Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nishani i Sali Berishës

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Armand Shkullaku
Nishani i Sali Berishës

Sali Berisha dëshmoi edhe një herë të hënën e kaluar atë që di të bëjë më mirë: të arrijë objektivat e veta politike dhe të habisë ata që ndjekin lëvizjet e tij. Në fund të procesit presidencial, Shqipëria ka për kryetar të shtetit një ish-ministër dhe ish-anëtar Kryesie të Partisë Demokratike. Loja presidenciale, e cila u duk mjaft e hapur dy javë më parë, u mbyll aty ku Berisha e pati paralajmëruar kohë më parë. Ajo zgjati aq sa për të krijuar përshtypjen apo dhe bindjen se vullneti politik i maxhorancës për një President konsensual ekzistonte, se po bëheshin përpjekje, por muri i opozitës ishte i pakalueshëm. Këtë mur Berisha e përdori për të përplasur topin presidencial e për ta kthyer atë përsëri në fushën e vet.

Një pjesë e mirë e opinionit, por edhe vetë opozita, menduan se për shkak të presionit të LSI, sugjerimeve të ndërkombëtarëve dhe raporteve brenda PD, Kryeministri u detyrua të heqë dorë nga një President prej radhëve të tij. Përcaktimi për një kandidaturë si Xhezair Zaganjori, i paimplikuar me asnjërën palë, e shtoi bindjen se Berisha nuk kishte mundësi tjetër veç hapjes së procesit presidencial përtej sinoreve të veta politike.

Madje entuziastët shkuan më tej kur i kërkuan edhe një tjetër “lëshim”, sakrifikimin e Zaganjorit për hatër të Ramës, që edhe ky i fundit të kishte një zë në kapitullin presidencial. Dorëheqja e Zaganjorit pas raundit të tretë u pa si një shans i mirë për të gjetur një President me bekimin e të dyja palëve. Kështu u mendua deri vonë, madje edhe kur takimi pozitë-opozitë u caktua në kohën limit për kandidimin e një emri tjetër dhe Edi Rama, që i kishte thënë jo Zaganjorit, nuk mund të pranonte Artan Hoxhën, që u zyrtarizua me 40 nënshkrime si kandidati i maxhorancës në raundin e parafundit. Dorëheqja e papritur e Hoxhës, pas asaj të Zaganjorit, ishte vërtet aq e papritur, sa shpjegonte pritshmërinë e asaj që ndodhi më pas.

Në kufirin mes dy raundeve të fundit, kur rreziku i zgjedhjeve të parakohshme u shfaq konkretisht dhe kur askush nuk mendoi më për të kërkuar konsensusin e opozitës së cilës “i kishin dalë borxhit”, maxhoranca nxori në skenë pikërisht një drejtues të lartë të Partisë Demokratike. Bujar Nishani u zgjodh President i Republikës.

Ato që deri dje ngjanin rastësi, sot mund të gjejnë një hamendësim afër së vërtetës. Rama nuk u njoftua përpara se të bëhej publik emri i Zaganjorit pikërisht për ta kundërshtuar atë, vajtja në selinë e PS ishte një lëvizje për t’ia lënë opozitës përgjegjësinë e një tërheqjeje të mundshme të kandidatit dhe, në fund, problemi i një dosjeje të së kaluarës (pavarësisht së vërtetës për të) që u bë shkak për tërheqjen e Artan Hoxhës, nuk ka qenë një problem i panjohur për Kryeministrin për ta zënë atë të papërgatitur. Një zinxhir i tillë i ngjarjeve ngjan tepër i sofistikuar për të qenë i vërtetë, por dhe tepër i pamundur për të qenë thjesht rastësi. Një politikani të vjetër si Sali Berisha vështirë t’i dalin ngjarje apo individë nga kontrolli, ndaj dy tërheqjet e mësipërme tingëllojnë më shumë si surpriza të kontrolluara.

Politikisht Berisha mund të ketë arritur atë që ka dëshiruar. Ka votuar për President të vendit një prej njerëzve të tij, duke marrë mbështetjen e Ilir Metës, që në këtë proces luajti një rol të moderuar. Maxhoranca nuk pësoi çarjen që me naivitet besoi opozita duke u përfshirë deri në fund në një proces negociator, pa mundur as ta përcaktojë dhe as ta refuzojë atë. Kjo përfshirje, shpresa e vazhdueshme e Ramës për të gjetur një emër bashkë me Berishën nga raundi në raund, e zbuti zgjedhjen e njëanshme të Presidentit, e bëri të besueshme “sakrificën” e maxhorancës për të gjetur konsensus.

Tërheqja e Berishës nga kandidimi i zonjës Topalli dhe dalja me emrin e Zaganjorit e zhvendosi procesin presidencial nga një tentativë e deridjeshme për të kontrolluar çdo pushtet, në një përgjegjësi edhe të opozitës për t’u bërë pjesë. Ky kontekst i ri politik i dha kohën e nevojshme Kryeministrit për të shkuar aty ku kishte dashur në fillim, te një President i partisë së tij. Ai mbërriti aty duke e shfryrë revoltën që do të kishte shkaktuar po të këmbëngulte që në fillim te një emër i PD, në një pakënaqësi apo zhgënjim të radhës. Në të njëjtën kohë, me një figurë si Nishani që nuk provokon ndjeshmëri të veçanta, Berisha neutralizoi edhe ndonjë krisje brenda Grupit të PD, që mund të shkaktonte një kandidat tjetër. Dhe më kryesorja, ai e votoi Presidentin e ri të Republikës duke pasur në krah, të palëkundura, edhe katër votat e Ilir Metës.

Për shkak të përvojës së tij dhe tuhafllëkut të kundërshtarit, Berisha shënoi një tjetër fitore politike brenda objektivave të ngushta, por në një plan më të gjerë ai dështoi të japë një produkt që do të ishte fryt i një modeli të ri të të bërit politikë. Një President që nuk do të ishte nga të besuarit e tij dhe, pse jo, që të kishte pëlqimin e opozitës. Pavarësisht retorikës së përdorur dhe skemës së ndjekur, në fund ai vërtetoi se nuk e njeh dhe nuk beson në një lojë të tillë politike. Zgjedhja e Nishanit ishte rezultat i vullnetit të tij, dhe jo aksident i rastësive apo i refuzimit për konsensus të opozitës. Sali Berisha vërtet mund të ketë arritur atë që dëshiroi, por kjo arritje mbetet përsëri brenda rekordeve të tij. Me Nishanin ai nuk e tejkaloi dot vetveten.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama