Marrëveshjet legalizuese të KFOR-it

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 10 vite më parë

Albin Kurti
Marrëveshjet legalizuese të KFOR-it

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, njësoj sikurse para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, KFOR-i ka qenë gjithnjë i pranishëm në Veri të Kosovës dhe ka operuar atje. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka ndryshuar marrëdhënien ndërmjet KFOR-it dhe strukturave ilegale të Serbisë në Veri. Ata e kanë toleruar njëri-tjetrin dhe kanë pasur njëfarë marrëveshjeje të heshtur e të paformalizuar që të mos cenohen ndërmjet veti. Publikisht mund të jenë kundërshtuar me deklarata për media, mirëpo në terren kjo gjë nuk ka prodhuar armiqësi.

Tolerimi i strukturave ilegale të Serbisë ka qenë tolerim i armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve dhe tolerim i krimeve të kryera prej tyre përgjatë 12 viteve e gjysmë që prej përfundimit të luftës. Rasti më i rëndë ishte ai i natës ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, kur para syve të KFOR-it u vranë 11 shqiptarë, u plagosën e lënduan dhjetëra të tjerë, kurse në ditët në vijim u dëbuan 11 364 shqiptarë prej andej. Ndërkaq, rasti më i freskët janë barrikadat dhe barrierat e shumta fizike gjithandej nëpër rrugët në Veri të Kosovës, që nisën pas djegies së dytë të pikave kufitare 1 dhe 31 më 26 korrik 2011.

Pas aksionit të 25 korrikut, kur u morën pikat kufitare veriore nga Policia e Kosovës, qeveria urdhëroi sprapsjen dhe ajo u tërhoq nga Veriu i Kosovës dhe nga veprimet e mëtutjeshme atje. Më 3 gusht 2011, komandanti i atëhershëm i KFOR-it, Erhard Buhler, bëri një marrëveshje me kryenegociatorin e Serbisë, Borislav Stefanoviç dhe me të ashtuquajturin ministër të Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, lidhur me pikat kufitare 1 e 31 si dhe për bllokimet e rrugëve atje. Pas kësaj marrëveshjeje, KFOR-i bëri një pajtueshmëri me qeverinë e Kosovës në 10 pika.

Marrëveshja e KFOR-it me përfaqësuesit e Serbisë ishte vulosje e defaktorizimit të qeverisë së Kosovës në Veri, ndërsa pajtueshmëria që pasoi me KFOR-in ishte vulosje e dorëzimit të qeverisë së Kosovës, e dorëzimit të plotë të pushtetit të saj në Veri te KFOR-i.

Tash, së fundi KFOR-i e arriti një marrëveshje të re në Veri, kësaj radhe me strukturat ilegale të Serbisë atje, për ta hequr njërën prej barrierave fizike, barrikadën në Jagnjenicë në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok. Së pari, pas defaktorizimit dhe dorëzimit të qeverisë së Kosovës, marrëveshjet e KFOR-it në Veri nuk bëhen më as me përfaqësuesit e Serbisë nga Beogradi, por me kryetarët e komunave paralele në Veri.

Ata që ndodhen në atë territor po merren vesh për çështjet e atij territori. Së dyti, heqja e një barrikade në Veri është bërë për hir të qarkullimit të lirshëm të KFOR-it dhe s’u dedikohet shqiptarëve apo institucioneve të Kosovës. KFOR-i po merret vesh me strukturat ilegale të Serbisë për veten e tij dhe jo për Kosovën e qytetarët e saj. Dhe së treti, sërish u dëshmua që nuk bëhet fjalë thjesht vetëm për disa banda kriminale serbësh të çakorduara, por për struktura të organizuara e të dirigjuara armiqësore. Bandat kriminale nuk merren vesh dhe s’kanë qëllime e plane politike për dallim prej këtyre kryetarëve të komunave paralele të Serbisë në Veri që paguhen e dirigjohen prej Beogradit. Sipas së njëjtës mënyrë, pra përmes marrëveshjeve të strukturave të Serbisë në Veri me KFOR-in, janë paralajmëruar heqje edhe të barrikadave të tjera që e kanë bllokuar lëvizjen e lirë në veri të lumit Ibër për më shumë se katër muaj. Kësisoj, strukturat e Serbisë në Veri po legalizohen nga KFOR-i si instanca politike dhe institucionale, kurse, në anën tjetër, Beogradi po i eliminon disa nga vështirësitë e fitimit të statusit të vendit kandidat për BE.

Me marrëveshje, sovraniteti në Veri po ndahet midis KFOR-it dhe strukturave të Serbisë, ndërkohë që po lehtësohet ca edhe rrugëtimi i Serbisë në integrimet europiane. Barrikadat që më herët i ndanin fizikisht KFOR-in dhe serbët e instaluar prej strukturave të kontrolluara nga Beogradi, po zëvendësohen me post blloqe të përbashkëta të këtyre në po ato rrugë.

Çfarë po bën qeveria e Kosovës në krejt këtë situatë? Cilat janë qëndrimet e veprimet e saj? Përveçse vëzhgon nga Prishtina, qeveria e Kosovës është aktive vetëm në Bruksel, ku bisedon me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës. Duke ditur që ne s’fitojmë gjë nga këto bisedime, duke ditur që qytetarët e Kosovës po ashtu e dinë këtë gjë, ajo premton udhërrëfyes për liberalizimin e vizave. Pra, përderisa kjo qeveri merret vesh për kufijtë e Kosovës me Serbinë deri në mosnjohje të tyre, popullit të Kosovës i premton liberalizim të vizave, gjë që, në rastin më të mirë, mund të ndodhë pas dy viteve. Serbia po shkon si shtet drejt BE-së, ndërkaq qeveria e Kosovës po premton se ne do të mund të shkojmë si individë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama