Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A është një yll Lulzim Basha

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
A është një yll Lulzim Basha

Ndonëse prej ngjitjes së tij në postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës e deri më sot nuk ka shënuar ndonjë akt politik për t’u mbajtur mend, Lulzim Basha u cilësua nga ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, një yll në ngjitje në qiellin e politikës shqiptare. Kjo deklaratë e ambasadorit shkaktoi mjaft reagime. Opozita, me Edi Ramën në krye, shprehu menjëherë pakënaqësinë për një vlerësim të tillë ndaj një politikani që ata e quajnë përgjegjës për vrasjet e 21 janarit. Shumë të tjerë e interpretuan atë si një shenjë se SHBA po përpiqen të ndërtojnë figurën e një lideri që mund të shmangë Berishën dhe të garantojë një politikë më pak agresive e më shumë bashkëpunuese.  Vizita dhe takimet e tij në Uashington e ndezën edhe më tepër këtë teori. Këto interpretime, gati konspirative, morën nxitje edhe nga fakti se vlerësimi për Bashën u bë pikërisht në momentin kur ekspertiza e FBI-së ishte penalizuese për maxhorancën. Por çfarë kishte bërë Lulzim Basha që pikërisht ato ditë, kur opozita kërkonte imunitetin e tij, të cilësohej një yll në ngjitje nga kryediplomati amerikan?

Në fakt, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk kishte bërë asgjë të veçantë në planin politik. Që nga marrja e detyrës së re, ai ka ruajtur profilin e fushatës elektorale duke u shfaqur i qeshur në publik vetëm për të folur e komentuar punët e Bashkisë. Në përplasjen e egër Berisha-Rama, ai me kujdes ka zgjedhur të mos bëhet pjesë. Më shumë se figurën e një lideri politik, Basha ka shfaqur atë të një menaxheri korrekt që përpiqet të mbajë premtimet e fushatës. Ai ka evituar t’u përgjigjet akuzave të rënda të opozitës duke shmangur të qenit në syrin e ciklonit. Gjithnjë e më shumë, prej fushatës e në vijim, Lulzim Basha po i përshtat shtatit të tij të gjatë kostumin e një politikani të moderuar, të kujdesshëm, të arsyeshëm, të fokusuar larg sherreve të përditshme dhe afër qytetarëve. Në klimën e nxehtë politike në vend, të dominuar nga akuza dhe deklarata të ndërsjella për vrasës, hajdutë, kriminelë, varje, burgosje etj., ndoshta edhe vetëm një qasje e tillë mjafton për të bërë diferencën. Për ambasadorin Arvizu, Lulzim Basha edhe me kaq ka bërë mjaft për ta quajtur një yll në ngjitje. Ky përcaktim është produkt i një konteksti agresiv, të pazakontë dhe të ndërlikuar shqiptar, ku dukja apo sjellja normale shndërrohen në vlerë. Është modeli i normalitetit që ambasadori Arvizu sheh dhe përpiqet të ndërtojë te Basha si një tentativë për të pasur një politikë të re, të qetë, jokonfliktuale dhe moderne në kontrast me përplasjet tragjike që kanë pjellë rivalitetet armiqësore PD-PS. Edhe simbolikisht, ndërsa me Berishën dhe Ramën takohet në zyrat e tyre, me Lulzim Bashën zgjedh të pijë kafe apo të shohë sport në Bllok, si shenjë e modernitetit, çtensionimit, normalitetit. Një akt që kërkon të tregojë se politika duhet të jetë larg konflikteve dhe afër qytetarëve.

Ky model normaliteti, që herë pas here është shfaqur edhe te politikanë të tjerë, por pa mundur të bëhet mbizotërues, është kënduar gjithnjë si refren nga ndërkombëtarët, të cilët besojnë se edhe shumica e qytetarëve shqiptarë do ta dëshironin atë. Përpjekjet e tyre për të nxitur e mbështetur politikanë me prirje moderatore brenda dy kampeve politike kanë qenë të vazhdueshme për shumë vite. Madje nuk kanë munguar as tentativat për të krijuar ndonjë forcë të re politike që të mund ta nxirrte vendin nga konflikti permanent që jo vetëm mban peng vendin, por ka kushtuar edhe me jetë njerëzish. Këto përpjekje deri më sot nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret, por përsëri mbeten e vetmja mundësi për ta çliruar sadopak politikën nga dhuna dhe agresiviteti.

Lulzim Basha po mundohet ta vizatojë veten pikërisht si një politikan i moderuar dhe për këtë nuk po i mungon inkurajimi ndërkombëtar. Madje me vlerësime maksimale, si ai i ambasadorit Arvizu. Por, për të mos u regjistruar si një tjetër zhgënjim në të ardhmen, Basha nuk duhet të mbetet vetëm te kontrasti me Berishën apo me Ramën. Përvoja ka treguar se një gjë e tillë nuk të çon larg. Nëse tani atij i mjafton të mos bëjë asgjë e të ketë shkëlqimin e një ylli, për t’u ngjitur në qiellin e politikës duhet të japë shumë prova të tjera. Jo vetëm të qeshë përpara kamerave, të pijë kafe në Bllok e të shmangë gjuhën e ashpër, por të tregojë se nëse beson vërtet te ky model politikani, ka vullnetin e duhur për ta shndërruar atë në model politik edhe për vetë Partinë Demokratike.

Deri tani ngjitja e Bashës ka ecur në rrugën e shtruar nga lideri maksimal i PD, i cili njihet për një model krejt tjetër drejtimi. Vlerësimi i ambasadorit Arvizu, mbështetja e ndërkombëtarëve apo simpatitë e qytetarëve janë vetëm shenjat orientuese nga duhet të kalojë rruga e re e kryebashkiakut, ato nuk e përcaktojnë atë. Lulzim Basha mund të jetë një yll në ngjitje, por ai duhet të dëshmojë se është i aftë të ngrohë së pari PD, pa pasur nevojë për diellin e Berishës. Këtu fillon sfida e vërtetë për të.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama