Tensione në Rrjoll/ Banorët vijojnë protestën kundër ndërtimit të resortit, 6 persona shoqërohen në polici

26 Shkurt 2026
Banorët e zonës së Rrjollit kanë vijuar edhe sot protestën e tyre pranë kantierit ku po ndërtohet një resort turistik, duke kundërshtuar projektin që sipas tyre cenon pronat dhe të drejtat e tyre.
Edhe gjatë ditës së sotme nuk kanë munguar tensionet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë, të cilat ishin të pranishme në terren për të garantuar mbarëvajtjen e punimeve dhe rendin publik. Banorët janë shprehur se ndaj tyre është ushtruar dhunë, ndërsa akuzojnë shtetin se po mbron, sipas tyre, “zaptuesit e pronave”.
Nga ana tjetër, burime zyrtare konfirmojnë se 6 persona janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa një prej tyre është lënduar në dorë. Protestuesit kanë paralajmëruar se do ta vijojnë kundërshtimin e tyre deri në pezullimin e punimeve, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar.
