Veçantia e arkitekturës popullore shqiptare. –

Nga: Emin Riza.

Studimet në fushën e albanologjisë, apo studimet shqiptare, lidhen me veprimtarinë e kombit iliro-shqiptar në hapësirë dhe kohë. Kategoria ndërtimore,e ngritur përgjithësisht prej shqiptarëve për shqiptarët, përfshin një hapësirë të gjerë llojshmërish, të cilat vijnë në shtim dhe rritje cilësore në kohë, si shfaqje e prekshme e zhvillimit të kombit tonë, vërtetësisht autokton.

Kategoritë ndërtimore, sipas funksionit të tyre ndahen në katër njësi: ndërtimet mbrojtëse, ato fetare, shoqërore dhe të banesës popullore. Kuptueshëm dukuria banesë popullore, është ajo paralelja e pandashme me jetën njerëzore dhe si e tillë shpërfaqësja më e vërtetësishme e mënyrës së jetesës në hapësirë dhe kohë.

Studimet shqiptare në trojet e Shqipërisë politike dhe përfillshim dhe në ato të Kosovës, në fushën e banesës popullore shfaqen së pari si veprimtari e studiuesit Emin Riza, ndërkohe që duhet përmendur vepra e hershme dhe me vlera të rëndësishme e studiuesit Pirro Thomo “Arkitektura fshatare e Shqipërisë veriore” (1981). Kolegu Ali Muka ka botuar katër monografi. Emin Riza ka trajtuar që prej vitit 1962, pra deri me sot, 56 vjet pa ndërprerje, banesën qytetare shqiptare kryesisht në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe banesën fshatare të krahinës së Labërisë. Në fushën e botimeve ai është autor, dhe në shtatë prej tyre bashkautor, i 21 veprave për arkitekturën e banesës popullore shqiptare, kryesisht të hapësirave shtetërore të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Kjo veprimtari, pjesë e asaj vlerësuese, pra gjurmuese, përzgjedhëse, dokumentuese, vënëse në mbrojtje, studimore dhe botuese, e bën atë prekshëm pjesë të rëndësishme të historisë së kombit. Ashtu si përgjithësisht, veprimtaritë në fushën e dukurive shoqërore, edhe fusha e vlerësimit të banesës popullore shqiptare është rrugë e gjatë deri në pambarim, për t’iu afruar përherë dhe më pranë të vërtetave absolute.

Termi banesë, tashmë i konsoliduar, ka pasur parësor atë “të bana”, krahas shtëpi dhe emërtimeve të cilat vënë në pah tipare dytësore si: shtëpizë, përdheckë, me çardak, krevet etj. Banesa, është një term disi përgjithësues, sepse ai është tregues i mbarë hapësirës që rrethohet prej mureve kufizues të banesës dhe oborrit, i cili e rrethon plotësisht, ose pjesërisht atë, duke pasur shpesh edhe ndërtime ndihmëse, për strehim të kafshëve të ngarkesës, ato ekonomike dhe rrallë të shtëpisë së miqve.

Banesat popullore shqiptare të së kaluarës, duke qenë me njohje të përafërt me ato të lashtat, të shek. XVIII-XIX, tipologjikisht më të hershme, ishin dhe mbeten treguesi i prekshëm i mënyrës së jetesës. Ngritja e banesave, të shumicës së popullsisë shqiptare të së kaluarës, ishte treguesi thelbësor i bashkësisë sa të hershme, aq edhe të qëndrueshme të familjes, që prej asaj njëkurorëshe deri te ajo shumëkurorëshe, apo patriarkale. Me përjashtime gjithnjë në zvogëlim të ngritjes se banesave njëfamiljare, prej vetë banorëve të kasolleve, banesat ngriheshin prej profesionistësh. Kuptueshëm tipologjia tradicionale dhe ajo bashkëkohorja, ishin treguesit kryesorë për përzgjedhjen e banesës për t’u ndërtuar. Kompozimi i banesës, së bashku me teknikat dhe materialet ndërtimore, diskutohej dhe bashkëvendosej prej kreut të familjes dhe kryemjeshtrit të grupit ndërtimor. Banesat një familjare dhe më shumë kurora mbizotërojnë në Shqipëri dhe Kosovë deri në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës II Botërore. Për arsye zhvillimore të shoqërisë shqiptare, kryesisht me sigurimin e jetës prej veprimtarish jashtëbanesore, parësisht zejtarisë dhe shitjes së prodhimeve përkatëse, banesa po kthehej përherë dhe me dukshëm në hapësirë qëndrimi të gjinisë femërore dhe vocërrakëve.

Historia, si fushë studimore e bashkësisë njerëzore, përfshin natyrshëm edhe atë të banesës, si bashkëpërbërëse thelbësore në veprimtarinë shumëplanëshe jetësore. Kuptueshëm studimi i banesës popullore në përgjithësi dhe asaj shqiptare në veçanti, janë krahasimisht të vona kohësisht, kryesisht të pas Luftës II Botërore.

Studimet sistematike shqiptare për banesën popullore, i kanë fillesat rreth viteve ‘60 të shekullit të kaluar. Në treshen e përmendur të studiuesve të veprimtarisë ndërtimore shqiptare, unë u ngarkova me fushën e banesës popullore. Sot, pas 56 vjetësh veprimtarie, pa ndërprerje në këtë fushe, për arsye diletanteske, shpërfillur, madje edhe në vende të zhvilluara, mund të pohoj bindshëm se tashmë në punë dhe nëpërmjet saj, kam arritur të formësoj kriteret studimore në këtë fushë sa të re, aq edhe të rëndësishme të veprimtarisë njerëzore, pra dhe të historisë së kësaj bashkësie. Në dallim prej shkencave ekzakte, studimet albanologjike, që prej nismës së tyre, shfaqen vijueshëm deri në pambarim, me përpjekje dhe arritje për t’iu afruar të vërtetave.

Siç e ka përcaktuar saktë dhe ngjeshurazi prof. E. Çabej: “Trojet shqiptare janë troje restriksioni”. Është fjala për trojet shqiptare, pra të banuara historikisht dhe ende sot prej shqiptarëve, të cilat nuk përfshihen të gjitha në shtetet shqiptare. Më konkretisht, prej veriut në jug, banesa shqiptare ndeshen në Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi. Shkaqet historike të kësaj tkurrjeje të dhunshme, paraprirë prej mashtrimeve grekosllave, i kanë detyruar vijimisht shqiptarët e brezave pararendës, vetëm në luftëra mbrojtëse. Qëndrimet shqiptare mund të cilësohen të autoktonisë mirëdashëse, si ndaj ‘fqinjëve të hershëm, ashtu dhe të ardhurve prej pyjeve të Rusisë në shek. VI. Madje këta të fundit, për çudi, gjetën djepin e Serbisë, Kosovën, të zënë prej shqiptarëve?! Besojmë se edhe pseudopatriotizmi i skajmë i sllavëve veriorë, dallohet ndaj patriotizmit racional të shqiptarëve, gjithherë autokton, pra pa probleme me dheun e tyre të gjithhershëm. Studimet shqiptare të banesës popullore, kryesisht me shembuj të shek. XIX¬XX, të cilët tipologjikisht janë të hershëm, krijuan dhe metodologjinë e bashkëpërputhshme, e cila shfaqi kompozimin vëllimor të banesës, si kriterin thelbësor për klasifikimin tiparësor të banesës popullore.

Ky kriter bazik, u shoqërua me shpërfaqjen e dukurive të tjera të rëndësishme të ndërtimit-banesë, ato të elementëve kompozicionale, arkitekturore dhe teknike, krahas materialeve ndërtimore. Rrafshi krahasues i mbarë dukurive të mësipërme në hapësirën shqiptare dhe më gjerë në atë Ballkanike, është pjesë e përfillshme e kritereve studimore, me synimin për t’iu afruar të vërtetave. Bashkësia e veprimtarive thelbësore gjurmim, përzgjedhje dhe studim i kategorisë ndërtimore banese popullore, ripërsërisim është një proces pambarim, duke qenë gjurmimi dhe përzgjedhja ai kryesori. Në dallim prej kategorive ndërtimore, ndërtime mbrojtëse, fetare dhe shoqërore, të palidhura ngushtas me jetën, kryesisht në rrafshin familjar, banesa popullore është thelbësisht e lidhur me shkallën e zhvillimit jetësor. Edhe për arsyet e rritjes të pjesëtarëve të familjeve, shumimit të familjeve njërrënjëshe etj., kërkesat për ndryshime, ndaj banesave në përgjithësi dhe atyre konkretë, janë përherë në rritje. Kuptueshëm, këto kërkesa, me realizimin e tyre cenojnë vlerat autentike të veprës, që lidhen me një periudhë dhe shkallë të veçantë të mënyrës së jetesës. Në këto rrethana, përshpejtimi i veprimtarisë për gjurmimin dhe vënien në mbrojtje të banesave popullore me vlera përfaqësuese në bashkësinë e kësaj gjinie ndërtimore, kanë përparësi urdhëruese në hapësirë dhe në kohë.

Veçanërisht rasti shqiptar në Ballkan, shfaq si një dukuri urdhëruese identifikimin e banesës shqiptare në hapësirat shqiptare, në kuptimin e lartpërmendur. Këto banesa, përveç arsyeve të natyrshme për t’u dëmtuar deri në shkatërrim, janë jashtë përkujdesjeve të duhura, për arsye të kuptueshme.

Prej njohjes sonë të përkujdesjeve për monumentet e kulturës në Shqipëri, do të theksonim thellësisht të shqetësuar, rikonfirmimin e nevojës urdhëruese për ringritjen e përkujdesjeve profesionalo-administrative për monumentet e kulturës, të arritura para vitit 1990. Lidhur për sa më sipër, gjithashtu, po ripërsëris vlerësimin e Xhevat Erderit, ish-drejtor i Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtjen dhe Restaurimin e Monumenteve, me seli në Romë, i cili në vitin 1980, pas vizitës në IMK dhe në Berat. Më tha: “Qendra Ndërkombëtare e Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve nuk duhet të jetë në Romë, por në Tiranë”. Kalofshim prej pohimeve në veprime, për vlerat e papërsëritshme — monumentet.