Dhorka dhamo

TE DHENA PER DATIMIN E AFRESKEVE NE BERAT. –
Botuar ne: MONUMENTET, 2/1990 (40) IMK Tiranë.

Dhorka DHAMO

Në Berat, të vetmin ansambël me afreske bizantine e ruan kisha e Shën Triadhës me piktura në naos dhe në narteks. Kohë pas kohe studjues të ndryshëm përfshirë dhe autorin e këtij kumtimi u janë kthyer këtyre veprave duke ripohuar bukurinë piktorike, veçantitë stilistike apo vlerat ikonografike, por në asnjë rast nuk ka qënë e mundur të argumentohej e të përcaktohej me përafërsinë e duhur koha e realizimit të tyre.
Kthesa drejt zgjidhjes së këtij problemi filloi me daljen në pah të mbishkrimit mbi hyrjen jugore të narteksit, nga i cili u përfitua emri i ktitorit Andronik Paloeolog. Por me këtë emër njihen disa persona historik. Dy nga ata janë perandorët bizantinë, Androniku i II- të, portreti i të cilit është paraqitur në fasadën e kishës së Apollonisë, dhe Androniku i III- të që, siç dihet, ka pas pushtuar edhe Beratin. Ndërkaq Andronik Paloeolog quhej edhe njëri prej guvernatorëve të këtij qyteti. Duke mos u përcaktuar se cili prej personaliteteve të mësipërme ka qenë ktitori, ishte e vështirë të vendosej saktësisht në kohë edhe piktura e hajatit, prandaj u konkludua se ajo nuk mund të jetë më e hershme se viti 1282, viti i fillimit të sundimit të Andronikut II- të, por as edhe më e vonshme se viti 1341 i vdekjes së Andronikut të III- të. Me zbulimin kohët e fundit prej restauratorëve beratas në murin perëndimor pranë hyrjes së figurës me maketin e kishës në dorë, mund të quajmë të zgjidhur dy probleme. Së pari, veshja prej fisniku përjashton mundësinë që ktitori të ketë qenë perandor, ajo na sugjeron portretin e Andronik Paleolog Asanit, të guvernatorit lokal. Së dyti, me këtë gjendje e përcaktim të ktitorit caku më i vonshëm kohor i pikturimit ngushtohet nga 1300 deri më 1326, viti i fundit i qeverisjes së Asanit në Berat.

Dhorka Dhamo.

Argumentin më të ri dhe më me vlerë në këtë drejtim, na e dha njohja dhe shqyrtimi kohët e fundit i pikturës së Sinjës.
Piktura e kësaj kishe- shpellë që i kushtohet Fjetjes së Shën Mërisë përbëhet nga tri shtresa të ndryshme. E fundit, i takon periudhës pasbizantine të vonë. Nga shtresa e parë e pikturës ruhet vetëm portreti i Shën Mërisë Platiterës, nga i cili është vështirë, tani për tani, të gjykosh për të tërën pasi e gjithë pjesa tjetër është mbuluar nga një shtresë e dytë. Në këtë shtresë të dytë pikture gjetëm një mbishkrim të ruajtur mjaft mirë, të ndarë në dy pjesë e të shkruar në greqishten tradicionale kishtare. Nga mbishkrimi mësojmë se piktura është realizuar në vitin 1292 në kohën e Andronik Paleologut dhe gruas së tij Irena kur në krye të “së shenjtës peshkopatë të Gllavenicës” ishte peshkop Joaniqi. Emri i këtij të fundit të dhënë me shkurtime, na e saktësoi Koço Bozhori. Veç këtyre, mbishkrimi na jep edhe emrin e murgut Neofit që, me sa dukej, është ktitor, pasi e shohim të paraqitur me veshjen karakteristike në miniaturë pranë Shën Mërisë Platiterës në shkëmbin e lakuar të përshtatur si absidë.
Kualitete të larta në pikturën e shpellave vërejmë edhe në vise të tjera të vendit. Ato dëshmojnë për veprimtarinë artistike të atelieve që kanë punuar me të njëjtat kërkesa si në kishat e qyteteve e të qëndrave të mëdha ashtu edhe në atë të guvave. Berati me materialin e vet e përforcon akoma më tepër këtë tipar karakteristik.

Dhorka Dhamo

Stili paleolog në Berat dhe në rrethinën e tij hyn në mënyrë të natyrshme dhe, në se nga arti paraardhës njihen vetëm disa miniatura kodikësh të shek. XI- XII e disa piktura monumentale, si shtresa e parë e vitit 1292 e Sinjës, piktura me datë më të hershme të njohur e vitit 1272 e Rubikut, është e rëndësishme të theksojmë se ky stil u pasua më tej me të tjera vepra, siç janë ikonat e festave, ungjillëzimi, krishtëlindja, të mundshme për të qenë bashkëkohore me afresket e hajatit të Shën Triadhës, si dhe një varg ikonash dhe miniatura të shek. XIV- XV të riprodhuara me dorë në skriptoret e Beratit, në manastirin Vangjelistra, etj, të paisur me data dhe të dhëna për autorët dhe porositësit, që ishin përgjithësisht funksionarë nga radhët e aristokracisë të këtij qyteti. Traditat e pasura të Beratit u rritën më tej në shekujt e mëvonshëm dhe mjeshtra të tillë të shquar si Onufri, lanë në këtë qytet një varg pasuesish të njohur me emër apo dhe anonimë.

Berati.