13 Mars 2023

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, dëshmoi për dy orë në Prokurorinë e Posaçme. Denoncimin e ish zv.komandantit të Forcës Detare, Artur Meçollari, për keqmenaxhimin e pronave të Forcave të Armatosura, ashtu si akuzat e bëra për përdorimin e aseteve të ushtrisë në fushatë, ish-ministrja e Mbrojtjes i cilësoi shpifje.

Por gazetari Basir Çollaku i ftuar në Rtv Ora thotë se këtë përgjigje marrim sa herë eksponentë të mazhorancës kapen në afera.

“Të gjithë ministrat janë bërë investitorë strategjikë. Të gjithë marrin nga një copë të Shqipërisë dhe  fusin në xhep” tha ai.

Ai shtoi se i përfshirë në këtë aferë është dhe presidenti Begaj, në atë kohë shef shtabi i përgjithshëm.

“Ministrja e Mbrojtjes, kryeministri, njerëz të policisë dhe ushtrisë. Presidenti Begaj ka qenë shef i shtabit të përgjithshëm. Kjo histori nuk mund të kalojë pa e ditur, konfirmuar apo nënshkruar.

Nëse presidenti ka firmosur dhe prokurorët konstatojnë se këtu ka elementë të veprës penale të një grupi njerëzish që kanë kryer këtë veprim, presidenti gjendet në një situatë të vështirë. Drejtësia ka një aksion, të gjithë të barabartë para ligjit”.

Çollaku theksoi se njerëzit që kanë shkelur ligjin për të përfituar janë graduar nga Rama për t’i pasur dhe në detyrat pasardhëse të kapur.

“Ekuacioni është i qartë. Njerëzit që kanë shkelur ligjin për të përfituar, Rama dhe oborrtarët e tij ekonomikë, janë graduar për t’i pasur dhe në detyrat pasardhëse të kapur që në momente të caktuara nëse do të bëjnë naze për histori të caktuara mesazhi i Ramës ku ndodhet institucioni dhe vjen shkresa.

Por kjo është e rëndë dhe për sigurinë kombëtare. Gjysma e Këshillit të Sigurisë që është përfshirë në cënimin e sigurisë. Si mund të mblidhet Këshilli për të diskutuar sigurinë nga këta që kanë prodhuar pasigurinë. Kanë një hesap të hapur me SPAK. Çmoj sekuestron preventive për bazën e Sarandës”.

Nga OraNews