Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tirana, si peng i Edi Ramës

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 14 vite më parë

Armand Shkullaku
Tirana, si peng i Edi Ramës

Në një kohë shumë të shkurtër, fushata elektorale për Bashkinë e Tiranës po vërteton se Edi Rama, kreu i opozitës shqiptare, nuk është në gjendje të prodhojë asnjë vizion apo alternativë moderne për të bërë diferencën me kundërshtarët e tij. Rama, si fenomen politik, u ngrit falë antiberishizmit (u bë emblematik me mospërmendjen e emrit të kryetarit të PD-së për vite me radhë), mori famë falë “bllokut” të fasadave të Ilir Metës, u përpoq të prodhonte me fekondim artificial një politikë të re dhe në fund u rikthye aty ku e nisi, përsëri tek antiberishizmi.

Kjo është alternativa e vetme që Edi Rama ofron sot, e vetmja vlerë për të cilën ai kërkon të votohet për të katërtin mandat rresht në krye të Bashkisë së Tiranës. Ai kërkon të lidhë pas fatit të tij fatin e rreth 1 milion banorëve të kryeqytetit, duke iu premtuar se pas kësaj do të jetë në gjendje të largojë Berishën. Por a ka të drejtë Rama të marrë peng një kryeqytet për t’u bërë vetë kryeministër dhe a është arsye largimi i Sali Berishës nga pushteti për ta zgjedhur atë përsëri në krye të Bashkisë?

Edi Rama është kryetar i Bashkisë dhe Partisë Socialiste, por jo pronar i Tiranës, pavarësisht numrit të madh të votave që ka marrë për drejtimin e qytetit. Ai është në të drejtën e tij për të synuar postin e Kryeministrit, por për këtë nuk mund të keqpërdorë të drejtën e qytetarëve për të jetuar më mirë në Tiranë. Rama, si kandidat për kryetar të Bashkisë, duhet, në radhë të parë, të bëjë bilancin e mandatit të kaluar dhe të tregojë ofertën e tij për katër vitet e ardhshme. Largimi ose jo i Berishës duhet të bëjë pjesë në axhendën e tij si kryetar i opozitës.

Sigurisht që ai e di se këto dy gjëra nuk duhet të konfondohen, por e bën me qëllim sepse se si kryetar i Bashkisë, ka të paktën pesë vjet që e ka braktisur qeverisjen e kryeqytetit dhe si kryetar i opozitës nuk arriti asnjë prej objektivave të shpallur, as kutitë, as tryezën, as zgjedhjet e parakohshme. Tani gjendet në situatën që nuk mund të heqë dorë prej asnjërës prej tyre. I duhet edhe Bashkia, por i duhet të motivojë edhe të vetët që nën drejtimin e tij po përjetojnë vetëm zhgënjime. Dhe për këtë, e vetmja mundësi i mbetet Saliu.

Pakkush besonte pas 21 janarit se Edi Rama projektonte të rikandidonte për Bashkinë e Tiranës. Ai vetë e luajti me mjeshtëri rolin e të pavendosurit, duke hedhur në treg emrat e lloj-lloj figurinave në Partinë Socialiste e në të njëjtën kohë duke radikalizuar në ekstrem betejën politike me kundërshtarin. Asokohe, mijëra socialistë që mbushnin rrugët e kërkonin zgjedhje të parakohshme apo zgjidhje të re politike, as që e çonin ndërmend se lideri i tyre do të hynte në zgjedhjet lokale e për më tepër do të rikandidonte edhe vetë. Por Rama e bëri. Ai nuk e lë dot Bashkinë, të vetmen fuqi reale që ka (nuk e la as në 2009-n) dhe, për të shmangur zhgënjimin e socialistëve, tha se po e bën këtë për faj të Saliut. Se ai nuk do ta bënte, por ja që duhet të luftohet një e keqe më e madhe dhe këtë nuk ka kush ta bëjë pos atij.

Se duke fituar Tiranën ai do të sjellë socialistët në pushtet. Kryetari i PS-së mund të kishte ndjekur edhe një rrugë më të ndershme, jo se është në natyrën e tij, por në interes të tij, që pas ngjarjes tragjike të 21 janarit të kishte dhënë dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë dhe t’u premtonte socialistëve se ai, pas krizës që ndodhi, do të kishte vetëm një qëllim: largimin e Berishës dhe fitoren e socialistëve në zgjedhje. Kjo do të kishte rritur kredon e tij morale si lider, por Rama nuk është nga ai soj politikanësh. Ai është mësuar të hajë me dy lugë dhe prandaj jo vetëm nuk dha dorëheqjen nga Bashkia, por e shfrytëzoi radikalizimin e 21 janarit për ta risynuar atë. Situatën e tensionuar ai po e kanalizon në qëllimin e tij të parë personal, sigurimin e strehës dhe karriges së ngrohtë të Bashkisë.

Sado të përpiqet Edi Rama ta politizojë garën lokale, ajo në thelb nuk është sfida kryesore e Partisë Socialiste, që po mbush gjashtë vjet në opozitë dhe të ardhmen e ka në dyshim. Sepse në gjithë këtë betejë të Ramës, nëse ai e fiton Bashkinë, kjo nuk do të thotë se dhe PS-ja e ka të sigurt fitoren e pushtetit. Për më tepër që Rama asnjëherë nuk do të guxonte t’i jepte përgjigje pyetjes se çfarë ndodh me opozitën nëse ai i humb zgjedhjet?

I ndodhur në këtë udhëkryq, sigurisht që kreut të PS-së nuk i mbetet rrugë tjetër veç marrjes peng të qytetit për të fituar betejën e 8 majit. Pa përsëritur çfarë është thënë për keqmenaxhimin e qytetit, në Tiranën e Ramës III jetohet më keq se më parë dhe Rama IV nuk ka çfarë të ofrojë më për qytetarët e Tiranës. Prandaj kjo betejë na ktheu një dekadë e ca mbrapa, kur ylli i Ramës shkëlqente ndërsa i kundërvihej Doktor Rrumpallës. Tani, prapë duhet të merremi me Doktorin dhe jo me Piktorin që e ka lënë kryeqytetin në ditë të hallit.

A do të mjaftojë përsëri Berisha si argument për ta mbajtur Ramën në pushtet? Normalisht nuk duhet të ishte fare argument Berisha, por qeverisja e kryeqytetit. Të shumtë janë ata që mendojnë se këtë herë pushteti i Berishës ka abuzuar aq shumë sa pavarësisht se kush është Rama, pushteti qendror duhet ndërruar, se rotacioni mbetet e vetmja zgjidhje dhe se në zgjedhjet e 8 majit duhet votuar Rama që t’i hapet rrugë këtij ndërrimi. Dakord, qeveria e Berishës, sidomos pas vitit 2008, ka plot mëkate dhe, pse jo, duhet ndëshkuar me votën e qytetarëve.

Po qeverisja lokale e Edi Ramës, që ka plot 11 vjet në pushtet, a duhet ndëshkuar me votë, a duhet ndërruar uji i ndenjur i Bashkisë që prej kohësh bie erë? Fatkeqësisht kemi dy modele të njëjta qeverisje dhe asnjëri nuk ka të drejtën morale që të mbetet në pushtet në emër të luftës ndaj tjetrit, por vetëm të ndryshimit dhe të garancive solide se do të qeverisë më mirë. Më 8 maj nuk ka pse votohet as për Saliun e as për Edin, por për Tiranën.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama