Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Realiteti i ri Tiranë-Prishtinë

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Realiteti i ri Tiranë-Prishtinë

Tre vjet pas shpalljes së pa varësisë së Kosovës, ata që kanë besuar se flamuri shtetëror do të arrinte më në fund të ngulej në mendjen dhe zemrat e kosovarëve, do të kenë përjetuar një zhgënjim të rëndë. Të hënën, më 28 Nëntor, në një atmosferë ndoshta si në asnjë vit tjetër, Kosova ka festuar pavarësinë e Shqipërisë. Madje, prej pamjeve televizive të transmetuara nga festimet në të dyja vendet, nuk kishte ndonjë gjurmë të dukshme që të linte të kuptohej se bëhej fjalë për dy shtete të ndryshme. Prishtina u zgjua në mëngjes me një flamur të madh kuqezi në hyrje të saj, që kishte zëvendësuar në orët e vona të natës atë shtetëror. “Vetëvendosje” po ashtu shpalosi një tjetër flamur të madh mbi godinën e Kuvendit, ndërsa nëpër rrugë nuk gjeje asnjë gjurmë të kaltër.

Ndryshe nga një vit më parë, edhe qeveria e Kosovës, e kompleksuar me sa duket edhe nga aksionet e pritshme të Vetëvendosjes, nxitoi ta shpallte pa shumë zhurmë festë zyrtare 28 Nëntorin tri ditë përpara ngjarjes së shënuar. Dita e Pavarësisë së Shqipërisë jo vetëm që u shënua si festë zyrtare e Kosovës, por zyrtarët më të lartë të vendit, prej Presidentes së Republikës, kryetarit të Kuvendit, ministrave të qeverisë dhe liderëve të opozitës, madje dhe kryetari i PS të Shqipërisë, u shfaqën në ekranet e televizioneve në shumë aktivitete përkujtimore e nderime për 28 Nëntorin. Kjo ishte pjesa zyrtare e kësaj ngjarjeje që, de facto, por gati edhe de jure, në sfondin e vetëm të një flamuri, prodhoi mbase për herë të parë imazhin më të fortë të një shteti të vetëm. Në anën tjetër, mijëra e mijëra qytetarë, shumica të rinj, këtij imazhi i dhanë formën e një realiteti të prekshëm, aq sa të hënën, rrugët e baret e Prishtinës të bëheshin sikur ato të Tiranës. Rreth tre mijë njerëz kaluan Morinën më datë 28 Nëntor për të festuar në Prishtinë. Në sheshe, lokale, rrugë e kafene kishte vetëm dy ngjyra dhe një përjetim: festohej në një shtet të vetëm.

Ky përjetim i një ditë-nate nuk lidhet vetëm me një festë të caktuar, qoftë ajo e përmasave të mëdha kombëtare si 28 Nëntorit. Ajo lidhet me një realitet të ri që po ngjizet çdo ditë, në një hapësirë diku në mes polemikave tradicionale Tiranë-Prishtinë mbi identitetin shqiptar apo atë kosovar, përtej debateve pro apo kundër bashkimit. Kjo hapësirë e re, që sa vjen e po zgjerohet, është ajo që po e krijojnë vetë njerëzit në të dyja anët, duke iu përgjigjur nevojave të tyre të jetesës së përditshme, dhe jo emocioneve historike. Është nevoja për më shumë informacion, argëtim apo edukim që bashkon Ipkon me DigitAlbin, duke krijuar një realitet të përbashkët mediatik. Është Klan Kosova që brenda tri viteve, me moton e saj “Jemi një”, po përcjell këtë realitet të ri. Është nevoja për dije, lexim, kulturë e krijimtari që sjell librat e Tiranës në Prishtinë, që lëviz studentë e pedagogë në të dyja anët, që çon muzikën dominuese kosovare në të gjitha evenimentet në Shqipëri, që bashkon artistë, piktorë, regjisorë, aktorë në dhjetëra programe e festivale të dyanshme.

Kjo hapësirë e përbashkët, e lehtësuar së tepërmi me rrugën e re, po zhvillohet pavarësisht diskutimeve për festat zyrtare, identitetet, ndryshimin e kufijve e njohjen e njëri-tjetrit. Ndryshimi po ndodh gjithsesi dhe ne jemi dëshmitarë të kësaj lëvizjeje që sa vjen dhe rritet. Shqiptarët në të dyja anët po e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe po i rrëzojnë paragjykimet, lëvizjet e ndërsjella janë shtuar me ritme të pabesueshme, Dhërmiu po bëhet qendër e të rinjve nga Kosova, ndërsa rrugët e Prizrenit e Prishtinës po popullohen fundjavave nga makinat me targa të Tiranës. Po bëhet më shumë biznes, po qarkullojnë më shumë mallra dhe po duken elementët e parë të një tregu që do të vijë duke u rritur.

Një jetë e re, e panjohur më parë, e lindur jo thjesht prej dëshirës së njohjes se sa prej domosdoshmërisë së një komunikimi të përbashkët, po sfidon ngadalësinë e proceseve politike, zvarritjen e lehtësirave ekonomike dhe paaftësinë e qeverive në të dyja anët për t’iu përgjigjur këtij realiteti të ri. Ajo po i paraprin gjendjes politike dhe shumë shpejt do ta detyrojë atë të veprojë për të ofruar zgjidhje të reja për etapën e re historike ku po hyjnë shqiptarët. Suksesi i Vetëvendosjes në zgjedhjet e kaluara (partia e dytë në Prishtinë pas LDK) është një shenjë se lëvizja sociale që po ndodh në të dyja anët po kërkon të gjejë edhe një shtrat ku të orientohet siç duhet. Tre mijë qytetarë të Shqipërisë që erdhën për të festuar në Prishtinë janë, pa dyshim, pjesë e kësaj hapësire të re mes dy vendeve, që sa vjen e po zgjerohet.

Ata u bënë lajm në një ditë të veçantë si 28 Nëntori, ku vëmendja e kamerave dhe opinionit ishte përqendruar mbi festimet në Prishtinë. Por ata, ashtu si mijëra qytetarë të Kosovës që udhëtojnë çdo fundjavë drejt Durrësit dhe Tiranës, janë çdo ditë një lajm i mirë që po i imponohet politikës së mbetur prapa. Festimet zyrtare më 28 Nëntor në Prishtinë vetëm me dy ngjyra ishin, pa dyshim, edhe pasojë e imponimit të këtij realiteti të ri, për përfaqësimin e të cilit nuk mjafton një ditë e vetme, por do të duhej një platformë e tërë dhe një program i ri për t’i paraprirë së ardhmes.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama