Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Status quo ante

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 12 vite më parë

Albin Kurti
Status quo ante

Grupi Parlamentar i PDK-së nuk arriti që ta kthejë mbrapsht mocionin e Kuvendit të Kosovës që rezultoi nga interpelanca me zëvendëskryeministren Edita Tahiri të enjten që shkoi. Pika e parë e këtij mocioni i kushtëzon bisedimet e mëtutjeshme me Serbinë me zgjidhjen e fatit të të zhdukurve. Pa dyshim që nuk i pengonin qeverisë pikat e tjera të mocionit, siç janë kërkesat për aktivizim mekanizmash, rritje përgjegjësish dhe thirrja e mediave.  Ata kishin hall ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë meqenëse pa ato bisedime kjo qeveri bëhet e parëndësishme për faktorët ndërkombëtarë.

Aktualisht nuk po zhvillohen bisedime me Serbinë, por kurrë nuk i dihet, apo jo? Serbia mund të kërkojë çdo moment vazhdim të bisedimeve, ndërsa qeveria e Kosovës duhet të jetë e gatshme për to, ashtu siç i qëndroi gatitu Serbisë përgjatë gjithë viteve 2011 e 2012.

Të nesërmen e këtij mocioni, pra më 11 maj, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së kishte kërkuar që të ketë harmonizim të qëndrimeve dhe të bëhet një mocion tjetër nga ai i votuar. Sepse, sipas tij, deputetët e PDK-së nuk i paskan kuptuar aq sa duhet pikat për të cilat kanë votuar. Pas kësaj kërkese të Grupit Parlamentar të PDK-së, opozita e ka lëshuar sallën pasi që nuk janë pajtuar me propozimet e kreut të këtij Grupi. Pa opozitën nuk pati kuorum që të vazhdohet seanca dhe ajo u shty për datën 15 maj, kur PDK-ja hoqi dorë nga sjellja e ndonjë mocioni tjetër, i cili do ta shfuqizonte këtë të fundit.

Grupi Parlamentar i PDK-së me gjasë nuk ka qenë unik për këtë çështje. Duket që ka pasur deputetë aty që nuk kanë dashur që në mënyrë të verbër t’i binden qeverisë në tentativën e saj antinjerëzore dhe antikombëtare ndaj një çështjeje kaq të padrejtë dhe kaq të qartë sikurse që është ajo e të pagjeturve. Për Kuvendin, që parimisht i përfaqëson qytetarët, njëmend mund të thuhet që as për së afërmi nuk po e bën siç duhet dhe aq sa duhet këtë detyrë të tijën. Mirëpo, qeveria, e cila do të duhej të përfaqësojë një vizion me projekte konkrete për qytetarët, po e bën këtë gjë me kahje të kundërt.

Një mocion tjetër i drejtë u pat miratuar në Kuvendin e Kosovës edhe më 7 dhjetor 2011. Me 42 vota për, 33 kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në interpelancën me zëvendëskryeministren tjetër, Mimoza Kusari, mori vendim për masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar ndaj Serbisë. Edhe atëherë qeveria e Kosovës orvatej që të nesërmen ta kthente në rivotim këtë mocion, por pat hequr dorë njësoj sikurse më 15 maj 2012, duke iu falënderuar këmbëngulësisë së deputetëve. Mirëpo, në një tjetër datë, më 20 janar 2012, me 59 vota pro, 41 kundër dhe 1 abstenim, PDK-ja kaloi një kundërmocion që shfuqizonte mocionin e lartpërmendur të reciprocitetit. Vështirë të gjendet ndonjë shembull tjetër në botë dhe në histori ku kemi këso vendimi të një shteti kundër reciprocitetit me një shtet tjetër, i cili për më tepër është edhe shtet armik.

Kjo do të thotë që qeveria e Kosovës në të ardhmen do të mund të përpiqet që ta kalojë një kundërmocion të ngjashëm me atë të 20 janarit, në mënyrë që t’i vazhdojë bisedimet me Serbinë pa u zbardhur fati i rreth 1780 të pagjeturve. Këto bisedime i nevojiten Serbisë dhe qeverisë së Serbisë. Mirëpo, gjersa ato sigurisht se nuk i duhen Kosovës, kjo nuk mund të thuhet edhe për qeverinë e Kosovës, e cila varësinë e Serbisë nga Kosova për integrimet europiane e ka transformuar në varësi të qeverisë së Kosovës nga Serbia për t’u pranuar në takime në Bruksel! Para dy dekadave Ukshin Hoti thoshte që me Kosovën po manipulohet për qëllime që s’kanë të bëjnë fare me të. Duket që kjo gjë nuk vlen më pak sot sesa dje.

Koncesionet ndaj Serbisë mund ta kenë rritur dashamirësinë e Serbisë për qeveritarët kosovarë të drejtuar nga Kryeministri aktual, mirëpo ato vetëm sa e kanë rritur përçmimin dhe dhunën e Serbisë ndaj shqiptarëve. Shemsi Nuhiu, Hasan Abazi, Arben Murseli, Burim Talaku, dy policët kosovarë në Dumnicë dhe tetë shqiptarë të tjerë në Bujanoc u arrestuan ose rrëmbyen nga polica e Serbisë, kurse Selver Haradinaj në Veri të Mitrovicës u vra nga një sulm terrorist ndërsa gruaja e katër fëmijët e tij u plagosën ose lënduan. Të gjitha këto ndodhën vetëm në dy muajt e fundit, pra pas marrëveshjeve që qeveria e Kosovës i arriti me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës.

Se qëndrimi i qeverisë së Kosovës dhe i PDK-së më 20 janar nuk ishte vetëm formal, u dëshmua paraprakisht më 14 janar 2012, atëherë kur u ndërsye Policia e Kosovës kundër protestuesve paqësorë në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë me qëllim që t’i hapet rruga Serbisë. Në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të ballafaqohesh me Serbinë pa ta prerë rrugën qeveria e Kosovës. Kjo qeveri ia ka hapur rrugën si ekonomisë po ashtu edhe politikës së Serbisë. Me mocionin kundër reciprocitetit me Serbinë, me këtë orvatjen e fundit kundër kushtëzimit të bisedimeve me zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, me vendosjen e fusnotës në emrin e shtetit tonë, qeveria e Kosovës synon të na kthejë prapa, të na shpjerë në gjendjen paraprake, si një qeveri për status quo ante. Shpërfillja e skajshme ndaj të pagjeturve dhe përfillja edhe më e skajshme ndaj Serbisë, nuk janë ecje përpara, por kthim prapa.

Mocioni i 10 majit 2012 e konteston në thelb gjithë procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë në Bruksel, sepse ai vendos kushte për bisedimet që nisën pa kurrfarë kushtesh për Serbinë. Dialogu dhe marrëveshjet e qeverisë së Kosovës me Serbinë janë bërë përderisa Serbia vazhdon të jetë hegjemoniste dhe nacional-shoviniste. Bisedimet e këtilla pa u suprimuar ky karakter i shtetit të Serbisë s’janë të drejta dhe janë të dëmshme. Kushtet për Serbinë janë sulm mbi këtë karakter të shtetit të Serbisë dhe janë mbrojtje për Kosovën dhe popullin e saj.

Vetëm qëndrimet radikale të opozitës në Kuvend e kanë vënë në hall qeverinë e Kosovës në nismat, veprimet dhe planet e saj kundër Kosovës. Kurrsesi drekat e darkat e shtrenjta të kryetarëve të partive nëpër restorantet luksoze të kryeqytetit përmes së cilave opozitarët vetëm sa i kanë anashkaluar institucionet dhe i kanë forcuar qeveritarët. Opozita sigurisht që nuk i ka numrat në Kuvend, prandaj edhe është opozitë, mirëpo veçse në Kuvend ajo ka arritur që kohë pas kohe ta zmbrapsë qeverinë dhe t’u dalë në mbrojtje qytetarëve të Kosovës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama