Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Urat Shoqerore

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Lame
Urat Shoqerore

Ndën kalanë e Tepelenës, Vjosën e kapërcen një urë e gjatë e varur, nga ato që rëndom quhen pasarela. S’ka ca ditë që një kronikë po aq e gjatë televizive denonconte gjendjen e mjeruar në të cilën rënkon kjo urë sot. Përgjatë saj, shumica e dërrasave janë kalbur e kanë rënë, duke rrezikuar seriozisht kalimin nëpër të. Kjo urë lidh një komunë të tërë me Tepelenën dhe, përmes saj, 1500 banorë plotësojnë nevojat e tyre. Shkojnë në shkolla, japin e marrin në tregje, venë në spital, e furnizohen me gjithë ç’u duhet. Kronika intervistonte banorë që ankoheshin se po u binin fëmija në ujë tek shkonin në shkollë, apo se u rrezikoheshin të sëmurët kur bënin cirk midis vrimave.

Gati të gjitha urat e mëdha të Shqipërisë, kush më parë e kush më pas, janë shembur dhe prej tyre nuk ka mbijetuar asnjëra. Të tilla kanë qenë, llafi që bie, ura e Bahçallëkut, apo ura e Shkumbinit pranë Elbasanit. Flas këtu për urat e mëdha dhe jo për urat e vogla, me një a dy harqe. Kanë mbijetuar vetëm dy prej tyre, Ura e Mesit në Shkodër dhe Ura e Goricës në Berat. Pasi thellohesh pak në dokumente, kupton të dyja arsyet, edhe pse-në e atyre që kanë rënë, edhe pse-në e këtyre që kanë mbijetuar. Ura e Mesit ishte në grahmat e fundit kur u rikonstruktua nga ushtria austriake në vitin 1916, ndërhyrje që e shpëtoi. Gjithaq, edhe ura e Goricës, po ashtu u rikonstruktua e u shëndosh po nga austriakët në vitin 1917, për t’u rindërtuar komplet në vitet e Monarkisë së Zogut.

Mbijetesa e këtyre të dyjave të jep të kuptosh edhe arsyen e rrënimit të të tjerave. Urat e mëdha, ashtu si veprat e mëdha industriale, janë struktura komplekse që kanë nevojë për mirëmbajtje dhe investim të vazhdueshëm. Sa kohë që bëhej i gjallë ai që i kishte ndërtuar (Bushatllinjtë, Tepelenasi apo shteti turk), urat mbaheshin në këmbë. Posaqë ky faktor zhdukej, megjithëse urat ishin një nevojë e jashtëzakonshme për krahina të tëra, askush nuk kujdesej më nga të interesuarit dhe urat binin. Me to ndodhte pak a shumë ajo që ndodhi me ndërmarrjet e mëdha të epokës socialiste, struktura të mëdha dhe komplekse, që vetëm një shtet i organizuar mirë mund t’i mbante në efiçencë dhe pas vitit ’90, kur shteti (i mirë a i keq, është punë tjetër) u rrënua, i qamë, ndërsa mijëra punëtorë mbeten pa punë e për bukën e gojës.

Ura e Vjosës, me të cilën e filluam, u ndërtua me investim të Ali Pashë Tepelenës, nga një inxhinier francez i konvertuar në mysliman. E bekoi Alinë gjithë ajo krahinë për urën që ndërtoi, se u zgjidhte me mijëra halle, por posaqë Aliut i prenë kokën, edhe ura brenda pak vjetësh u rrënua dhe i mbetën vetëm këmbët. Në vitet e Luftës I Botërore, mbi këmbët ekzistuese të urës, ushtria italiane ndërtoi një pasarelë të shëndoshë për nevoja të saj. Pas tërheqjes italiane, pasarela, e bërë me materiale të dorës së parë, mbijetoi duke i shërbyer gjithë krahinës deri në kohën e Luftës II Botërore, kur sërish ushtria italiane e restauroi me themel. Ndoshta faji ishte i italianëve, që duke e ndërtuar këtë urë, u dhanë mundësi banorëve të lidhen me botën. Nëse nuk do të qe ura, në pamundësi të lidheshin me qytetin, ata banorë do ishin përpjekur t’i zgjidhnin të gjitha hallet dhe problemet brenda vetes. Ura u dha mundësinë të lidhen me botën, por kështu kur ajo u shemb, ata mbetën si peshku pa ujë. Edhe kjo mund të kish qenë një zgjidhje, por s’besoj më e mira.

Pas Lufte, situatën e mori në dorë Komandanti, dhe kështu deri në vitin 1990. Pas atij viti ç’do gjë u shkatërrua dhe tani dëgjojmë vetëm banorët që ankohen se askush nuk kujtohet më për ta, sikur të jenë ca fëmijë të vegjël të parritur.

Llogari: Pasarela është e gjatë 250 metra. Një dërrasë standard, me përmasa 200x25x3 cm kushton rreth 200 lekë. Për ta shtruar të gjithë pasarelën fund e krye, i bie të nevojiten 1000 copë dërrasa dhe nja 10 kile gozhdë. Për një komunitet prej 1500 banorësh, kjo do të thotë që mesatarisht çdo familje duhet të vërë nga një dërrasë dhe 4 gozhdë. Besoj se kaq gjë mund ta bëjë për veten e vet edhe fshati më i humbur e më fukara, jo i Shqipërisë, por edhe i Hutuve të Afrikës.

Po t’i pyesësh fshatarët se pse nuk mblidhen, të bëhen bashkë e ta ndreqin këtë punë, të përgjigjen: “E kush na bën bashkë neve!”. Po t’u thuash se mund të bëhet nismëtar pushteti vendor, komuna, kryepleqtë, administrata, që ata vetë i kanë zgjedhur, të thonë si me çudi se: “Ehu, ata e kanë mendjen tek vota”. Po kur është kështu, ç’dreqin keni që i zgjidhni, a që bëni zgjedhje fare?!

Zona e Tepelenës ka një numër shumë të madh të djemve në emigracion, kush në Greqi e kush në Itali, e kush edhe më përtej. Sikur jo banorët e zonës, por vetëm këta djem të vinin ndonjë pará, ura bëhej jo e drunjtë, por e florinjtë. Çdo behar, këta djem kthehen në vendin e tyre dhe i sheh të fluturojnë udhëve gërmadhë të fshatrave me makina të shtrenjta, por urën presin t’ua bëjë shteti ama. Një shtet që me të drejtë e urrejmë, por që kur kemi hall, nuk shohim ta zgjidhim vetë, por presim të na i zgjidhë shteti, të cilin sapo thamë që e urrejmë.

Banorët, burra, gra e fëmijë u shfaqën të televizor duke u ankuar për urën e fshatit të tyre; atë urë që ua ngriti Ali Pasha në kohë të Turqisë dhe që ua rindërtoi një herë Italia e parë dhe pastaj Italia e dytë. Tani janë në pritje që ndonjë ushtri e huaj, kushdo qoftë, greke, italiane a e NATO-s, të ketë nevojë për atë urë, e të vijë e ta ndreqë sërish. Ndërkaq, ata do vazhdojnë të bëjnë sehir, duke mallkuar shtetin e tyre dhe duke pritur ndonjë gazetar që t’u bëjë kronikën e hallit të tyre.

Mora si shembull këtë urën mbi Vjosë, por në fakt nuk ka javë që të mos shfaqet nga një shembull i tillë. Diku një fshat me 500 banorë që pret njëzet vjet që dikush të vijë të vërë një tombino mbi përroin e fshatit; diku një fshat tjetër me 1000 banorë që pret as vetë se dinë se kë, që t’u bëjë ujësjellësin e fshatit; diku një komunë që pret që ministria t’u blejë xhamat e dritareve të shkollës ku venë fëmijët e tyre jo të ministrisë; diku... Ja, para disa muajsh, një tjetër urë, ajo e Tatzatit, edhe ajo Monument Kulture, u shemb duke detyruar tërë fshatin të bëjë nja dy orë rrugë më këmbë për t’i ardhur rrotull lumit. Kishte pasur nevojë vetëm për pak mirëmbajtje, e për t’i bërë një përforcim sa nuk i kishin rënë qemerët.

Qeveria ka faje sa s’i ngre kandari, por në ka gjë për të cilën jemi akuzuar brez pas brezi ne shqiptarët, është pikërisht paaftësia për jetë komunitare dhe për organizim shoqëror. Dhe na kanë akuzuar apo kemi akuzuar veten, ehuu, që kur qeveritë nuk ekzistonin. Pa ndrequr këtë të metë të madhe tonën, pa mësuar të ngremë urat e organizimit të përbashkët, pa ia dalë të mblidhemi për të zgjidhur vetë hallin e fshatit që pastaj të zgjidhim edhe të Shqipërisë,  as që kemi për t’i bërë derman dot vetes, jo me këtë qeveri që kemi, por edhe sikur nga Zvicra dhe Holanda të na i sjellin qeverinë e qeveritarët.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama