Studimi kinez: – “Dozë e tretë për të vaksinuarit me ‘Coronavac’”

– Alimehmeti: Të kryhet brenda nëntorit, për të përballuar valën e radhës

11 gusht  2021

E thotë Kina zyrtare: “Coronavac” ofron veçse gjashtë muaj garanci ose efektivitet. Më tej, niveli i antitrupave, kryesisht te të moshuarit, shkon drejt zerimit.

Vetëm një dozë e tretë indukton me shpejtësi imunizim të fortë. Me shpërthimin e valëve e varianteve të reja të COVID-19 që preku edhe të vaksinuarit, “CDC Hebei”, laboratori kyç i shëndetit publik në Kinë dhe firma farmaceutike “Sinovac” kanë marrë në studim rastet për të arritur në konkluzionin se dy doza vaksine janë të pamjaftueshme për të mbrojtur popullatën.  Veçanërisht, ata mbi 60 vjeç.

Është mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti ai që e sjell studimin, duke e interpretuar si domosdoshmëri për politikëbërësit që të shikojnë mundësinë e implementimit të një doze të tretë për të vaksinuarit me dy doza deri tani. E mundësisht, nga ato të miratuara nga autoritetet rregullatorë në botë. “’Coronavac’ ka nevojë për një dozë të tretë te moshat mbi 60 vjeç, janë gjetjet e studimit klinik zyrtar të fazës së parë dhe të dytë në Kinë.

Autorët kanë dalë në përfundimin se një dozë e tretë indukton me shpejtësi në shtatë ditë përgjigje imunitare të fortë. Këto rezultate mund të ndihmojnë politikëbërësit të përcaktojnë nevojën dhe kohën e saktë të dhënies së dozës së tretë te të moshuarit.

Duke qenë se Shqipëria ka vaksinuar kryesisht mosha të vjetra me ‘Coronavac’ në periudhën mars-prill-maj, këto gjetje duhet të na mbështesin përdorimin e një doze të tretë ‘Coronavac’, akoma më mirë ‘Pfizer’ apo ‘AstraZeneca’, brenda muajit nëntor, për t’i bërë ballë vjeshtëdimrit të ardhshëm”, shkruan eksperti i Shëndetit Publik, njëherësh anëtar i Akademisë së Shkencave. Përpara se ta thotë Kina, shumë shtete të tjera e kanë parë si mundësi e disa prej tyre e kanë aplikuar tashmë. E tillë është Turqia, që përpara se ta ndërmjetësonte “Coronavac” në Shqipëri, nisi vaksinimin masiv me vaksinën kineze, duke u bërë ndër të parat shtete të mëdha që i besuan asaj.

STUDIMI

Dy fazat e para të studimit te personat mbi 60 vjeç dolën në konkluzionin se 97.8% e personave kanë antitrupa neutralizues ndaj virusit. Por, kjo siguri nuk zgjaste më shumë se gjashtë muaj, kur vetëm 17.8% e personave vijonin të ruanin të njëjtin nivel antitrupash. Pra, një rënie me 80% brenda një gjysmë viti. Eksperimentimi i një doze të tretë te të njëjtët persona konkludoi se 100% e tyre zhvillonin antitrupa neutralizues.

“Në nivel sasior, titri gjeometrik mesatar i antitrupave neutralizues ishte: 42.7 (pozitiv) dy javë pas dy dozave (niveli i rekomanduar >8), 3.4 (negativ) gjashtë muaj pas dy dozave (niveli i rekomanduar >8) dhe 305.0 (pozitiv) shtatë ditë pas dozës së tretë. Doza e tretë (3 ìg) është toleruar mirë dhe të gjitha reaksionet ishin të gravitetit të nivelit 1 dhe 2. Autorët dalin në përfundimin e qartë se: Titri i antitrupave neutralizues bie shumë gjashtë muaj pas dy dozave ‘Coronavac’ te moshat e vjetra (>60 vjeç). Një dozë e tretë indukton me shpejtësi (7 ditë) përgjigje imunitare të fortë”, shkruan Alimehmeti në statusin sqarues të studimit kinez.

Gazeta Panorama