Zbardhet axhenda! Zyrtari i lartë amerikan nesër vjen në Tiranë. A do të afrojë zgjidhje me “kërbaç” në dorë?

Nga Aranit Muraci 

07-04-2019,

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, do të mbërrijë në Tiranë në fillim të javës, në kuadër të një turi ballkanik.

Me mbërritjen e tij në Tiranë, situata kritike politike pritet të marrë një kthesë të re.

Ai më herët është marrë me çështjet e nxehta politike në vendet fqinje të Ballkanit, duke negociuar në zgjidhjet e krizave politike në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje.

Pas përpjekjeve pa rezultat të europianëve, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara, në lojë futet diplomacia amerikane, e cila si herë të tjera “me kërbaç” në dorë, zbarkon në Shqipëri në një kohë që opozita ka djegur mandatet dhe ka nisur protestat e pandalshme, për të imponuar zgjidhje.

Mazhoranca qeverisëse po përgatitet për zgjedhjet lokale, ndërsa pritet me interes verdikti që do të sjellë zyrtari i lartë amerikan, pas kërkesave që ka ngritur opozita.

Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Edi Rama të hënën, ndërsa të martën e 9 prillit, ai pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një bisedë me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, si dhe me drejtues të tjerë të opozitës.

Pas takimeve me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë. Një ditë para vizitës së të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidenti Ilir Meta, sot nga Durrësi u bëri thirrje për dialog palëve.

Sakaq, vizitës së Palmer i parapriu vizita e zyrtarit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonanathan Moore, i cili zhvilloi disa takime, ndërsa publike për mediat u bë vetëm takimi i deputetes të partisë Demokratike, Rudina Hajdari dhe ish kryeministrit Sali Berisha.

Nga vizita e diplomatit të lartë amerikan, ashtu si edhe dy vite më parë, kur krizës politike i dha zgjidhje zv/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Bryan Yee, pritet e njëjta gjë. Dy vite më parë, sipas ngjarjeve, zgjidhja palëve politike në Shqipëri iu imponua partive kryesore.

Mbetet për t’u parë nëse Palmer do të marrë rolin e negociatorit mes palëve dhe nëse është e nevojshme, edhe të imponimit amerikan për zgjidhje.

Pas djegies së mandatave dhe kritikës së ndërkombëtareve, sidomos të SHBA-ve, opozita nuk u tërhoq nga akti ekstrem, por protestat e saj të mëtejshme rezultuan të qeta dhe pa akte dhune, ndryshe nga ajo e 16 shkurtit, çka kjo ishte edhe një kërkesë e zyrtarëve amerikanë.