Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dhuna nuk i shkon Vetëvendosjes

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 12 vite më parë

Armand Shkullaku
Dhuna nuk i shkon Vetëvendosjes

Kuvendi i Kosovës e humbi virgjërinë javën e kaluar, kur katër deputetë u përleshën mes tyre në ambientet e tij menjëherë pas përfundimit të një seance. Pavarësisht nivelit të diskutueshëm të përfaqësuesve të popullit në atë sallë,  Kuvendi i Kosovës kishte arritur të ruante një lloj tolerance dhe respektimi të kundërshtarit politik, të paktën formalisht. Pas luftës, në atë institucion të zgjedhurit trashëguan bashkë me përkatësinë partiake, edhe armiqësitë, konfliktet e vjetra, vrasjet, urrejtjen dhe shtysën për hakmarrje. Ndarja mes kampeve nuk ishte thjesht politike, por më shumë se kaq, ishte fizike, personale, e ngarkuar me emocione të forta që mund të provokonin ngjarje të paparashikueshme.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës në pjesën më të madhe ruajti në sytë e publikut një komunikim të pranueshëm, agresiv herë pas here, por jo të dhunshëm dhe konfliktual. Për dikë nga Shqipëria, krahasimi me Parlamentin e Tiranës dhe komunikimi mes forcave politike atje nuk ishte aspak për t’u mburrur. Në Tiranë, deputeti Azem Hajdari u qëllua me pistoletë brenda Kuvendit dhe më pas u vra në një atentat para selisë së partisë së tij. Deputetët janë goditur me grushte mes tyre përpara kamerave, Garda e Republikës është detyruar disa herë të intervenojë për të shmangur përplasjet fizike, ndërsa ato verbale as që mund të llogariten. Prishtina ofronte një shembull tjetër deri javën e kaluar, kur katër deputetë ia morën atë pak nder të mbetur institucionit të Parlamentit.

Sherri mes deputetëve të PDK dhe atyre të Vetëvendosjes nuk ishte rrufe në qiell të pastër. Ai ishte paraprirë nga një atmosferë tensioni, e cila, për hir të së vërtetës, është acaruar ndjeshëm vitin e fundit, pas futjes së VV në Kuvend. Gjuha agresive, fyerjet personale, kërcënimet fizike u shtuan ndjeshëm kohëve të fundit dhe ato nuk mund të kishin vazhdim tjetër veç rrahjes mes atyre që normalisht duhen të ishin elita e politikës. Këtu nuk është fjala për të përcaktuar fajtorin, sepse të gjithë janë fajtorë kur ndodhin ngjarje të tilla tronditëse.

Aq më e lehtë mund të duket të ngarkosh me përgjegjësi pjesën e opozitës, kur dihet se në përbërjen e partisë në pushtet kanë qenë prezentë vazhdimisht elementë të dhunshëm e madje me të kaluar kriminale. Por, një forcë politike si Vetëvendosja, që pretendon se vepron mbi një platformë të qartë politike, që ka idetë e programet në rend të parë, që përfaqëson një grupim të ri pa komplekse nga e shkuara dhe që synon të jetë shembull i mendimit politik të artikuluar, nuk mund të përgjigjet me të njëjtën monedhë dhe përfshirja në ngjarje të tilla ngre pikëpyetje të mëdha.

Pikëpyetja e parë ka të bëjë me faktin se përfshirja e VV në ngjarjen në fjalë ishte një aksident apo rrjedhojë e një politike të caktuar të kësaj lëvizjeje. Pavarësisht përgjegjësisë së dy deputetëve problematikë të PDK, qëndrimit të kryetarit të Grupit Parlamentar dhe heshtjes së pritshme të Kryeministrit Thaçi, partia e të cilit ka me bollëk individë të tillë, nga lidershipi i Vetëvendosjes pritej një distancim nga çka ndodhi dhe më së paku një vërejtje e rëndë për dy deputetët e saj që përdorin dhe justifikojnë dhunën, qoftë edhe si reagim.

Kjo nuk ndodhi, madje më keq, në një intervistë për gazetën “Zëri”, lideri i VV, Albin Kurti, jepte shpjegime si ata fëmijët në shkollë përpara mësuesit duke bërë me gisht se kush filloi i pari. Ky e shtyu, ai iu afrua shumë afër, ky e paksa ofenduar vazhdimisht, ai tjetri nuk duroi… Me pak fjalë, Albin Kurti justifikon një veprim që duhet dënuar, mbështet një deputet që me mburrje deklaroi para kamerave se nuk ishte rrahur, por kishte rrahur dhe arrin kulmin kur me tone luftarake deklaron për Zërin se “Lëvizja VV është subjekti i vetëm që kurrë nuk është frikësuar e as do t’u frikësohet shërbimeve sekrete partiake”. E nëse dhuna eskalon më tej e në vend të grushteve përdoren armët, a ka më kuptim të diskutohet se kush e filloi i pari?

Ajo që beson Albin Kurti me siguri që është ndryshe nga ajo që ai deklaron. Dhuna, aq më shumë kur manifestohet nga të zgjedhurit e popullit, nuk përbën një medalje në gjoksin e VV. Kurti po vuan pasojat e disa zgjedhjeve që ndoshta ka qenë i detyruar t’i bëjë për arsye elektorale. Nën efektin e tezës se “të fortët” mbledhin vota, në VV aderuan edhe elementë që sot në Kuvend bëjnë kontrast të fortë me deputetët e tjerë të kësaj lëvizjeje. Ata nuk bëjnë ndonjë dallim me pjesën problematike të deputetëve të PDK, duke rrezikuar kështu ta shndërrojnë VV në një parti si gjithë të tjerat. Ku mund të ndryshonte partia e Gashit dhe Kamishit nga ajo e Selimit e Krasniqit nëse të dyja palët kanë të njëjtën sjellje?

Pse duhet votuar VV kur sot në opozitë shfaq shenja dhe elementë që PDK i ka si shprehje të arrogancës së pushtetit? Efektet elektorale kanë ndikuar te përbërja e Grupit Parlamentar të VV, por edhe te sjellja e kësaj force politike në sallën e Kuvendit. Gjuha agresive, akuzat e rënda, fryma refuzuese janë përdorur për të krijuar imazhin e një opozite të fortë e të pakompromis, të një force politike që nuk e ndryshon karakterin e saj edhe kur futet në institucione. Dhe si pasojë, klima e komunikimit politik në Kuvend ka degraduar dhe u përshkallëzua deri në rrahje publike. Ndoshta në llogaritë e VV kjo mënyrë e të bërit politikë rezulton efektive, por të shohësh Albin Kurtin që mbron “të tijtë” në një skandal të atyre përmasave, ndryshimi aq shumë i predikuar vihet në dyshim. Kur dhuna dhe konflikti justifikohen në emër të interesave elektorale, mjafton të përfytyrohet se si mund të jetë Parlamenti i ardhshëm. Nuk është çudi që Prishtina t’ia kalojë Tiranës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama