
Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 – Kritikë ligjit per Trashegimine që krijon pengesa
Nga Julia Vrapi
Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës do të jetë një proces, ku pjesëmarrësit të ndajnë ide dhe vizione për zhvillimin e kulturës në vendin tonë. Artistë, profesionistë dhe drejtues institucionesh një ditë më parë u mblodhën në takimin, që u zhvillua për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për Kulturën 2026-2030. I pranishëm në këtë takim ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, kërkoi një qasje të re, më pak burokraci dhe që kultura të jetë dhe një gjenerues real ekonomik. Ndër të tjera ai u shpreh dhe për pengesat që krijon ligji për trashëgiminë kulturore. “Ligji jonë është aq i komplikuara sa eksperti i UNESCO-s tha që ligji juaj i trashëgimisë superon çdo fantazi dhe çdo imagjinatë tonën për të mos lënë që gjërat të bëhen, domethënë ideja ishte që ia kishim kaluar dhe atyre. 120 faqe ligj.
Pa korpus aktesh dhe vendimesh, i cili do ja dhjetë vjet të bësh 250 VKM. Nuk e di se pse zyrtarët tanë, njerëzit tanë, sektorët tanë, se janë po ata që i shkruajnë, janë po ata që i bëjnë, janë po ata që i konceptojnë dhe pastaj janë po ata që ne kur shkojmë, sot, thonë jo, jo, se është ai komisioni, është ai grupi, është ajo kështu. Jemi në një pikë që nuk shprehim dot lirshëm atë që kemi, atë që jemi për shkak të vështirësisë së madhe që kemi me ligjin”, tha Gonxhja . Në HangArt – Kinostudio, Tiranë, ku u zhvillua forumi i hapur për të ardhmen e kulturës në Shqipëri ishin të pranishëm artistë, profesionistë dhe drejtues institucionesh, ku ministri Blendi Gonxhja u shpreh dhe për të tjera çështje, sipas tij është e nevojshme edhe riformatimi i ngjarjeve, që konsumojnë buxhete të mëdha, por kanë ndikim të kufizuar afatgjatë. Sa i takon problemeve me infrastrukturën ligjore ato janë vënë në dukje edhe nga artistë të ndryshëm më parë, por dhe sa i takon ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë gjithashtu profesionistë e ekspertë kanë shprehur vërejtje më parë.
Fillimi i një rruge për politikën kulturore
Hartimi për Strategjinë e re Kombëtare të Kulturës pritet të jetë një proces gjithëpërfshirës që synon të ndërtojë një strategji moderne, bashkëkohore dhe të qëndrueshme për kulturën shqiptare. Në reagimin e tij kreu i MTKS thekson se dje u shënua fillimi i një rruge të re për politikën kulturore të vendit, nisja zyrtare të punës për Strategjinë Kombëtare të Kulturës 2026-2030. “Një proces gjithëpërfshirës që do të ndërtojë vizionin e përbashkët për kulturën shqiptare të së ardhmes, bazuar në trasenë e fortë që kemi nisur të ndërtojmë në MEKI, sot në MTKS. Kultura është fuqi krijuese, ekonomike dhe diplomatike, që lartëson identitetin tonë dhe e pozicionon Shqipërinë si qendër të krijimtarisë në rajon”, vijoi ministri Gonxhja në reagimin e tij dhe në rrjete sociale. Në bashkëpunim me Agjencinë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondacionin “Santagata”, strategjia e re synon: të fuqizojë institucionet kulturore; të mbështesë artistët dhe skenën e pavarur; të investojë në infrastrukturën kulturore dhe trashëgiminë kombëtare; të krijojë kushte dinjitoze për artin si profesion e burim të qëndrueshëm jetese.
“Nga muzetë e rinj te qendrat krijuese, nga reformat për artin te programet kombëtare të granteve, kjo është një ftesë për çdo zë të artit dhe kulturës shqiptare, por dhe njohës e ekspertë, komunitet e grupim, të bëhet pjesë e procesit!”, shprehet ministri Gonxhja. Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare të Kulturës 2026-2030 vjen në një kohë kur edhe pse janë bërë investime në disa institucione në vend, arti dhe kultura vijon të përballet me probleme nga më të ndryshmet. Hartimi i Strategjisë së re pëë Kulturën në vend vjen pas asaj 2019-2025 me vizion: Artet dhe trashëgimia kulturore e Shqipërisë, si forcë shtytëse për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit. Ndërsa misioni i saj siç thuhej në dokument për strategjinë në kulturë 2019-2025 ishte krijimi i mjedisit të favorshëm për rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve dhe produkteve kulturore dhe krijuese në sektorin publik dhe privat.