7 Shkurt 2026

Plani i detajuar vendor për Shkodrën ka ngjallur kundërshti nga ekspertë dhe restauratorë, duke e cilësuar si të papërshtatshëm për qendrën historike. Qendra historike e Shkodrës, e njohur për arkitekturën unike dhe trashëgiminë e jashtëzakonshme të Kolë Idromenos, sipas tyre po përballet me një kërcënim për identitetin e saj.

Në intervistën për gazetën “SOT” arkitekti i njohur Zef Çuni, me dekada përvojë në mbrojtjen dhe restaurimin e monumenteve të kulturës, paralajmëron se ky plan që synon të implementojë Bashkia Shkodër hap rrugën për ndërtime shumëkatëshe, shtim të kateve mbi ndërtesat ekzistuese dhe tjetërsim të arkitekturës autentike të qytetit. Sipas tij, projekti bie ndesh me ligjet dhe rregulloret për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, refuzohet nga institucionet kombëtare dhe nuk ka kaluar konsultime publike të duhura. Ndër të tjera në këtë intervistë, arkitekti Çuni shpjegon rrugën që duhet ndjekur për të ruajtur vlerat e qendrës historike të Shkodrës.

-Pse e kundërshtoni planin e detajuar vendor, që synon të implementojë Bashkia Shkodër? Cilat janë problemet kryesore që shihni?

Bashkia e Shkodrës kërkon të ndërtojë në qendrën historike një Plan të Detajuar Vendor (PDV), të cilin nuk e ka asnjë qendër tjetër historike në vendin tonë. Arsyeja është e thjeshtë, PDV-ja bëhet për ndërtimet e sotme dhe jo për ndërtimet ekzistuese, sidomos për qendrat historike. Këto ndërtime nuk janë realizuar as me kushtet, as me logjikën, as me normativat e sotme. Janë ndërtuar në periudha kur nuk ka pasur legjislacion ndërtimi. Prandaj, ky plan nuk ka kuptim. Aq më tepër që, me këtë PDV, bashkia ka vendosur të tjetërsojë zonën, duke ngritur kate mbi objektet ekzistuese , nga tre deri në gjashtë apo shtatë kate, në zona të ndryshme. Ata e mohojnë këtë, por në dokumente kjo është e shkruar qartë. Faktikisht, projekti është refuzuar edhe nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, sepse nuk ka asnjë logjikë profesionale.

-Ju thatë që plani është refuzuar edhe nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Çfarë ka parë ky institut?

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ia ka refuzuar Bashkisë së Shkodrës këtë projekt me vërejtje. Problemi është shumë i thjeshtë, asnjë qendër historike në Shqipëri nuk ka dhe nuk mund të ketë PDV. PDV nënkupton ndërtim me intensitet të ulët, hapësira publike, gjelbërim dhe shfrytëzim deri në 50 për qind të territorit. Kur ndërtesat janë të ngjitura njëra me tjetrën, çfarë do të bëhet? Do të prishen objektet që janë monumente kulture? Normat e sotme nuk funksionojnë në qendrat historike.

Për më tepër, me këtë plan tjetërsohen edhe monumentet e kulturës, sepse duke iu shtuar kate, ato nuk janë më arkitektura e Kolë Idromenos, por arkitekturë e dikujt tjetër. Një objekt shpallet monument kulture dhe ruhet në atë gjendje me ligj. Kjo është e përcaktuar qartë në rregullore dhe në vendimin e Këshillit të Ministrave për rregulloren e qytetit të Shkodrës, ku thuhet se ndërtesat restaurohen në formën dhe volumin që kanë, duke u bazuar në dokumentacionin grafik dhe fotografik ekzistues, të cilin muzeu “Marubi” e disponon sot.

Të gjitha ndërtesat e zonës historike, veçanërisht në lagjen “Gjuhadol”, janë të fotografuara. Unë nuk e kuptoj, pse është marrë një firmë e palicencuar në fushën e monumenteve të kulturës për të hartuar PDV-në. Afati ishte tre muaj, ndërkohë që kanë kaluar tre vite. Monumentet e kulturës nuk presin as tre vjet, as tre ditë për t’u restauruar. Kjo ndërhyrje cënon vlerat historike dhe arkitektonike të “Gjuhadolit”. Objektet janë shpallur monumente kulture në gjendjen, që i ka krijuar populli ose arkitekti i kohës dhe në atë gjendje duhet të konservohen dhe restaurohen. Nuk tjetërsohen, nuk u shtohen kate, nuk rritet intensiteti i ndërtimit. Për mua, kjo është një gabim i madh.

-Ju shpreheni për rrezikun, që i kanoset qendrës historike nga ky plan i ri, i cili, sipas jush, hap rrugë për ndërtime shumëkatëshe që zhdukin identitetin e një prej kryeveprave të Kolë Idromenos. Çfarë ndërhyrjeje do të ishte e pranueshme për zonën historike?

Qendra historike e Shkodrës duhet të konservohet dhe të restaurohet. Siç e kam thënë, PDV-ja duhet të hiqet nga rregullorja, sepse nuk ka plan të detajuar vendor për qendrat historike. Ministria e Kulturës duhet t’ia propozojë Këshillit të Ministrave heqjen e PDV-së me vendim dhe të ndiqet rruga normale e restaurimit. Por prej tre vitesh janë penguar të gjitha lejet që ka dhënë Ministria e Kulturës, të firmosura nga tre ministra: Mirela Kumbaro, Elva Margariti dhe Blendi Gonxhja. Ministri Blendi Gonxhja ka dhënë 4-5 leje restaurimi dhe bashkia nuk i zbaton, sepse pret të miratojë PDV-në. Me PDV, këto objekte nuk restaurohen.

 -Sa ka qenë i përfshirë komuniteti në proces konsultimi?

 Nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme për planin vendor të detajuar. Edhe kur PDV-ja duhet të hartohet, ligji parashikon tre dëgjesa publike dhe tre konsultime. Nuk ka pasur konsultime as me degën e Monumenteve të Kulturës në Shkodër, as me Institutin e Monumenteve të Kulturës, i cili është organ i specializuar, por as me qytetarët. Ka pasur reagime nga arkitektë, urbanistë, piktorë, skulptorë dhe qytetarë. Ne kemi reaguar publikisht, kemi kërkuar ballafaqim, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

-Pas kundërshtimeve tuaja për PDV, çfarë apeli keni në drejtim të ministrisë?

Qendra historike përfshin lagjen “Gjuhadol”, vijon në rrugën “Kolë Idromeno” dhe arrin deri te Bashkia e Shkodrës. Ministria e Kulturës duhet të ndërhyjë më me forcë ose të reagojë pas refuzimit, që i ka bërë disa pikave të studimit të bashkisë. Unë kam takuar të gjitha institucionet e ministrisë, përfshirë IKTK-në dhe drejtuesit atje, dhe ua kam shpjeguar situatën, sepse janë të rinj dhe nuk e njohin mirë Shkodrën. Qëllimi i tyre ka qenë i mirëkuptueshëm, por problemi është se bashkia insiston për ta çuar përpara këtë projekt.

Unë ia kam shpjeguar edhe bashkisë, sepse e njoh këtë punë. Kam 45 vjet që restauroj, kam vënë në mbrojtje objekte, i kam restauruar dhe dokumentuar. Por në bashki nuk e njohin ligjin, as rregulloren, as stilin arkitekturor, as këtë lloj trashëgimie. Unë bashkë me Institutin e Monumenteve kam hartuar dikur rregulloren e qytetit të Shkodrës, Thethit dhe qyteteve të tjera, si dhe kam punuar për ligjin përkatës. Bashkia nuk ka të drejtë të tjetërsojë qendrën historike të Shkodrës.

Intervistoi: Julia Vrapi