Studimi: – 20 për qind më shumë pyje në Europë rrit reshjet e shiut gjatë verës
6 KORRIK 2021
Një studim doli në përfundimin se heqja dorë e nga një pjesë e tokave bujqësore dhe pyllëzimi i tyre do të rriste reshjet e shiut në Europë me mesatarisht 7.6 për qind.
Autorët thonë se ky studim është një tjetër provë se mbjellja e pemëve mund të zbusë ngrohjen globale dhe thatësirën që pason bashkë me të. Mbjellja e pemëve është bërë arma kryesore e përpjekjeve të shumë vendeve për të trajtuar ndryshimet klimatike në të gjithë botën.
Kryeministri Boris Johnson thotë se Britania e Madhe po synon të mbjellë rreth 30 milionë pemë të reja çdo vit deri në 2025. Një numër studimesh kanë vrojtuar gamën e ndikimeve pozitive dhe negative, që ka të ngjarë të sjellë bumi i mbjelljes.
Studimi i ri shqyrton ndikimin e shndërrimit të tokës bujqësore në të gjithë Europën në pyje të qëndrueshme. Autorët përdorin një model statistikor të bazuar në vëzhgim për të vlerësuar se si ndryshimet në mbulesën pyjore do të ndikonin në shtimin e reshjeve të shiut në të gjithë kontinentin.
Studiuesit zbuluan se nëse do të kishte një rritje prej 20 për qind të sipërfaqjes së pyjeve, në mënyrë uniforme në të gjithë Europën, atëherë kjo do të rriste reshjet lokale, veçanërisht në dimër dhe me ndikime më të mëdha të ndjera në rajonet bregdetare.
Por, veç reshjeve të shiut, pyllëzimi shërben edhe si mburojë ndaj erërave të forta dhe stuhive, që në vende si Gjermania janë bërë normale vitet e fundit. Studiuesit thonë se shtimi me 20 për qind i sipërfaqes së pyllëzuar në Europë është një skenar realist.
Sipas autorit udhëheqës, Ronny Meier nga ETH Cyrih studimi është mjaft domethënës dhe me një rëndësi të madhe në pëpjekjet për të frenuar ngrohjen globale.
Meier thotë se ngrohja globale po godet më shumë Mesdheun dhe vendet përreth tij, ku gjithmonë e më shumë po raportohen stina të verës së thatë me reshje minimale shiu.
“Dhe atje, sipas studimit tonë, pyllëzimi do të çonte në një rritje të reshjeve. Pra, pyllëzimi ndoshta do të ishte shumë i dobishëm për sa i përket përshtatjes me efektet e pafavorshme të ndryshimit të klimës”, tha ai për BBC.
Nga Gazeta Shqip