Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

'Deja Vu' Helenike

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
'Deja Vu' Helenike

Ma ka pasur gjithnjë ënda që për atë ç’ka ndodh këtu në Shqipëri të sjell shembuj të ngjashëm nga e shkuara, për të treguar se historia jonë është vazhdimisht një “deja vu”. Mirëpo me ç’po duket, kjo mënyrë e të bërit të gjërave nuk është punë shqiptarësh, por punë ballkanasish, sepse e gjithë kriza e sotme greke po të shihet ca më thellë, edhe ajo s’është gjë tjetër veçse një “deja vu” e madhe ballkanike.

Konferenca e Londrës, ajo që dimë ne e vitit 1913 për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë dhe për të na dhënë një mbret, në fakt nuk është e para e llojit të vet. 80 vjet përpara saj, më 1832, ishte mbledhur një tjetër Konferencë e Londrës me qëllimin për t’i dhënë pavarësinë Greqisë dhe për t’i caktuar një mbret. Nga ajo Konferencë e Fuqive të Mëdha, Greqia doli me një mbret gjerman, ashtu si ne 80 vjet më pas. Mbret i Greqisë u caktua princi Otto, i biri i mbretit të Bavarisë dhe që në kohën që i dhanë kurorën ishte 17-vjeçar. Ai u nis në mbretërinë e tij të re i shoqëruar nga konsensusi i Fuqive, së bashku me një grup këshilltarësh bavarezë dhe prusianë, si edhe me 3500 ushtarë bavarezë që do t’i siguronin jetën nëpër sherret e shkrepave të Epirit.

Kryeministër i mbretërisë së re, u caktua konti Josef Ludwig von Armansperg, të cilin mbreti e kishte sjellë me vete. Ky konti gjerman, kishte qenë ministër i Financave të Bavarisë dhe, nëpër qarqet financiare të Europës kishte namin e njeriut që kishte shëndoshur bilancin e Bavarisë. Tani e çuan të shpëtonte edhe financat e Greqisë së re. Dështoi me të tëra. Ishte e pamundur që kokave të nxehta të Ballkanit t’u imponoje rregullat dhe sistemet perëndimore. Në fund, i dëshpëruar, pas 5 vjetësh përpjekjesh, bavarezi dha dorëheqjen në fillim të vitit 1837, për t’u zëvendësuar si Kryeministër i Greqisë nga një tjetër gjerman, baroni Ignaz von Rudhart, që vinte nga posti jo i lehtë i Këshillit të Shtetit të Bavarisë.

Por nëse konti përpara tij kishte rezistuar 5 vjet për t’u bindur që financat greke nuk ndreqeshin, baronit iu deshën vetëm dhjetë muaj, ndaj në fund të po atij viti edhe ai dha dorëheqjen. Arsyet ishin të thjeshta. Gjermanët, burokratë të lindur, thoshin se për të ngritur Greqinë nga themelet, duheshin pará, të cilat meqenëse nuk bien nga qielli, duhen mbledhur nga taksat. Mirëpo meqenëse Turqia ia kish varur punëve të Ballkanit dhe nuk mblidhte gati fare taksa, tani nën shtetin e tyre i binte që grekët të paguanin shumë më tepër taksa sesa kur ishin nën Turqinë. Kjo nuk ishte e lehtë t’u shpjegohej trimave të maleve (më të shumtit arvanitë që rronin me kobure në brez). Pastaj që të ngjallej bujqësia, gjermanët thanë se duhej bërë reforma agrare, duke shpronësuar manastiret dhe pronarët e mëdhenj, por hajt t’ua shpjegojë këtë priftërinjve dhe zengjinëve. Pastaj me qëllim që të lidhte Greqinë antike me atë moderne, mbreti vendosi transferimin e kryeqytetit nga Nauplia për në Athinë, e cila asokohe kishte nja 5 a 6 mijë banorë të mbledhur në lagjen Plakë, pra të gjithë arvanitë. Për etërit e Revolucionit, që as që e dinin se ishin grekë, kjo ishte edhe më e tepërta. Në fund, për t’i vënë kapak, ishte edhe një hua prej 60 milionë franga, e dhënë nga Fuqitë dhe që donte shlyer, ndërsa për grekërit kjo duhej të shihej si dhuratë. Me pak fjalë, të gjithë qenë të pakënaqur, se shtetin e tyre e donin, por nga vetja s’donin të lëshonin gjë.

Pasi ikën gjermanët, grekët i morën vetë gjërat në dorë dhe punët shkuan si shkuan. Kur elita politike greke e pa të tepërt edhe mbretin dhe institucionet perëndimore, iu drejtua frymës së patriotizmit popullor për t’ju kundërvënë mbretit derisa e detyruan të abdikojë nga froni dhe të kthehet në Bavarinë e tij me rregulla e ligje. Sot historianët thonë se ai e dashuronte vendin e tij të ri me gjithë zemër dhe ishte përpjekur ta fuste atë në udhën e qytetarisë me sinqeritet prej mbretit Otto, që i kishin ardhur në majë të hundës atdheshitësit patriotë që e rrethonin, na ka mbetur vetëm thënia lapidare: “Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”, shprehje që aq shpesh po e përdorim edhe këtu e për këtu.

Grekërve në histori u eci fati gjatë. Të fundit që i ndihmuan e i mbajtën gjallë, qenë amerikanët me Planin Marshall e me NATO-n më pas. Nga frika se mos Greqia binte nën komunistët e Moskës, paratë e Perëndimit rrodhën lumë në vendin e helenëve për shumë dhjetëvjeçarë rresht. Mirëpo erdhi dita që frika e komunizmit vdiq bashkë me komunizmin dhe paratë filluan të shterojnë derisa shterën fare. Pastaj edhe paratë e Europës për kushëririn e varfër shterën dhe ... po tani si i bëhet?

Greqia në pragun e falimentit financiar, gjendet sërish me një gjerman (ose më saktë me një gjermane) që po përpiqet ta shpëtojë. Sërish si atëherë, gjendet me borxhe kolosale, të cilat megjithëse i ka marrë dhe i ka ngrënë, i duken sikur të tjerët ia kishin për borxh t’ia jepnin. Sërish si atëherë, gjendet me një klasë politike të diskretituar, që si të vetmin shpëtim gjen t’i drejtohet nacionalizmit spekulativ. Sërish si atëherë, gjendet me një popull që e ka të vështirë të kuptojë se ditët pa taksa mbaruan e se duhet shtrënguar rripi. Mirëpo, edhe gjermanët janë sërish si atëherë, po ata të njëjtit e 150 vjetëve të shkuar, rruga e shpëtimit që dinë të ofrojnë është po ajo e kontit të dikurshëm bavarez: grekët duhet të shtrëngojnë rripin, të paguajnë taksat, t’i shtrohen punës dhe t’i lënë mënjanë përrallat nacionaliste. Për herë të parë në historinë e tyre të re, grekët duhet të kuptojnë se nuk janë më të përkëdhelurit e Ballkanit dhe se vlerat e qytetërimit antik helen nuk bëjnë fajdé në kompjuterët mbi të cilët mbështetet sistemi financiar i sotëm.

Natyrisht që gjermankës së sotme, zonjës Merkel, ia kanë referuar edhe llogaritë e koklavitura financiare të sotme, por edhe historitë e paraardhësve të saj gjermanë në Greqi, por shpresoj që ajo në fund të mos i mbyllë përpjekjet e saj me frazën e të shkretit mbretit Otto se “patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”.

p.s. Nuk dua që lexonjësit të më marrin për grekofob. Në fund të fundit, ne shqiptarët u sollëm me mbretin gjerman që na ra për pjesë, edhe më keq se grekërit. Vidi i shkretë iku nga sytë këmbët, ndërsa ne i këndonim nga pas jo për patriotizëm, por për “dum Babën”.

Ballkan pazar hesapi!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama