“The Albanian Files”, Edi Rama – Tirana është kthyer në një laborator agresiv ndërtimi

6 Korrik 2026
I prezantuar si një album i transformimit arkitekturor të Shqipërisë, libri “The Albanian Files” hedh dritë mbi rolin e kryeministrit Edi Rama dhe vartësve të tij në përzgjedhjen e arkitektëve me famë botërore për projektet private të kullave në Tiranë dhe resorteve në bregdet.
Në orën 10 të mbrëmjes së 1 majit 2024, arkitekti amerikan, Sam Chermayeff mori një telefonatë të pazakontë nga kolegu dhe miku i tij, Pablo Bofill.
“Edi do të të telefonojë,” e njoftoi ai.
Chermayeff, 45 vjeç, drejton një studio arkitekture me qendër në Berlin dhe Nju Jork dhe deri në atë kohë, nuk kishte menduar ndonjëherë seriozisht për Shqipërinë. Por telefona rezultoi të ishte një goditje e fatit për studion e tij.
Në anën tjetër të linjës nuk ishte Edi, por Adelajda Roka – një zyrtare e lartë shqiptare që drejton Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.
“Në pak kohë na u kërkua të bënim dy projekte në Tiranë, njëri prej 30 mijë metrash katrorë dhe tjetri prej 15 mijë metrash katrorë,” shkruan Chermayeff në librin e bujshëm të titulluar “The Albanian Files”.
Ai thotë se ra dakord, “pa e kuptuar vërtet se çfarë po ndodhte”.
Vetëm pak javë më vonë, arkitekti amerikan mori avionin drejt Tiranës në një udhëtim që përshkruhet me nota edhe më të mëdha habie. Ai u prit në pistën e avionit dhe u dërgua në një vilë, të cilën e quan “House of Comrades”.
Ai takoi më pas klientët e tij të parë shqiptarë – një grup i vogël prej tre biznesmenësh, secili me makina G-Wagon, ora “Richard Mille” dhe byzylykë floriri të markës “Cartier”. Në vizitën që i bëri vendit ku do të projektohej një kullë 44 katëshe e lartë, ata i thanë se kishte dorë të lirë që të bënte çfarë të donte. Chermayeff i quan ata me krenari our guys – ‘çunat tanë’.
I pyetur nga BIRN në fund të qershorit për mënyrën se si ishte futur në tregun shqiptar, Chermayeff i bëri bisht konfirmimit në mënyrë të drejtpërdrejtë se ishte Adelajda Roka ajo që e kishte lidhur me klientët, por pranoi se ajo ishte pjesë e mekanizmit.
“Kam folur me shumë njerëz përveç Adelajdës,” tha ai përmes një bisede telefonike. “Nuk mund të konfirmoj nëse ishte Adelajda Roka që na vuri në kontakt me klientët, por besoj që ky ishte mekanizmi”.
Sam Chermayeff është vetëm një nga 60 arkitektët e studiove ndërkombëtare të përfaqësuara në librin kontrovers The Albanian Files – një ndërthurje mes përshtypjeve të tyre dhe projekteve të realizuara për kulla shumëkatëshe dhe resorte turistike si pjesë e së ashtuquajturës “rilindje arkitekturore” e Shqipërisë.
I botuar nga shtëpia zvicerane “Lars Müller Publishers” me parathënie të kryeministrit Edi Rama, libri hap një dritare mbi mënyrën se si lidhjet e shkurtra me emrat e mëdhenj të arkitekturës botërore shërbejnë si një kartvizitë suksesi përballë Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, ku nën drejtimin e Ramës miratohen lejet e ndërtimit.
Disa prej arkitektëve rrëfejnë për më tepër në libër se projektet multimilionëshe të ndërtimit porositen drejtpërdrejt përmes kryeministrit, drejtoreshës së AZHT-së apo rrjeteve informale për llogari të klientëve privatë.
Shkrimtari dhe publicisti Fatos Lubonja, një kritik i hershëm i planeve të Ramës për ndërtimin e kullave në Tiranë, e konsideron këtë si “provë të kapjes së shtetit’.
“Përdorimi i star-arkitektëve është velloja për të mbuluar këtë aktivitet, që unë e konsideroj kriminal të pastër dhe këtu mendoj që ka vend për hetim,” tha Lubonja për BIRN.
Kryeministri Edi Rama dhe drejtoresha e AZHT-së, Adelajda Roka nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.
Telefonatat e kryeministrit
The-Albanian-Files
Prej më shumë se një dekade, Tirana është kthyer në një laborator agresiv ndërtimi, ku lejet e kullave dhe komplekseve të mëdha justifikohen me vizionin e një kryeqyteti në rritje të shpejtë.
Projektet bazohen në Planin e Përgjithshëm Vendor TR030, i hartuar në vitin 2016 nga studioja e arkitektit Stefano Boeri mbi një skenar zgjerimi demografik dhe territorial për Tiranën. Plani parashikonte një rritje të paktën me 200 mijë banorë brenda 15 vitesh, por censi i vitit 2023 tregoi një realitet tjetër.
Në vitin 2023, Bashkia e Tiranës rezultoi me 591,427 banorë rezidentë, ndërsa në territorin e saj u regjistruan mbi 52 mijë banesa të pabanuara, 40 mijë prej të cilave apartamente në pallate.
Megjithatë, realiteti i kryeqytetit në tkurrje nuk e frenoi valën e ndërtimeve.
Tirana u kthye në “El Doradon” e arkitektëve të huaj, shpeshherë me këmbënguljen direkte të kryeministrit Edi Rama, siç sugjeron libri “The Albanian Files”.
I kuruar nga redaktorja Anneke Abhelakh, libri përmban rreth 520 projekte të hartuara nga gjashtëdhjetë studiot ndërkombëtare të arkitekturës në Shqipëri, duke filluar nga mesi i viteve 2000 kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës. Por numri i tyre u rrit ekponencialisht në sasi dhe volume ndërtimi pas vitit 2020, kur Rama ishte në mandatin e tij të tretë si kryeministër.
Disa prej aktitektëve në libër e përshkruajnë përvojën e tyre shqiptare me një sinqeritet tronditës – siç është rasti i arkitektit austriak, Chris Precht, i cili thotë se u kontaktua nga kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në Instagram. Studio e Precht ka projektuar një sërë ndërtimesh masive në Tiranë dhe zona të tjera të vendit, përfshirë edhe projektin e debatueshëm “Eden”, një strukturë brenda oborrit të Kryeministrisë.
I ftuar direkt nga Rama thotë se është edhe Alejandro Aravena, një arkitekt i njohur nga Kili.
“Benedetta Tagliabue [arkitekte spanjolle] më shkroi për të më pyetur nëse isha dakord që numri im i kontaktit t’i jepej kryeministrit të Shqipërisë. I thashë: ‘Sigurisht’. Pesë minuta më vonë më kontaktoi kryeministri, duke më pyetur nëse mund të vija në Tiranë për të diskutuar mundësinë e një projekti”, shkruan Aravena, që drejton studion “Elemental”. Projekti i tij, një kullë 300 metra, ngjitur me atë që njihet si Mali i Tiranës, është më e larta e projektuar deri tani në kryeqytet.
Studioja gjermane e arkitekturës, BOLLES+WILSON ka punuar në Tiranë që prej kohës kur Rama ishte kryetar bashkie dhe sipas përshkrimit në libër, dërgoi në drejtim të tyre një investitor shqiptar. Projekti që pasoi ishte ndërhyrja në fasadën e një kulle në ndërtim, e cila, sipas rrëfimit të tyre, “nuk kishte përmbushur pritshmëritë e kryebashkiakut.”
Të marra veçmas, këto rrëfime mund të lexohen si dëshmi të dëshirës për arkitekturë cilësore të kryeministrit Rama, por të marra së bashku, ato tregojnë një model problematik, në të cilin arkitektët e huaj nuk hyjnë përmes një tregu të hapur konkurrues, por përmes një rrjeti ku kryeministri dhe institucionet pranë tij shfaqen si orientues, ftues ose ndërmjetës.
Në këtë kuptim, The Albanian Files është sipas Lubonjës jo vetëm një libër arkitekture, por një dokument politik dhe provë për hetime të mëtejshme. Ai thekson se projektet e mëdha duhen parë në lidhje me interesat private, ndryshimet ligjore të bëra për llogari të tyre si paratë kriminale që janë përdorur për ngritjen e tyre.
Lubonja thotë se “The Albanian Files” tregojnë gjithashtu se një pjesë e këtyre projekteve—përfshirë atë për resortin me 5 yje të propozuar nga Jared Kushner—ishin planifikuar që para ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.
“Këto projekte ishin pa u ndryshuar ligji, biznesmenët e dinin dhe kjo është provë e kapjes së shtetit,” theksoi Lubonja.
Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, e lexon librin si dëshmi të një mënyre informale qeverisjeje, ku institucionet nuk e kontrollojnë procesin, por e certifikojnë atë.
“Është një lloj demonstrimi i një deliri madhështie të një kryeministri që e konsideron veten përtej ligjit,” tha Muçi për BIRN.
“Institucionet janë aty për të certifikuar marrëveshjet informale,” tha ai, ndërsa akuzoi kryeministrin se bënte rolin e ndërmjetësit dhe studiot e huaja të arkitekturës se kishin gjetur në Shqipëri një vend “ku mund të shfrenojnë fantazinë duke tejkaluar çdo normë urbanistike”.
Jo thjesht çështje shijeje
Kulla-shumekateshe-ne-Tirane-600×400
Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes intervistave me arkitektë dhe investitorë vendas tregojnë se ftesat për arkitektët e huaj vijnë me një kosto të lartë, të paktën 10-fishin e çmimeve të tregut, të cilat u faturohen blerësve fundorë.
Kjo ka krijuar gjithashtu një mekanizëm hierarkik privilegjesh për studiot ndërkombëtare dhe partnerët e tyre në Shqipëri, që lidhet drejtpërdrejt me suksesin e miratimit të lejeve të zhvillimit apo ndërtimit në Këshillin Kombëtar të Territorit, KKTU.
Nëse çmimet mesatare të projektimit variojnë nga 7-10 euro për metër katror, arkitektët e huaj faturojnë deri në 60 euro për metër katror, duke përfshirë këtu edhe pagesat për studiot lokale të projektimit. Në varësi të sipërfaqeve të ndërtimit, kostot e projektimit luhaten nga 300 mijë deri në 2 milionë euro.
Megjithatë, shumë biznesmenë ndërtimi e konsiderojnë këtë një investim të sigurt.
Adjon Hanxhari, pronari i kompanisë “Hanxhari Group” shpenzoi 120 mijë euro për një studio lokale projektimi për një kompleks turistik në Vlorë, por projekti u rrëzua nga KKTU. Tani ai i është rikthyer sërish projektit, por këtë herë ka një studio të huaj arkitekturore nga pas.
“M’u ofrua një studio lokale që më tha: ‘Kemi arkitektin e duhur për këtë rastin tënd,” tha Hanxhari në një bisedë telefonike me BIRN. Ai e sheh arkitektin e huaj si garanci cilësie.
“Arkitektët e huaj janë më dinjitozë. Planet e tyre janë të detajuara dhe parashikojnë edhe rrezet e diellit,” tha Hanxhari, duke pretenduar se studiot shqiptare e kishin lënë në baltë.
“The Albanian Files” zbulon më shumë mbi projektin që synon të zhvillojë Hanxhari, një kompleks hotelerie mbi një shpat shkëmbor që bie thikë mbi bregdetin e Vlorës, i pagëzuar si “Vlora Calligraphy”.
Projekti po zhvillohet nga arkitekti nga Koreja e Jugut, Minsuk Cho, themelues i Mass Studies, i cili gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë në gusht 2024, u takua me drejtoreshën e AZHT-së, Adelajda Roka, e cila e prezantoi me disa projekte potenciale ku mund të përfshihej.
Cho shkruan në libër se i shoqëruar nga Adelajda dhe një koleg i tij, ai u takua edhe me kryeministrin Rama, me të cilin bisedoi se si Shqipëria kishte qenë dikur Koreja e Veriut e Europës. Në një moment, ai shkruan se Rama e kishte pyetur edhe për gjurmën e sipërfaqes së ndërtimit që klienti synonte të ndërtonte. Cho thekson se pasi dëgjoi përgjigjen, Rama bëri një llogaritje të shpejtë me mendje dhe vërejti se me shumë mundësi ishte e tepërt për vendin.
Arkitekti Minsuk Cho nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN, por partneri i tij lokal, Genti Shtëmbari, themelues i studios Artech, mohoi që kontakti të kishte ardhur nga zyrat e qeverisë.
“Ne e kemi kërkuar bashkëpunimin dhe bashkëpunojmë me një sërë studiosh të huaja, pasi këto janë projekte të mëdha dhe ne nuk mundemi t’i realizojmë vetëm,” tha Shtëmbari për BIRN.
Ai shtoi gjithashtu se arkitektët e huaj kërkohen nga investitorët, pasi kjo u jep vlerë investimit të tyre. I pyetur për takimin e arkitektëve koreanë me Ramën dhe Rokajn, Shtëmbari tha se nuk mund të fliste, pasi nuk kishte qenë i pranishëm.
Por një arkitekt shqiptar i përfshirë në disa prej projekteve të “The Albanian Files” e quajti situatën e krijuar si absurde.
“Në AZHT nuk shkohet me projekt, por shkohet për takim,” tha arkitekti në kushtet e anonimatit, nga droja se publikimi i emrit do të dëmtonte biznesin e tij dhe klientët për të cilët punon.
“Arkitektët e huaj duhen për të thyer ligjin, sepse Maliqi [Rama], u lejon atyre të bëjnë atë që studiove lokale nuk u pranohet fare,” shtoi ai.
Sipas tij, përzgjedhja e arkitektëve të huaj nuk është thjesht çështje shijeje apo cilësie, por lidhet me aksesin te vendimmarrja, që përcakton se cila parcelë ndërtohet dhe cila jo, bashkë me intensitetin e ndërtimit.
“Këto janë si saçmet që kur qëllon me shotgun përhapen në të gjithë vendin. Por këto janë saçme që bien aty ku duhet, aty ku pastaj miratohet leja,” përfundoi ai.
Dielli, hëna, ylli
Tre muaj pas telefonatës së pazakontë nga Tirana, kulla 44-katëshe e projektuar nga arkitekti amerikan, Sam Chermayeff, mori leje zhvillimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Me një sipërfaqe prej 30 mijë metrash katrorë, aq sa i ishte premtuar arkitektit në bisedën telefonike me Rokën të përmendur në libër. Vendimi mban datën 31 korrik 2024 për objektin e titulluar “Sun Moon Star”; një kremtim sipas autorit i amalgamës arkitekturore të Tiranës.
Kulla në rrugën “Asim Vokshi” pranë Bulevardit të ri të Tiranës do të shërbejë si strukturë banimi e hotelerie dhe po zhvillohet nga kompania Al-Point në pronësinë e Aleksandri Vasilit – një nga tre burrat e përshkruar si “our guys” nga arkitekti.
Ndryshe nga përshkrimi i Chermayeff në libër, Vasili i tha BIRN se arkitekti i huaj ishte përzgjedhur dhe ftuar prej tij për të realizuar projektin e kullës “Sun Moon Star”.
“E kisha ndjekur punën e tij, e kisha studiuar, siç bëj dhe me arkitektë të tjerë, dhe e kam ftuar unë,” tha Vasili, i cili shtoi se ishte edhe vetë arkitekt në profesion.
Për Sam Chermayeff, kontaktet e drejtpërdrejta me drejtoreshën e AZHT-së dhe kryeministrin Rama nuk përbëjnë një rast për konflikt interesi. Sipas tij, edhe në vende të tjera ndodh që institucionet që miratojnë lejet apo planet e urbanizimit të jenë në kontakt me arkitektët dhe investitorët.
“Shqipëria është e veçantë, por jo e veçantë në këtë rast,” tha ai, ndërsa shtoi se i qëndronte punës së tij.
Megjithatë, Chermayeff pranoi se kërkesat e qytetarëve për të qenë të përfshirë janë legjitime, duke pasur parasysh protestat dhe kritikat për librin.
“Mendoj që njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë transparencë,” përfundoi ai./BIRN
