5 Nentor 2025

Shpërndarja e vendeve të varrimit zbulon se si kanë jetuar dhe vdekur njerëzit ndër mijëvjeçarë. Varret e shpërndara nëpër Kinë, të ndërtuara që nga koha e lashtë e Dinastisë Xia, rreth 4000 vjet më parë, e deri në epokën moderne, hedhin dritë mbi mënyrën se si ndryshimet politike dhe shoqërore formësuan historinë e vendit. Ky përfundim vjen nga një studim i publikuar më 29 tetor 2025 në revistën shkencore me qasje të hapur PLOS One nga Quanbao Ma, profesor në Universitetin e Inxhinierisë Civile dhe Arkitekturës në Pekin, dhe ekipi i tij kërkimor.

Për të zbuluar modelet historike, studiuesit hartëzuan vendndodhjet e varreve të lashta në gjithë territorin e Kinës. Analiza e tyre tregoi se si faktorët ekonomikë dhe ata gjeografikë kishin një rol të rëndësishëm në përcaktimin e zonave ku ndërtoheshin këto vende varrimi.

Ekipi konstatoi se shumë nga varret më të ruajtura i përkasin periudhave të stabilitetit dhe begatisë, si dinastitë Qin–Han dhe Yuan–Ming–Qing. Nga ana tjetër, epokat e shënjuara nga luftëra dhe trazira, si periudha e Pesë Dinastive, lanë pas më pak varre. Sipas studiuesve, në kohë më të pasura dhe të sigurta, njerëzit kishin më shumë burime dhe mundësi për t’u kushtuar riteve të varrimit dhe besimeve për jetën pas vdekjes.

Lëvizjet demografike mund të kenë ndikuar gjithashtu në vendndodhjet e varreve. Studiuesit theksojnë se luftërat në pjesën veriore të Kinës, nga fundi i dinastisë Lindore Han deri në periudhën e Dinastive Veriore dhe Jugore, detyruan shumë njerëz të zhvendoseshin drejt jugut, dhe për rrjedhojë, varret e kësaj epoke janë përqendruar në ato rajone jugore.

Rajonet Chengdu–Chongqing dhe Ultësira Qendrore paraqesin një numër më të madh varresh të ruajtura. Studiuesit vërejnë se Chengdu–Chongqing karakterizohet nga terren i sheshtë dhe toka pjellore, ndërsa Ultësira Qendrore ka tokë të rrafshët dhe burime të bollshme uji, kushte që ndihmuan zhvillimin e vendbanimeve të hershme. Të dyja zonat kanë gjithashtu klimë të lagësht, çka mund të ketë ndihmuar në ruajtjen e artefakteve brenda varreve.

Sipas ekipit kërkimor, vendet e varrimit përfaqësojnë një burim të pazëvendësueshëm të trashëgimisë kulturore dhe ata shpresojnë që ky studim të shërbejë si bazë shkencore për ruajtjen e tyre në të ardhmen.

Autorët theksojnë: “Ky studim kreu një vlerësim të sistematizuar digjital dhe një analizë të shpërndarjes hapësinore e kohore, si dhe të faktorëve ndikues të varreve të lashta në Kinë. Ai zbulon modelet e evolucionit të tyre dhe faktorët përcaktues, duke vendosur kështu themelet teorike për ndërtimin e një sistemi shkencor dhe të saktë mbrojtjeje.”