
Stuhi shiu dhe breshëri ‘mbërthejnë’ Belshin, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve: Bëni kujdes
20 Qershor 2025
Pas orës 14:00 të së premtes, zona e Belshit dhe e Dumresë u përfshi nga një stuhi e pazakontë me reshje të dendura shiu dhe breshëri, e shoqëruar me erë të fortë e cila ka sjellë pasoja serioze në qarkullimin e këmbësorëve, automjeteve dhe në kryerjen e punëve në sektorin agro-bujqësor.
Reshjet kanë paralizuar gjithçka duke penguar në mënyrë të menjëhershme lëvizjen në rrugët kryesore. Pjesë të rrugëve u përmbytën, pasi kolektorët nuk arrinin të përballonin sasinë e madhe të ujit duke krijuar ambiente jo të sigurta për kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve  .Pamundësia për të menaxhuar prurjet e ujit është përkeqësuar nga erërat e forta, të cilat kanë vështirësuar ndërhyrjet e shpejta të emergjencës dhe kanë shtuar rrezikun në rrugë.
Pavarësisht se aktualisht nuk janë raportuar dëme, autoritetet lokale kanë bërë apel të fortë banorëve për të qëndruar në shtëpi deri sa moti të qetësohet. Gjithashtu, është kërkuar shmangia te lëvizjeve të panevojshme ditën e sotme deri në qetësimin e kushteve atmosferike.
Autoritetet vendore garantojnë reagim të shpejtë në rast emergjence dhe informin të shpejtë për situatën e krijuar nga moti. Ky fenomen i papritur dhe intensiv reshjesh është një nga rastet e rralla të motit ekstrem të regjistruara në këtë rajon.