Maria Prymachenko është një ikonë e identitetit kombëtar ukrainas.

Vepra artistike që i shpëtoi shkatërrimit nga forcat ruse, shndërrohet në simbol të paqes

Pushtimi rus po kërcënon trashëgiminë e Prymachenkos, 25 vjet pas vdekjes së saj.

Forcat ruse pothuajse shkatërruan veprën e një artiste ukrainase, megjithatë, kjo e fundit tani është kthyer në një simbol të paqes, përcjell UBT News.

Maria Prymachenko jo vetëm që është ndër artistet e mëdha autodidakte të shekullit të 20-të, ajo është edhe një ikonë e identitetit kombëtar ukrainas.

Pikturat e saj fantastike, të vlerësuara gjatë jetës së saj nga njerëz si Pablo Picasso, gjenden tani në disa nga muzetë më të rëndësishëm të vendit. Puna e saj është paraqitur edhe në pulla postare dhe ngjashmëria e saj është përjetësuar në monedha përkujtimore.

Maria Prymachenko është një ikonë e identitetit kombëtar ukrainas.

Por 25 vjet pas vdekjes së saj, pushtimi rus po kërcënon trashëgiminë e Prymachenkos.

Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se disa nga pikturat e artistes ishin shkatërruar në një muze në rajonin e saj të lindjes, Ivankiv, rreth 50 milje në veriperëndim të kryeqytetit, Kiev, pas një sulmi nga forcat ruse.

Përshkrimet e saj me ngjyra të ndezura ishin ndër gjërat që fillimisht mendohej se kishin humbur.

Por që atëherë janë shfaqur raporte që sugjerojnë se një akt guximi i një banori vendas mund të ketë shpëtuar nga zjarri më shumë se një duzinë prej veprave të saj.

Fondacioni i Familjes Maria Prymachenko, i cili menaxhon katalogun e artistes dhe drejtohet nga stërmbesa e saj Anastasiia, beson se të gjitha pikturat e muzeut Prymachenko u shpëtuan nga ndërtesa nga një vendas.

“Një burr i guximshëm arriti t’i largonte pikturat nga zjarri”, tha avokatja Natalia Gnatiuk, një nga partneret e fondacionit, përmes telefonit nga Ukraina perëndimore, ku ajo ka kërkuar strehim.

Dhe ndërsa Gnatiuk tha se fondacioni i saj kishte qenë në kontakt të rregullt me burrin, ata kanë humbur kontaktin pasi luftimet vazhdojnë në periferi në veri të Kievit. Ajo nuk pranoi të përmendte emrin e tij ose të komentonte vendndodhjen e mundshme të veprave, nga frika për sigurinë e tyre.

“Pas mbarimit të kësaj lufte, kjo është historia e parë heroike që do të tregojmë”, përfundoi ajo.

Nga: UBTNews