Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Protestë apo provë force

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Protestë apo provë force

Shenja të qarta po paralajmërojnë se bllokimi i dy pikave kufitare me Serbinë, që “Vetëvendosje” ka marrë përsipër në emër të zbatimit të mocionit të Kuvendit për reciprocitet, mund të degjenerojë në një përplasje të pakontrolluar mes protestuesve dhe forcave policore. Tensioni që lexohej qartë dje në fytyrën e Kryeministrit Thaçi dhe ethet që kanë përfshirë drejtuesit e Vetëvendosjes në organizimin e këtij aksioni, po e shndërrojnë 14 janarin në një sfidë force jo më me mallrat serbe, por mes qeverisë dhe opozitës së Vetëvendosjes Lëvizja e Albin Kurtit duket tepër e mobilizuar për të arritur një sukses të dukshëm të shtunën e ardhshme. Aksioni i bllokimit të mjeteve apo dhe njerëzve që do të provojnë të hyjnë nga pikat e Merdares dhe Dheut të Bardhë, është më i madhi i organizuar prej Vetëvendosjes, të paktën që kur kjo forcë u bë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Suksesi i këtij aksioni, që në radhë të parë do të matej me pjesëmarrjen e qytetarëve në të, në një farë mënyre do të ishte një test vendimtar për mbështetjen dhe besueshmërinë politike që kjo lëvizje gëzon realisht. Nisur nga një përkrahje e diskutueshme që Vetëvendosje ka pasur si në pjesëmarrje, ashtu edhe në opinion në disa aksione të fundit të saj, veprimi i 14 janarit duket vendimtar në raport me autoritetin e saj politik e publik. Për këtë arsye, pas shumë takimeve e organizimeve në Kosovë, Albin Kurti dhe drejtuesit e tjerë kryesorë të Vetëvendosjes zbritën dje edhe në Tiranë për të kërkuar edhe aty mbështetje për aksionin e tyre. Përmasa që lëvizja e Kurtit po kërkon t’i japë protestës së të shtunës nuk është thjesht ajo e vendosjes së reciprocitetit apo zbatimit të një mocioni të Kuvendit, por e një pakënaqësie e revolte popullore, gati kombëtare, kundër qeverisë së Hashim Thaçit. Ky është një bast i fortë për Vetëvendosjen dhe prandaj drejtuesit e saj po luajnë gjithçka për ta fituar atë.

Por, nëse për Vetëvendosjen ky aksion ka një rëndësi të tillë politike, qeveria nuk ka arsye që gjithashtu ta shndërrojë 14 janarin në një provë force. Gjuha e rëndë dhe mimika e nderë e Kryeministrit Thaçi dje në mbledhjen e qeverisë përcjell pikërisht efektin që kërkon t’i japë lëvizja “Vetëvendosje” aksionit të saj, se ai nuk drejtohet vetëm ndaj mallrave serbe, por është edhe revoltë antiqeveritare.

Deklaratat se Vetëvendosje po përpiqet ta marrë pushtetin me dhunë, krahasimet me 21 janarin në Tiranë apo thirrja për t’u matur në zgjedhje dhe jo në rrugë, e paraqesin protestën e së shtunës si një konflikt politik mes shumicës qeverisëse dhe opozitës së Vetëvendosjes. Kryeministri mund ta shmangte një retorikë të tillë të panevojshme që një protestë e kthen detyrimisht në sfidë politike, ashtu siç po e kërkon edhe Vetëvendosja, kur në të mund të marrin pjesë edhe individë që nuk janë të interesuar për politikë, por për prodhimet e tyre, siç janë bujqit e Kosovës.

Nga ana tjetër, epitetet e ashpra si vetëfundosje, faqezi, krahasimet me Veselinoviçin, barrikadat serbe në Veri apo përmendja e uniformave të UÇK-së, e radikalizojnë më tej situatën, i ndajnë më shumë kampet dhe provokojnë një klimë armiqësore mes palëve. Kryeministri mund të mos e përmendte fare në mbledhjen e qeverisë përpara kamerave aksionin e paralajmëruar të Vetëvendosjes, ose mund ta kalonte atë si një akt nga i cili shumica e tij distancohej dhe, nga ana tjetër, pa pasur nevojë për spektakël, të merrte masat e duhura që më 14 janar të evitohet çdo incident i dhunshëm apo konfrontim mes protestuesve dhe forcave të rendit. Kjo është përgjegjësia e qeverisë më 14 janar, dhe jo deklaratat politike.

Nëse për Vetëvendosjen me rëndësi është pjesëmarrja dhe efikasiteti i protestës, qeveria ka për detyrë ta menaxhojë atë si duhet dhe të shmangë çdo akt të dhunës. Gjuha e Kryeministrit paralajmëron më shumë reagim të ashpër të policisë, sesa qetësi dhe siguri. Duke ruajtur tone të ulëta dhe duke marrë masa efikase për të mos lejuar degjenerimin e protestës, qeveria do të çtensiononte situatën dhe, pse jo, ta përdorte atë në favor të saj në raport me Brukselin, duke mos lëshuar rrugë në negociatat e vështira me Serbinë. Një sjellje e tillë mund të justifikonte edhe ndonjë incident të mundshëm si rastësi, dhe jo si orientim politik i qeverisë për forcat e rendit.

Pas deklaratave të rënda në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Thaçi do të duhet të jetë shumë i kujdesshëm në menaxhimin e situatës më 14 janar, duke shmangur në maksimum përdorimin e dhunës. Çdo akt i kundërt mund të konsiderohet i paramenduar dhe të rëndojë direkt mbi qeverinë. Profesionalizmi, qetësia, toleranca edhe përballë ndonjë provokimi të mundshëm, nuk do të përktheheshin si dobësi, por si aftësi e qeverisë për t’u përballur me realitete të vështira. Nga reagimi i qeverisë në raste të tilla nuk varet suksesi politik i një lëvizjeje apo partie të caktuar. As nuk është në diskutim autoriteti i njërit apo tjetrit lider. Mbi të gjitha, është siguria për jetën e qytetarëve dhe stabilitetin e vendit. Kjo është përgjegjësia e qeverisë dhe kjo nis me shmangien e çdo tejkalimi të përdorimit të dhunës shtetërore. 14 janari nuk ka përse të shndërrohet në një konflikt politik nga ato që në Shqipëri kanë prodhuar pasoja të pariparueshme.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama