Votimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, kryetari i Komisionit në PE: Po injorohen thirrjet ndërkombëtare, rrezikohet konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë

28 tetor  2020

Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David Mcallister ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me votimin në Kuvendin e Shqipërisë të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, McAllister shkruan se është shumë i shqetësuar që këto ndryshime do të votohen nesër pa pritur opinion e Venecias.

Ai shton gjithashtu se votimi i këtyre ndryshimeve do të pengojë hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit për Shqipërinë, dhe rrjedhimisht integrimin e vendit tonë drejt BE-së.

“Shumë i shqetësuar se, pavarësisht thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke kërkuar që të presin një mendim të Komisionit të Venecias, votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të #Shqipërisë është caktuar për nesër. Ndryshimet e njëanshme të marrëveshjes mund të thellojnë më tej klimën e mosbesimit dhe polarizimit përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit 2021. Ato do të jenë joproduktive ndaj përpjekjeve për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare deri në fund të vitit”, tha McAllister.

Gazeta Dita