29 Janar 2026
Nga: Gazeta Sot
Taulant Balla del në komunikim me banda kriminale, zbardhet dokumenti, hetimet ndaj Suel Çelës implikojnë kreun e grupit të PS, dalin detajet nga përgjimet në dosjen hetimore

Hetimet e zhvilluara ndaj Suel Çelës kanë nxjerrë në dritë përgjime që, sipas dokumenteve hetimore, implikojnë edhe emrin e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në grupet kriminale. Sipas një statusi të publikuar në “Facebook” nga dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, bëhet fjalë për komunikime të koduara mes personave nën hetim ku përmendet “Tao”. Në fragmentet e zbardhura të përgjimeve, flitet për marrëveshje mes palëve që të mos kërkoheshin tenderë apo favore publike jashtë atyre të dakorduara më herët. Mesazhi i datës 10.02.2020 thuhet se i është përcjellë Taulant Ballës, duke i vendosur edhe një afat kohor deri në muajin dhjetor. Në përgjigje, sipas dokumentit, Balla kërkon garanci për mbështetje elektorale nëse persona të caktuar përfshihen në lista dhe përfundojnë në burg. Palët përgjigjen se kjo garanci ekziston, ndërsa më pas citohet se “ata do të shkojnë në burg këtë vit”. Malltezi pretendon se vetëm këto pak rreshta adresojnë disa vepra të rënda penale, duke kërkuar reagim dhe transparencë nga organet e drejtësisë. Deri më tani, nuk ka një reagim zyrtar nga Taulant Balla lidhur me këto pretendime, ndërsa më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të z. Jamarbër Malltezi dhe dokumentin që implikon deputetin e PS, Taulant Balla.

Reagimi i z. Jamarbër Malltezi

Në një status në FB, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamambër Malltezi ka publikuar dje një fragment të shkurtër nga përgjimet në dosjen hetimore që po zhvillohen ndaj Suel Çelës, ndërsa emri i përmendur ndër rreshta është Taulant Balla. Malltezi shkruan se në ato pak rreshta përgjime, ndaj Ballës ‘adresohen’ një sërë veprash penale, duke i renditur ato njëra pas tjetrës.

“Taulant Balla – 5 rrjeshta tekst disa vepra penale:

  1. lidhje me krimin e organizuar
  2. tenderat a paracaktuar për krimin i cakton Taulanti
  3. nënshtrim i prokurorisë dhe gjyqësorit sipas porosive te Taulanti

Me dt. 10.02.2020 Target informon PIN AM5P80 se kishin rene dakort mes tyre qe te mos i kërkonin Taos asnje tender publik apo favore te tjera përveç atyre qe kishin rene dakort te kërkonin! Ky mesazh ju përcjell Taos dhe i dhanë afat deri ne Dhjetor. Tao iu përgjigj kësaj: a garantoni qe te gjithe ata njerëz do te votojnë për nese vendosim ne liste ata qe doni ne burg. Përgjigja ishte: “Po ne e garantojmë këtë”. Me pas Tao tha: “Ata do shkojnë ne burg këtë vit””, shkruan Malltezi.

Berisha nxjerr bisedat në “SKY ECC” për Ballën: Çelët i kërkuan arrestimin e Çapjave në këmbim të votave

Ndërkohë pak ditë më parë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi nga foltorja kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla se jo vetëm ka rënë në përgjime me banda kriminale, por ka porositur edhe vrasje. Sipas Berishës, dokumentet dhe mesazhet e zbardhura tregojnë se Balla ka vepruar si pjesë e një skeme kriminale të mirëorganizuar. Ai deklaroi se krimi i organizuar kërkonte futjen e njerëzve të vet në listat e deputetëve, duke marrë garanci direkte për votat në Kuvend. Berisha tha se Taulant Balla, në rolin e kreut të grupit parlamentar, u dha dritën jeshile bandave për të futur emra të diktuar nga burgu. Në sallë u përmendën përgjime ku flitet për marrëveshje të mbyllura dhe afate konkrete për realizimin e tyre. Sipas Berishës, Mario Çela, i njohur si “Target”, fliste për vrasje të porositura dhe pazare politike të mbuluara me vota. Ai theksoi se këto nuk ishin thjesht favore apo tendera, por krime të rënda të porositura me mbrojtje politike. Berisha akuzoi Ballën se garantonte personalisht votat nëse kërkesat e bandave plotësoheshin.

“Në datën 20.02.2020, Target, ose Mario Çela, me të cilin, parafolësi që duhet të ishte sot i dënuar të paktën 40 vite për vrasjet që ka porositur me dokumenta, informon PIN-in. Se kishin rënë dakord mes tyre që të mos kërkonin Taos, këtij këtu… të mos i kërkonin… dëgjojeni… bandës. Asnjë tender publik, se ky merret me tendera… asnjë tender publik apo favore të tjera përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin. Ky mesazh iu përcoll Taos. Dhe i dhanë afat gjer në dhjetor. Dëgjojeni! Është krahu i kartelit të Çelës. Tao iu përgjigj kësaj. E garanton… a garantoni që të gjitha ata njerëz që do të votojnë për ne nëse vendosim në listë ata që donin nga burgu? Dëgjojeni! Dëgjoni çfarë krimineli është. Ja ku e ka vendin ky. Prisni. Përgjigja ishte: Po! Ne e garantojmë këtë”, deklaroi Berisha.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.