Zbulohen bisedat: – Fatos Tushe i dha 280 mln lekë biznesmenit për provimin e vajzës, naftën e djalit e mbushte me paratë e shtetit.

E enjte 8 korrik 2021

“Hidhi asaj me 3 teta o burr është çun i shefit”, kjo ishte porosia që Flamur Peqini, drejtor i Ndërmarrjes së Pasurive Publike zhvillonte me menaxherin e një karburanti në Lushnje ku kërkonte që makina e djalit të Fatos Tushes, të mbushej full me naftë me paratë e taksapaguesve, pasi ky i fundit do të shkonte me pushime
3 ditë pas arrestimit të grupit të zyrtarëve të Bashkisë Lushnje dhe kryebashkiakut Fatos Tushe, në media janë publikuar sot fragmente nga dosja hetimore e SPAK. Në dosje sipas SPAK është faktuar bashkëpunimi i Fatos Tushes me vartësin e tij, Flamur Peqini për tenderin korruptiv prej 280 milionë lekësh të vjetra, dhënë kompanisë Euro Alb dhe biznesmenit Bujar Murataj. Tenderi kishte si objekt rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj.
Në këtë tender, nga tri kompani që hynë në garë: BOE Avduli shpk dhe Bahas SHPK, Hastiçi shpk dhe EuroAlb shpk. Në përfundim të garës, tri nga të arrestuarit, që ishin edhe anëtarë të Komisionit të Vlerësimit, ekonomistja Margarita Gjermeni, nëndrejtori Gazmend Cela dhe përgjegjësi i sektorit të ujitje-kullimit, Xhemal Hasko, vendosën që tenderi ti jepej Muratajt, edhe pse kompania e tij kishte ofertën më të lartë.
Gjatë hetimit ka rezultuar se Tushe dhe Peqini, kishin ndërhyrë që fitues të ishte Murati në mënyrë që punimet, tenderi dhe paratë ti merrte pronari i Loti shpk, Ibrahim Lami. Lami njihet në qytet por edhe për prokurorinë si një person me lidhje të ngushta me kryebashkiakun Tushe dhe vartësit e tij.
Më tej në dosje është zbuluar edhe fakti se grupi i 11 të arrestuarve kishte informacion se ishte vënë nën hetim nga SPAK për këtë tender, madje ka qenë Flamur Peqini, personi që udhëzonte vartësit e tij se çfarë duhet të deklaronin në SPAK. “Drejtori na ka thënë 20 herë ça duhet të themi”,-thotë njëri nga punonjësit në përgjime.
Gazeta Shqip