Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vizat, rreziku që na vjen nga fqinjët

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 15 vite më parë

Mentor Kikia
Vizat, rreziku që na vjen nga fqinjët

Sapo Brukseli vendosi liberalizmin e vizave me Serbinë dhe Maqedoninë, mijëra njerëz, mes të cilëve edhe shumë shqiptarë, ngarkuan valixhet dhe u nisën me karvanë drejt Belgjikës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Çdo ditë, qindra shtetas serbë e maqedonas udhëtojnë me autobusë e trena, jo për vizita turistike, por thjesht për të emigruar, për të kërkuar punë dhe shtëpi në një tjetër vend. Në këtë mënyrë, Brukselit i vajtën në derë pikërisht klandestinët e djeshëm, ai kontingjent njerëzish, për të cilët qeverive u ishte dashur të jepnin shumë prova se i kanë ndalur në përpjekjet e tyre të paligjshme të emigrimit. Por sot ata nuk quhen më klandestinë, sepse nuk e kalojnë kufirin ilegalisht.

Pasi fenomeni u bë shqetësues, politikanët në Bruksel nxituan t’u kujtojnë qeverive të Ballkanit se liria e lëvizjes ka edhe limite dhe se ajo është vetëm liri lëvizjeje dhe jo liri pune dhe liri për të zgjedhur vendin se ku do të jetosh. Ndërkohë, Kryeministri belg pritet të ndërmarrë së shpejti një udhëtim në vendet e rajonit, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje me qeveritë përkatëse, për të frenuar këtë valë emigrimi, që deri dje ndalohej me kontrolle kufitare. Nuk dihet nëse do të ndërmerren hapa të mëtejshëm për të vendosur lirinë e lëvizjes nën korniza, por kjo situatë e krijuar nga fqinjët tanë është dukshëm në disfavorin tonë, që presim nga muaji në muaj një vendim të tillë nga Bashkimi Europian.

Shqipëria është vënë nën një monitorim të rreptë për të përmbushur kriteret e nevojshme për liberalizimin e lëvizjes. Megjithatë, zërat që vijnë nga Brukseli thonë se më shumë se çështje kushtesh, ajo është një çështje e vullnetit politik të Komisionit Europian. Por duket se përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur kushtet dhe kënaqur vullnetin e zyrtarëve europianë, u del përpara një problem që po prodhohet pikërisht nga fqinjët tanë, të cilët e përfituan liberalizimin para nesh.

Vërshimi i emigrantëve nga Serbia dhe Maqedonia, padyshim që do të shkaktojë reaksion ndër vendet e Bashkimit Europian që do të preken nga vala e njerëzve të cilët do të udhëtojnë atje si turistë dhe më pas do të kërkojnë azil, strehë dhe punë. Dhe ky reaksion, nuk është çudi të ndikojë edhe në vendimin që duhet të merret për Shqipërinë dhe Bosnjën. Duam apo nuk duam ne, për fat të keq, sot jemi të kërcënuar në ambicien tonë të lëvizjes së lirë nga sjelljet e fqinjëve tanë. Duam apo nuk duam ne, në Bruksel do të shtohen zërat kundër dhe nuk është çudi që nesër zyrtarët atje të ngrihen e të thonë: U dogjëm nga serbët dhe maqedonasit, nuk na duhen edhe shqiptarët. Tanja Fajon, raportuesja për liberalizimin e vizave në BE, një mbështetëse e Shqipërisë në këtë çështje, dha sinjale të qarta se çështja serbo-maqedonase mund të bëhet një barrierë jo e vogël për ne. 

Ne jemi koshientë që shumë shqiptarë po e presin me padurim atë ditë, kur mund të udhëtojnë te të afërmit e tyre në shumë vende të Perëndimit, pa qenë nevoja të mbajnë radhë me ditë të tëra pas hekurave të ambasadave, të përballen me fyerjen dhe përçmimin apo të paguajnë sekserët e diplomatëve për të blerë një vizë. Po ashtu, ne e dimë se Perëndimi është përgatitur për një gjë të tillë dhe largimi i shqiptarëve nuk ka për të qenë alarm i kuq për një bashkësi vendesh që çdo vit pret 200-300 mijë emigrantë jashtë bllokut. Megjithatë, ne nuk duhet ta lëmë këtë fakt të na shndërrohet në barrierë.

Tri ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Europian në Shkup, i kërkoi qeverisë të vërë nën kontroll agjencitë turistike, të cilat, nisur nga përfitimet, po shndërrohen në agjenci emigrimi, duke transportuar pasagjerë që presin vetëm biletën e vajtjes. Ai kërkoi gjithashtu që qeveritë t’i informojnë njerëzit mbi limitet e kësaj lirie dhe pamundësinë për të siguruar punë, nëse nuk janë të kualifikuar dhe pjesë e marrëveshjeve paraprake me punëdhënësit. Të gjendur në këto kushte, pyetja që shtrohet është se çfarë mund të bëjë Shqipëria, në mënyrë që situata e prodhuar nga fqinjët tanë të mos na penalizojë, tashmë kur jemi pikërisht në vigjilje të vendimit që do të marrë Brukseli. Vështirë të rekomandosh receta për të tilla situata, por ne duhet, së paku, të tregojmë vullnet dhe t’i japim siguri që tani Brukselit, se nuk do të lejojmë përsëritjen e të tilla situatave, si në Shkup e Beograd.

Ndoshta mund të ndërmerren nisma ligjore, edhe drastike, si moratoriumi i skafeve, për të limituar apo kontrolluar agjencitë turistike, që do të përfshihen në udhëtimet masive me një sens. Mund të duket absurde që ne të parashikojmë masa në një kohë që Brukseli ende s’e ka marrë vendimin, por është e nevojshme që në këto kushte, Tirana të lëshojë sinjale bashkëpunimi me Brukselin dhe një vullnet të qartë politik dhe ligjor për të pranuar paraprakisht sloganin “lëvizje e lirë e limituar”. Gjithashtu, qeveria, politika, shoqëria civile duhet të angazhohen në një fushatë informimi popullor, duke bërë të qartë se vajtja pa vizë në Berlin, Romë apo Bruksel, nuk do të thotë siguri punësimi dhe strehimi. Gjithashtu, shqiptarëve u duhet sqaruar se të udhëtosh pa vizë në BE, nuk do të thotë se je bërë shtetas i BE-së dhe se në udhëtimin pa vizë mund të qëndrosh për një kohë të kufizuar, të cilën po e tejkalove nuk mund të shkelësh më atje për disa vite me radhë. Me pak fjalë, ne duhet të bëjmë sot atë që Brukseli po i kërkon Serbisë dhe Maqedonisë ta bëjnë pas liberalizimit të vizave.

Në fund të fundit, ne duhet të bëjmë ç’të mundemi për ta hequr nga tavolina e burokratëve të Europës frikën e emigrimit masiv, si një argument për të vendosur shtyrjen “për një afat tjetër” të liberalizimit të vizave.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama