Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa larg jemi?

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Sa larg jemi?

S‘më doli fjala. S‘ka një javë që, kur shkrojta për punë të Mero Bazes, ndër të tjera parashikova se po vazhdoi kjo punë kështu, thjesht do bëjmë nga një demonstratë te Kryeministria sa herë që të rrahin ndonjërin nga ne. Po s‘shkuan as tri ditë, rrahën një tjetër gazetar dhe parashikimi im u vërtetua vetëm përgjysmë: gazetarin e rrahën vërtet, po ne s‘dolëm më në demonstratë. Dhe kësaj radhe, mbi të nuk vuri dorë ndonjë zengjin privat, por vetë Prefekti i Tiranës.

Qeveritë kanë dy mënyra për t‘u shpëtuar sherreve: ose të sillen mirë që të mos japin sebep për sherr, ose të bëjnë sherr me të gjithë, aq sa njerëzisë t‘i vijë në majë të hundës dhe të mos i bëjë më përshtypje asgjë. Qeveria jonë e paudhë ka zgjedhur udhën e dytë. Duke shkuar nga sherri në sherr, e duke zënë sherri sherrin, edhe ne do mërzitemi një ditë, se mileti është mërzitur me kohë e vakt dhe nga kjo punë dualëm si rruar qethur.

Pa mendoni një çikë, sikur në kohë të vet Fatos Nano të kish vënë shokun e të birit për prefekt, se ç‘furtunë do ish ngritur në media e në opinion. Pa kujtoni se si u hoq tak-fak ministri i Brendshëm i Fatos Nanos, për të njëjtën arsye rrahjeje me një gazetar. Pa mendoni një çikë se si do ish ngritur opinioni, media, shoqatat, Mjaft-rat, e ku di unë kush tjetër, sikur Nanos t‘i dilte baxhanaku në Gërdec, dhëndri në Jalë, i biri në Lalëz dhe e bija anekënd Shqipërisë. Ç‘dreqin ka ndodhur që, atëherë funksiononte mekanizmi, e kësaj here jo? Do përpiqem të jap përgjigje sipas mendjes sime, por edhe duke uruar ta kem gabim.

Fatos Nano, administrata e tij, Partia Socialiste dhe përgjithësisht shtresat ku ato mbështeteshin dhe nga të cilët merrnin dhe marrin votën, janë shtresat disi më të civilizuara dhe arsimuara të shoqërisë, popullsitë lehtësisht të organizueshme të qendrave të mëdha urbane dhe që, si të tilla, janë edhe shumë të ndikueshme nëpërmjet medias. Bën pjesë këtu, edhe ajo pjesë e shoqërisë me një mirëqenie ekonomike më të formuar dhe kështu e percepton më lehtë nevojën për drejtësi sociale, barazi shoqërore etj. E gjithë kjo pjesë e shoqërisë, përpara një skandali të bërë publik në media, reagon dhe shkon deri edhe në votë kundër.

Në krahun tjetër, qoftë vetë Sali Berisha si formim personal, por edhe e gjithë piramida qeverisëse dhe partiake e krijuar prej tij, mbështeten mbi pjesën rurale të shoqërisë, mbi njerëzit e varfër të qendrave urbane, mbi masat e shoqërisë që reagojnë vetëm emocionalisht. Kjo masë njerëzish, përgjithësisht me nivel të ulët kulturor dhe jetese, pak është e prirur t‘i bëjnë përshtypje termat e lirisë e të barazisë. Mendoni se një fshatar i munduar i malësive të Pukës apo një banor i Bathores do të mos votonte për Berishën, sepse prefekti paska rrahur një gazetar, apo se e bija e tij merret me biznese jo shumë të qarta?! Madje edhe këto mendime do t‘i vinin në kokë vetëm nëse do arrinte të lexonte gazetat, gjë që për shkak të varfërisë dhe nevojës për bukën e gojës, zor se i bie radha t‘i shohë me sy.

Kjo është e gjitha. Në Shqipëri ai që voton majtas ndikohet nga media dhe, kushdo personalitet i së majtës, me hir a me pahir, do të duhet t‘u përmbahet ca rregullave të moralit publik. Ndërsa ai që voton djathtas, është praktikisht i pandjeshëm nga media dhe intelektualizmave që reklamon ajo, ndaj mund t‘u hyjë i qetë me hu të gjithëve atyre që i reklamojnë këto punë. Mund të rrahë jo një e dy gazetarë kushdo qeveritar i sotëm dhe asnjë votë s‘ka për të humbur Sali Berisha, pasi ata që i shkojnë pas nuk e bëjnë këtë për punë gazetash e lirish.

Rrugëdalja? Shumë e thjeshtë. Ajo do të vijë ditën që numri i atyre që mendojnë me kokën e tyre, do të jetë më i madh sesa numri i atyre që nuk mendojnë, apo që mendojnë me kokën e shefit. Roli i secilit prej nesh është që të bëjmë të afrohet ajo ditë, që vetë pa punë e mund, nuk vjen as për 100 vjet.

PËRPARËSIA JONË

Zakoni e do që ta çudisim ne Evropën me marrëzitë tona, mirëpo me ç‘duket ende nuk e kemi humbur aftësinë që edhe ne ndonjëherë të çuditemi me bëmat e Evropës.

Një shqiptarkë kandidon për Partinë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar (!!!). E pabesueshme! Atje i zgjidhkan njerëzit jo sipas midesë së njërit apo të tjetrit, por me komision! Dhe kjo vajza ja paska dalë të hyjë në listë, duke shkuar nga një vend i huaj që, vërtet ëndërron të hyjë në Evropë, atje ku Britania as që do të hyjë, por ndërkohë nuk bën dot zgjedhje normale, nga ato që Britania ka 400 vjet që i bën.

Po mirë moj çupë, po pse me konkurs u zgjidhkan kandidatët për deputetë atje? Prandaj u shkojnë punët rrokopujë atyre. Pse nuk e bëjnë si këtu, që i vendos Kryetari i Partisë. Ç‘punë ka komisioni të vendosë për kandidatët? Se mos do bëhet komisioni Kryeministër. Kryetari do bëhet Kryeministër, ndaj ai duhet t‘i vendosë edhe kandidatët.

Mirë të tjerat, po këta englezët i ka lënë mëndja që zënë t‘i caktojnë kandidatët për deputetë që tre vjet para zgjedhjeve. S‘ua pret kaq mëndja që, po e caktove tjetrin para kaq kohe, njerëzit do të presin që ai të bëjë ndonjë punë që ta meritojë kandidimin, pa pos kësaj, po pati bërë edhe ndonjë paudhësi, në tre vjet do t‘i dalë patjetër. Ndërsa po u caktuan kandidatët si këtu te ne, 24 orët e fundit para mbylljes së afatit, askush nuk flet dot e as ankohet dot, askush nuk pret nga kandidati të ketë bërë ndonjë punë a vepër në jetë.

Po në konkurs, a nuk të pyetën se sa biznese ke, me paratë e të cilave do të duhej të përballoje fushatën tënde dhe mundësisht edhe atë të ca kandidatëve të tjerë më të varfër. Se po s‘pate biznese të cilat do t‘i mbrosh me mburojën e deputetit, për ç‘dreq arsye kërkon të bëhesh deputet?!

Po si munde ta kalosh konkursin, kur kishe 6 vjet që ishe anëtare e Partisë Konservatore. Këtu te ne, pikë plus për t‘u bërë deputet është kur nuk ke asnjë ditë në parti dhe mundësisht as të mos kesh idenë se nga e ka derën ajo.

Po mirë këtë punën e anëtarësisë e kapërceve, po faktin që ke gjithë ato vjet që kontribuon në dheun britanik si ta falën? Një tjetër meritë që rëndon goxha këtu te ne është që mundësisht të mos kesh kaluar asnjë ditë në Shqipëri dhe të fluturosh nga Uashingtoni, Londra a Brukseli, drejt e në karrigen e deputetit.

Po për bodigardët nuk të pyetën atje në konkursin englez? Sa roje e bodigardë ke, a janë trima e të vendosur, a e zotërojnë dajakun dhe kondakun? Si ja hodhe kësaj se, si mund të bëhesh deputet po nuk pate bodigardë që të të ruajnë votat apo që të trembin kundërshtarët! Këtu kësaj kërkese mund t‘i bëhet bisht vetëm po pati qenë vetë kandidati bodigard.

Po ja edhe këtë ta paskan falur, por faktin që ke ndërruar vetëm një parti në jetën tënde (ke qenë anëtare e një partie kur ishe në Shqipëri) si ta gëlltitën? Këtu në Shqipëri, ky është një nga rregullat më të forta për të bërë karrierë politike. Po nuk ndërrove të paktën dy, tre e ndonjëherë edhe katër parti, aha je i djegur. Kjo është jo vetëm rruga më e sigurt e karrierës, por njëkohësisht të ndihmon shumë për të fituar titullin "djalë i zoti".

Mbeta pa mënt kur kuptova se sa përpara botës qënkemi. Përparësia jonë qëndron në faktin se Anglisë ju deshën 400 vjet demokraci që t‘ia dalë të na çudisë, ndërsa neve na dalin e mjaftojnë 20 vjet pluralizëm, që ta çudisim botën përditë.


Midis rrugës së sjelljes së mirë, që të mos japë sebep për sherr dhe rrugës së të bërit sherr me të gjithë, aq sa njerëzisë të mos i bëjë më përshtypje asgjë, qeveria jonë ka zgjedhur udhën e dytë

Përparësia jonë qëndron në faktin që Anglisë ju deshën 400 vjet demokraci që t‘ia dalë të na çudisë, ndërsa neve na dalin e mjaftojnë 20 vjet pluralizëm, që ta çudisim botën përditë

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama