Trashëgimia kulturore në vend nën kërcënim nga reshjet intensive, situata e përkeqësuar në Lezhë

9 Janar 2026
Nga Julia Vrapi
Trashëgimia kulturore në vend nën kërcënim nga reshjet intensive të këtyre ditëve, që kanë përfshirë vendin tonë dhe kanë sjellë vështirësi të konsiderueshme në disa zona, duke rritur nivelin e lumenjve dhe përmbytjet lokale. Strukturat përgjegjëse për trashëgiminë kulturore po ndjekin situatën, veçanërisht në zonat historike dhe pranë pasurive kulturore, për të shmangur dëme të mundshme, ndërsa paraqiten probleme në Lezhë. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit një ditë më parë ndau informacione për situatën në vend për sa i takon trashëgimisë kulturore dhe ndikimi i reshjeve të shumta, duke shprehur se strukturat përgjegjëse po vijojnë monitorimin në territor.
Sipas MTKS-së, sa i takon qytetit të Lezhës, dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut. “Në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor. Në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës. Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit”, shprehet MTKS.
Inspektimet e kryera në ura dhe zona të tjera
Ministria e Kulturës njofton se pasuritë kulturore në të gjithë territorin mbeten nën monitorim dhe pavarësisht rritjes së prurjeve të lumenjve dhe përrenjve, deri një ditë më parë nuk ishin konstatuar dëmtime apo përkeqësime në zona të tjera. Sipas MTKS-së, inspektimet e kryera në ura dhe zona të tjera nuk kanë evidentuar problematika, ndërsa vëzhgimi në terren vazhdon, ku informacioni më i detajuar do të bëhet i njohur në vijim, në rast se situata ndryshon. “Në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.
Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim. Monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm”, vijon MTKS në njoftimin e ndarë dhe në rrjete sociale. Po dje MTKS shprehej se pavarësisht reshjeve intensive të shiut, në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, një objekt me vlera të rralla historike dhe kulturore, nuk janë evidentuar problematika.
