“Rrezikojmë një rënie të dytë të “piramidave” në Shqipëri”, Buxhuku: Mund të shkojmë në krizën e ’97-ës!

25 Mars 2026
Kreu i “Konfindustria”, Gjergj Buxhuku, i ftuar në një studio televizive ka paralajmëruar për një situatë tepër të rrezikshme ekonomike në Shqipëri, në kushtet e krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve pas tensioneve në Iran dhe bllokimit të Ngushticës së Hormuzit.
Sipas Buxhukut, Shqipëria ndodhet në një pozitë më të brishtë se vendet e tjera të NATO dhe nuk duhet të mbështetet te aleatët për stabilitet ekonomik.
“Ideja është që nuk duhet të kthehemi në barrë të NATO-s. Duhet të prodhojmë stabilitet vetë, jo të mbajmë shpresa se do na mbajnë të tjerët kur nuk mbajmë dot veten,” u shpreh ai.
Ai kritikoi mungesën e reagimit nga autoritetet shqiptare në krahasim me vendet e tjera, të cilat sipas tij kanë ndërmarrë masa konkrete që në fillim të krizës. “Ne nuk kemi ndërmarrë masa. Kemi pritur të kalojë çmimi 220 lekë për litrin e naftës. Deri sot jemi në kuadrin e fjalëve, ndërsa të tjerët janë në kuadrin e veprimit,” theksoi Buxhuku.
Duke përdorur një metaforë, ai paralajmëroi për efektin domino të krizës: “Kriza kur fillon është si ortek. Duhet ta ndalosh në fillim, përndryshe vazhdon dhe përshkallëzohet.”
Sipas tij, ekonomia shqiptare është veçanërisht e rrezikuar dhe mund të përballet me pasoja të rënda. “Pozita e keqe ekonomike që ka Shqipëria sot mund të jetë ai baruti i thatë që mjafton një shkëndijë e vogël, si kriza e karburanteve, për t’i vënë flakën,” deklaroi ai.
Buxhuku ngriti shqetësimin edhe për industrinë vendase, duke paralajmëruar për rrezikun e mbylljes së saj për shkak të kostove të larta dhe konkurrencës nga importet.
“Sa mund ta mbajmë mbyllur industrinë? Produktet e huaja zënë tregun. Rihapja e një industrie të mbyllur ka kosto shumë të lartë dhe mund të çojë në falimentim,” tha ai.
Ai shtoi se kjo situatë ndikon drejtpërdrejt edhe te fermerët dhe investitorët, të cilët sipas tij tërhiqen menjëherë kur shohin tregues negativë. “Kur shohin këta tregues që rrënohen, investitorët largohen menjëherë,” u shpreh Buxhuku.
Në analizën e tij, ai shkoi më tej duke e krahasuar situatën aktuale ekonomike me periudhën e krizës së firmave piramidale në Shqipëri 1996-1997, duke paralajmëruar për rreziqe të ngjashme.
“Edhe pa këtë krizë të karburanteve, Shqipëria ka qenë në kushte të ngjashme me skemat piramidale. Sot rreziku vjen nga paratë informale,” deklaroi ai.
Sipas Buxhukut, ekonomia shqiptare po mbahet në këmbë nga flukse informale financiare, duke përdorur një metaforë të fortë: “Është si të mos prodhosh oksigjen vetë, por të jesh i intubuar me oksigjen nga jashtë, nga para informale.”
Ai përmendi edhe rolin e SPAK, duke theksuar se krijimi i tij lidhet me nevojën për të kontrolluar paratë e krimit që qarkullojnë në vend.
“Sot Shqipëria rrezikon të kthehet në një ‘ishull thesari’, ku hyjnë para informale nga jashtë,” përfundoi ai.
