Për një pemë, për një njeri…

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 11 vite më parë

Edmond Tupja
Për një pemë, për një njeri…

Këto ditët e fundit, shumë zhurmë mediatike po bëhet edhe nga shoqatat ambientaliste lidhur me zgjerimin e Rrugës së Elbasanit: Varrezat e Dëshmorëve dhe hapësira e gjelbër e me dru të moçëm e Pallatit të Brigadave po cenohen nga zgjerimi i rrugës në fjalë, d.m.th. po kërcënohen me asfaltizim. Ky fakt më kujtoi – le të më falë lexuesi im i vëmendshëm e i paanshëm për këtë vetëcitim – se para tre vjetësh pata botuar, në këtë gazetë, një shkrim lidhur me prerjen e një peme të vjetër dhe me betonizimin e një hapësire të gjelbër në oborrin e Fakultetit të Histori-Filologjisë të UT-së, bash buzë Rrugës së Elbasanit.

Ndër të tjera, shkruaja se ky betonizim “ka zhdukur jo vetëm barin e gjelbër dhe shkurret dekorative, por edhe një pemë të mbjellë andej nga viti 1935, një eukalipt gjigant që nuk prishte fare punë…, një monument kulture ekologjike, meqë dëshmonte udhëtimin e tij të gjatë nga Australia, vendi i prejardhjes së tij të largët (eukalipti, ky dru inteligjent, i tregon diellit vetëm profilin e gjetheve të holla e të merme në mënyrë që të shmangë avullimin e tepërt të ujit në kohë thatësire). Njëkohësisht, i ndjeri eukalipt ishte një monument kulture historike për kryeqytetin shqiptar si i vetmi bashkëkohës i kazermave të Ali Rezasë, në vendndodhjen e të cilave shtrihet e ngrihet sot Fakulteti në fjalë”.

Asokohe, pra, para tre vjetësh, kambanës sime të alarmit për një pemë të vetme i bëri jehonë vetëm gazeta “Panorama”, ndërsa gazetat e tjera dhe tërë mediat elektronike heshtën. Helbete, nuk mund ta harxhonin frymën, pështymën dhe bojën për një pemë të vetme, e cila madje nuk ishte as me prejardhje shqiptare! Përpos kësaj, TVSH-ja, me gjithë përpjekjet e mia të dëshpëruara për ta sensibilizuar atë, bëri vetëm diçka që, herë pas here, e bën mirë e bukur: heshti madhërisht!

Sot, mediat, qofshin të shkruara apo elektronike, po merren seriozisht me prerjen e drurëve të moçëm e me zhdukjen e hapësirave të gjelbra buzë Rrugës së Elbasanit dhe shumë mirë bëjnë, madje po organizohen edhe protesta të shoqatave ambientaliste, të cilat kanë shumë të drejtë që e ngrenë zërin për të protestuar. Sidoqoftë, sikur mediat edhe ambientalistët ta kishin ngritur zërin e tyre të fuqishëm para tre vjetësh edhe për një pemë të vetme, si eukalipti i shkretë i oborrit të Fakultetit të Histori-Filologjisë, sot zëri do t’u kumbonte më fort dhe do të ishte shumë më mobilizues. Do të kumbonte më fort dhe do të ishte shumë më mobilizues, sepse edhe një pemë e vetme përfaqëson dhjetë, njëqind, një mijë pemë, ashtu si një njeri i vetëm përfaqëson dhjetë, njëqind, një mijë njerëz, madje mbarë njerëzimin. Mjerisht, kjo nuk ndodhi, sepse duhet të priten me dhjetëra pemë e të betonohen me dhjetëra hektarë hapësira të gjelbra, sepse duhet të vriten, të mbyten ose të zhduken me dhjetëra njerëz brenda ditës ose natës që mediat tona të shqetësohen e të buçasin pa ngurrim e me shumë të drejtë, sigurisht.

Në shkrimin tim të para tre vjetësh figurojnë pak a shumë edhe këto radhë: “Po i bie, pra, kësaj kambane për të dhënë kushtrimin, aq më tepër që pranë këtij Fakulteti të sapoprekur nga betonizimi ndodhet Pallati i Brigadave, rezidencë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ngaqë kam frikë se, herët a vonë, edhe kjo hapësirë e gjelbër do të preket nga betonizimi dhe, pas saj (por, me gjasë edhe para saj), e tërë zona rreth e përqark liqenit të Tiranës, madje edhe vetë ky liqen, që, me pretekste, skena e prapaskena të ndryshme, do të thahet i tëri pikërisht për t’u betonizuar”.

Protestës së organizuar nga ambientalistët për këtë çështje pashë t’i bashkëngjiteshin edhe analistë e opinionistë të njohur, por pashë gjithashtu edhe deputetë të Partisë Socialiste. Dhe, aty për aty, më lindi pyetja: Ku ishin këta deputetë socialistë kur, para se Lulzim Basha të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo pak personalitete të pavarura, por edhe deputetë demokratë, ngritën zërin për të denoncuar betonizimin e Tiranës nga Edi Rama? Pastaj, menjëherë, më lindi një tjetër pyetje: Ku janë sot të njëjtët deputetë demokratë për të denoncuar asfaltimin e hapësirave të gjelbra në të dyja anët e Rrugës së Elbasanit? Së fundi, më shkreptiu në mendje edhe një pyetje e tretë: Të pres apo të mos pres përgjigje për dy pyetjet e mësipërme?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama