen e fisin dhe këtë e kanë lejuar sërish komisionerët. Të mësuarit me të keqen është një e keqe edhe më e madhe se vetë e keqja - thotë një shprehje. Ndaj dhe për shumëkënd, ajo që kanë bërë komisionerët në Ruzhdie mund të mos jetë një krim i rëndë, pasi kjo ka ndodhur edhe më parë dhe në shumë qendra votimi. Por pikërisht për këtë arsye, pikërisht që kjo gjë të mos ndodhë më, për t’i dhënë fund një maskarallëku me pasoja të rënda politike, ata komisionerë duhet të dënohen maksimalisht, pa asnjë tolerancë dhe mëshirë ligjore.

Prej 2 dekadash, Shqipëria përjeton një proces elektoral të pandërprerë dhe një debat politik sa shterpë aq edhe të neveritshëm. Si pasojë e këtyre veprimeve dhe të tjera si këto, në Shqipëri proceset zgjedhore nuk janë pranuar asnjëherë nga pala humbëse, e cila gjithmonë ka pasur në dorë argumente për të justifikuar rënien apo mbetjen në opozitë. Ne të gjithë e dimë se veprimi i atyre komisionerëve nuk ka qenë krejtësisht një vullnet i tyre personal, por i mbështetur politikisht edhe nga strukturat e partisë së cilës i përkasin. Por janë pikërisht ata që kanë ekzekutuar një urdhër politik, duke falsifikuar firmat e qytetarëve të tjerë dhe duke prodhuar për pasojë një moçal politik, në të cilin ne dergjemi tashmë të llangosur dhe pa asnjë shpresë për të dalë në breg. Ne e dimë që partitë kujdesen që në listën e komisionerëve të përfshijnë jo njerëzit më korrektë, por militantët më besnikë, të gatshëm edhe të përleshen fizikisht për të mbrojtur apo shtuar një votë më shumë për partinë e tyre. Janë pikërisht këta besnikë politikë që braktisin qendrat e votimit, rrëmbejnë vulën dhe grisin fletëvotimet, duke kontribuuar në shkatërrimin e proceseve zgjedhore e duke prodhuar situata e incidente që shpesh kanë përfunduar edhe në përleshje mes dy kampeve politike.

Nuk ka asnjë rëndësi se të cilës force politike i përkasin, drejtësia duhet të tregojë kësaj radhe forcën e saj ndaj një krimi, i cili është shumë më i rëndë se një grabitje apo një vjedhje. Falsifikimi i votës, që çon në devijimin e rezultatit të zgjedhjeve, është shumë më i rëndë se falsifikimi i dokumenteve të një tenderi që mund të çojë në vjedhjen e miliona eurove. Për këtë arsye komisionerët e vënë nën akuzë, të cilëve u ishte besuar menaxhimi i votës së lirë, kolonës vertebrale të demokracisë, duhet të marrin sot dënimin maksimal. Këta përmbarues urdhrash të mbrapshtë janë kontribuuesit më të këqij në demokraci. Ndaj ata duhet të dënohen dhe vendimi të tundet para syve të të gjithë publikut, në mënyrë që askush nesër të mos guxojë t’i bindet si një shërbëtor i urtë shefit të tij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama