Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një vend për Bamir Topin

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Një vend për Bamir Topin

Ajo që po ndodh dhe pritet të ndodhë me fatin politik të Presidentit shqiptar, Bamir Topi, është përshkrimi më i mirë që mund t’i bëhet krizës morale politike në Shqipëri dhe ngecjes së vendit në një gjendje mpirjeje, pothuajse  pa asnjë shpresë për një ndryshim cilësor. Presidenti Topi bëri lajm kur në studion e Sokol Ballës deklaroi qartë se pas përfundimit të mandatit do t’i rikthehet politikës aktive, duke lënë të kuptohet se projekti i tij ishte i nevojshëm për shqiptarët, se ndryshonte nga kultura e konfliktit që po mban peng progresin e vendit dhe se do të përfaqësonte vlerat…  e vërteta të së djathtës. Këto nuk u thanë të gjitha kështu nga Topi, por ishin rrjedhojë logjike e deklaratave të tij. Pas kësaj, shtypi dhe opinionbërësit në Tiranë nisën të flasin më shpesh për projektin “Topi”. Vizitat e tij zyrtare shiheshin nën dritën e një alternative të re, ndërsa raportimet për takimet jozyrtare tregonin për një grup mbështetësish që po mblidheshin gjithnjë e më shumë rreth Presidentit të sotëm dhe liderit partiak të nesërm. U fol për nevojën e shpëtimit të së djathtës, mundësinë për të dobësuar Berishën, për të ekuilibruar pushtetet në Shqipëri etj. Me pak fjalë, projekti politik i Bamir Topit e kishte ngritur mjaft lart pritshmërinë e publikut.

Pa kaluar shumë kohë, vetë Bamir Topi, këtë herë në studion e Ilva Tares dhe më pas në një takim me qytetarë në Durrës, prodhoi një tjetër lajm. Nëse do të ndryshonte Kushtetuta dhe Presidenti do të zgjidhej nga populli, ai do të hynte në garë i sigurt për fitoren. Po me partinë e re, me grupimin e njerëzve rreth idesë së saj, me alternativën e të djathtës së vërtetë, çfarë do të ndodhte? Në mënyrë të pafajshme Bamir Topi e shfaq qartë shqetësimin e tij, që në këtë rast nuk është ngjizja e një projekti serioz politik, por gjetja e një posti apo një vendi për të në politikën e lartë shqiptare. Nëse Topi nuk do të jetë President, ai do të krijojë parti; nëse ka mundësi për t’u rizgjedhur, do të mbetet përsëri President. Me naivitet të plotë, numri një i shtetit përçon mesazhin se nuk duhet të jetë ai si lider në funksion të qytetarëve, por këta të fundit në funksion të karrierës së tij.

Sinqeriteti fëminor i Topit, që mendon të ketë alternativë për vete dhe jo t’u japë votuesve një alternativë të re, shpjegon ndoshta stanjacionin politik e shoqëror në Shqipëri. Askush nuk po ofron një projekt atraktiv, askush nuk po i motivon njerëzit me ide dhe kauza të reja, nuk ka entuziazëm, frymë ndryshimi dhe vizion për një shoqëri më të mirë. Nuk po lind asgjë e re për të bërë thyerjen në një shoqëri të bllokuar në dilemën e përzishme: me apo kundër Berishës, me apo kundër opozitës? Bamir Topi është vetëm një sekuencë në filmin bardhezi të Shqipërisë postkomuniste. Ai veç sa e shfaqi hapur motivin e vetëm që vë në lëvizje politikanët shqiptarë, të qenit pjesë e lojës për pushtet, të përfitimit, dhe jo të shërbimit ndaj qytetarëve. Partitë e vjetra dhe partitë e reja, liderët historikë dhe të rinjtë që nisin karrierën, janë të gjithë të njëjtë në këtë pikë. Gati hapur fare, duke e kthyer politikën e pamoralshme në një moral të pranueshëm edhe për shoqërinë, ata po e tregojnë këtë në kapërcimet e paskrupullta të qëndrimeve të tyre, në koalicionet e panatyrshme, në shantazhet për përfitime, në konfliktet gati personale dhe në shndërrimin e pacipë të votës së qytetarëve në licencë private për abuzim. Bamir Topi nuk është një jashtëtokësor që ra në tokën shqiptare.

Ai është një shembull më shumë që i shtohet vargut të zhgënjimeve nga pritjet për ndryshim. E njëjta pati ndodhur me lëvizjen “Mjaft”, pavarësisht moshës së re, që nuk arriti të mbledhë as 99 vota dhe këmbeu mijëra përkrahës me 9 vendstrehime në Partinë Socialiste. A ka më keq për një shoqëri që pret të mbijë fara e ndryshimit? Rasti “Topi” është në logjikën e politikës në shërbim të vetes, dhe jo të atyre që të votojnë. Kështu sillet edhe Kryeministri Berisha, që shqetësim kryesor ka mbajtjen e pushtetit, eliminimin e kundërshtarëve, dhe jo realizimin e premtimeve me të cilat mori votat e qytetarëve. Nuk po prodhon ide dhe kauza të reja sepse angazhimi për të menaxhuar interesat e ngushta dhe kalkulimet e vogla po i marrin pjesën më të madhe të kohës. Si mund të presësh që nga Bamir Topi të lindë një projekt serioz politik, kur edhe opozita gjithë betejën e saj e ka lidhur me fatin politik e personal të një njeriu, dhe jo me atë të qindra mijërave që e votojnë? Edi Rama e paralizoi për mbi dy vjet vendin me greva, bllokime e bojkote për t’i shërbyer karrierës personale në krye të Partisë Socialiste e tani vazhdon të bëjë pirueta duke e imponuar shtirjen e tij si kauzë të re të opozitës.

Kjo situatë, ku nuk gjenerohet frymë dhe ide të reja, ku alternativat që ngjizen abortohen që në muajt e parë, ka bërë që votimi në Shqipëri ta humbasë kuptimin e një zgjedhjeje. Nuk votohet më për një projekt më të mirë, por kundër njërës apo tjetrës palë, nuk votohet për të ndryshuar cilësinë e jetës, por për të ndërruar ngjyrën e etiketës. Kjo bën që njerëzit të ndahen thjesht më dysh dhe diferencën ta bëjë më i forti. Kriza e moralit politik ka futur në krizë gjithë shoqërinë, duke zbehur në maksimum shpresën se këtu mund të mbijë fara e një ndryshimi të madh. E në këtë terren, Bamir Topi nuk po bën asgjë më shumë, thjesht po kërkon një vend për vete.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama