Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përzgjedhja

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 15 vite më parë

Artan Lame
Përzgjedhja

KUSH ËSHTË ÇILJETA JONË?

Ja edhe PD-ja e zgjodhi Këshillin Kombëtar. Megjithëse me një sfazim dyvjeçar, ajo vazhdon të imitojë ku me sukses e ku pa sukses, gjithë skemat e PS-së. Dikur PS-ja shpiku kongresin me ekrane të mëdha, kjo që në kohë të Nanos kur, ju kujtohet besoj, kumtonte "prapa më vjen historia". Rama e çoi në ekstrem këtë lloj show dhe tani i erdhi rradha Berishës që ta imitonte. Imitoi ai edhe skemën e këngës kur hyn kryetari në sallë, letrat me ngjyra që bien nga qielli kur hipën kryetari në tribunë (natyrisht me ndryshimin që janë blu e jo rozë). Imitoi Berisha edhe skemën e votimit në sallë që zgjatet e zgjatet me ditë të tëra, siç kishte imituar ndërkaq edhe futjen 30% femra, e plot skema të tjera organizative që, do thënë se janë sjellë në skenën shqiptare nga PS-ja, një pjesë që në kohë të Nanos e shumica tjetër në kohë të Ramës.

Me durimin e të padijshmit që don t‘ja hedhë të dijshmit, vazhdon prej vitesh Berisha të kopjojë gjithë atë strukturë të ndriçuar që i ka hapur udhën Ramës drejt zemrave të njerëzve. Koncerte, shfaqje publike, afrim me të rinjtë, fushata me ngjyra, internetra, slajte, ekrane, djem e vajza të rinj sa më të rinj në sistem, e lloj-lloj trukesh të tjera moderne. Truke që Perëndimi i ka shpikur për t‘i dhënë një fasadë më gazmore dhe tërheqëse grisë së zymtë të sistemit shtetëror, i cili përndryshe, ndër ta është funksional por jo tërheqës për masat. Ndërsa problemi ynë, është se pa i hyrë fare gajretit që ta ngremë këtë sistem, i cili ose nuk ekziston fare ose është tërësisht i kalbur e i shpartalluar, mjaftohemi t‘i ngremë vetëm një fasadë gjithë drita. Tani Berisha, me gjithë atë sfazimin dyvjeçar me të cilin kopjon, është bërë maestro i fasadës. Procedurat e kongresit, të zgjedhjeve të Këshillit dhe, sidomos pastaj përbërja e kësaj liste, treguan se çiraku po ja kalon ustait.

Në këtë moment, ndërsa rreshtoja anëtarët e Këshillit, më mbetën sytë tek një emër: Çilieta. Pyeta veten: Meqë ky na imiton neve në çdo gjë, kush i bie të jetë Çilieta jonë? Nuk kam asgjë me atë vajzë. As me zanatin e saj të deri para pak ditëve, të cilin ja respektoj, se me të ka nxjerrë bukën e gojës, siç unë e nxjerr me të shkrojtur. Mirëpo, pa mendoni sikur unë të rrjedh nga mëntë dhe të dal e të këndoj me kanatiere faqe botës, hipur në tribunë! Do bëhesha qesharak para atyre që do më shihnin dhe para jush që vetëm po më mendoni ashtu, sepse ky s‘është zanati im. Po atëhere, pse nuk u dashka thënë se edhe Çilieta bëhet qesharake kur zë të hyjë në një zanat që nuk është i saji? Kur zë në gojë atë, prapa saj qëndrojnë edhe shumë Çilieta e Çilietër të tjerë, të PD-së e të PS-së, të cilët u përfshinë pa pritur e papandyer në një punë që s‘është e tyrja.

Unë s‘jam politikan, po sidoqoftë u bëra kaq vite që merrem pak a shumë me punë politike. Zanati i politikës është ndoshta i vetmi që, as mësohet në shkollë, e as ta japin me dipllomë. Ti s‘mund të thuash: "Kam mbaruar shkollën e politikës, ja edhe diploma, ndaj hapni udhën se vetëm unë do bëhem politikan, deputet, anëtar asambleje, a këshilli kombëtar". Jo, për këtë zanat s‘funksionon kështu dhe, pikërisht se nuk është me dipllomë, bota që e shpiku si zanat, i ka gjetur edhe ilaçin. Ti që s‘ke mbaruar për politikë, por që do të merresh me të, do futesh pak e nga pak në çorbën e saj dhe janë njerëzit, qoftë ata të partisë tënde e, qoftë masa e madhe e popullit, që do të të vënë notën dhe kështu pak nga pak do bësh përpara në këtë zanat.

Mirëpo, sëmundja që i ka zënë kohët e fundit dy partitë e mëdha (se të tjerat as që i zë dot sëmundja, se janë thjesht parti xhepi), është se gjithnjë e më tepër po i largohen kësaj shkolle të sprovuar në qindra vjet dhe po zgjedhin udhën e të mbushurit të strukturave të larta me njerëz që pak ose aspak gjë i lidh me partinë që i zgjedh. Kjo gjë, për kryetarët ka të mirën se kështu rrethohen nga njerëz që, meqë rruga e vetme që i ka ngjitur lart kalon kryetari, natyrisht që do t‘i bëjnë fresk vetëm kryetarit. Nga ana tjetër, kjo mënyrë e të përfshirit të njerëzve, i shitet miletit me të njëjtën reklamë që na i shiti për 40 vjet Komandanti: "Partia ka kaq për qind shkencëtarë, kaq mjelëse, kaq shkrimtarë, kaq oficerë dhe kaq berberë dhe kështu rrini urtë, se të gjithë janë të përfaqësuar në parti, apo në parlament".

Epo ja, do më thoni, hynë Çilietërat në Këshill dhe aty do provohen. Po pra, do provohen, por mos harroni se do provohen mbi kurrizin tuaj, që do qeveriseni prej tyre (përsëris se nuk kam gjë me të, por e marr si kategori). Se nuk është gjë e vogël të jesh anëtar i Këshillit Kombëtar apo i Asamblesë Kombëtare. Se ja, tani që mora vesh përbërjen, duhet të përgatitem se mund të më bjerë rradha të jem në debat televiziv me Çiljetën. Ose e kundërta, ndonjë prej djemve me shkollë të PD-së, Gjergj Bojaxhiut për shembull, do t‘i bjerë të jetë në debat me Çiljetën tonë. Meqë ra llafi te Bojaxhiu, Gjergji kishte marrë në Këshill njëqind vota më pak se Çiljeta, shenjë e sigurt kjo që PD-ja është ende e imunizuar nga sëmundja e intelekticinës. Megjithatë, merret me mënt sa demoralizuese është për një njeri të letrave, që përpiqet të mësojë e të ngrejë veten për të bërë udhë përmes kontributit në rradhët e partisë së vet, kur sheh t‘ja kalojnë në garën drejt majave, përmes gishtit përzgjedhës të Kryetarit.

Ditën që kryetarët do dështojnë me këtë metodën e Çilietave, do ketë të paktën një të mirë të madhe. Do humbasim vërtet ca anëtarë asamblesh, këshillash e deputetë, por do kemi më shumë këngëtarë të mirë, më shumë lexuese lajmesh të mira, më shumë ndërtues që ndërtojnë pallate, më shumë aktore që do lozin filma, e sa e sa zanatçinj të tjerë, që sot politika - e paaftë të joshë ata që duhet - i ka futur atje ku bëhen qesharakë.

DY GJERMANET

Në numrin e fundit të revistës MAPO, kemi dorë edhe unë edhe Skënderi. Unë sjell raportin e hartuar nga gjermanët pas tërheqjes nga Shqipëria në vitin 1944 dhe dërguar Ministrisë së tyre të Jashtme, ndërsa Minxhozi sjell një intervistë të ambasadorit gjerman në Tiranë, z. Bernd Borchardt, për situatën politike në Shqipërinë e sotme. Janë dy gjermanë që flasin me diferencë kohe 65 vjet nga njëri-tjetri. Gjermanët kanë ndryshuar, se ky i sotmi nuk ka më helmetë në kokë, ndërsa Shqipëria është po ajo. Me të njëjtat probleme, me të njëjtat halle.

Megjithëse Skënderi përpiqet t‘ja nxjerrë llafet me çengel gjermanit të tij dhe ta bëjë të flasë troç, ambasadori djersin t‘i thojë gjërat në mënyrë diplomatike, butë butë, që demek të mos fyejë sedrën dhe dinjitetin e politikanëve shqiptarë. Si gjerman që është, i thotë mëndja se qëkurse kanë nur e namuz politikajtë gjermanë, duhet të kenë edhe këta tanët, që në fakt s‘kanë vojtur ndonjëherë nga të tilla salltanete.

Unë e kam më të lehtë, pasi gjermani im, ai i para 65 vjetëve dhe me helmetë në kokë, i bie drejt e drejt e pa stërhollime. I bie drejt për dy arësye. E para se po i drejtohet Ministrisë së vet dhe, e dyta se nuk ka hall se mos i mërziten shqiptarët kur ta lexojnë. Ndaj e përfundon kështu raportin: "Si përfundim, episodi i Shqipërisë duhet mbyllur me konstatimin që populli shqiptar do ende shumë kohë që të piqet për vetëqeverisje. Vetëm në qoftë se të paktën për një periudhë kohore, një fuqi e fortë dhe e drejtë e jashtme, do të drejtonte fatet e vendit pa interesa të vetat dhe do t‘i edukonte gradualisht banorët e vendit që të bëhen zotër të vetes dhe të shtetit të tyre të pavarur, mund të ruhet ky vend i bukur dhe me një të ardhme relativisht të pasur, nga shfarosja dhe zhdukja totale për shkak të konflikteve të pandërprera brenda vetes së tij".

Merreni dhe lexojeni këtë numër të MAPO-s, jo për t‘i rritur numrin e shitjes revistës, por për të parë hallin e njëjtë të dy gjermanëve të ndryshëm, në kohë të ndryshme, por përpara të njëjtit vend.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama