Specialistët: Muzeu Arkeologjik i Tiranës nuk plotëson kushtet për të qenë muze i kohës. –

Muzeu Arkeologjik i Tiranës në vëmendjen e specialistëve të trashëgimisë, por jo të shtetit. Muzeu, i cili është i njohur për rëndësinë e tij vijon të jetë me probleme me kushtet e munguara, por dhe godinën. Herë pas here edhe drejtues të Akademisë së Studimeve Albanologjike kanë pohuar problemet në muze por situata vijon njëlloj. Edhe për specialistët e trashëgimisë Muzeu i Arkeologjisë nuk plotëson kushte për të qenë muze i kohës. Sipas tyre nëse nuk kryhen investime në godinën aktuale të mendohet për një tjetër të re. Restauratori Frederik Stamati pohon se Muzeu Arkeologjik në Tiranë është shumë larg për kushtet me muzetë, që janë sot në botë. “Në Muzeun Arkeologjik janë bërë disa herë punime, por ka munguar një investim i plotë për rikonstruksionin e tij. Ajo punë që është bërë para ‘90 ka qenë mbase maksimalja, që mund të bëhej për atë muze sa i takon rregullimit, por sot gjërat kanë evoluar dhe nuk jemi më në ato vite. Ky muze sot në Tiranë krahasuar me ata në botë as nuk mund të flasim. Nuk mund të bësh asnjë krahasim. Jemi larg shumë atyre muzeumeve, që ka bota sot”, tregon restauratori. Për Stamatin jo vetëm ndriçimi që është me probleme apo dhe vitrinat, por nëse bëhen rregullime të jenë sipas kohës. “Në muze kërkohen vitrinat e reja, të jenë praktike dhe moderne dhe jo ato që janë bërë në atë kohë. Ndriçimi mund të jetë i përgjithshëm, por jo me llamba që transformojnë ngjyrat dhe nga ato që lëshojnë rrezatim UV. Pra, llambat nuk vendosen nga elektricisti, por specialisti i ndriçimit në muze. Mund të përdoret me efikasitet edhe ndriçimi me spote për të vënë në pah gjëra të veçanta”, shprehet restauratori Stamati. Në lidhje me punën në muze për objektet restauratori Frederik Stamati tregon se aty ka objekte të restauruara, por dhe të tjera që kërkojnë ndërhyrje. “Në muze janë të paraqitura si kudo në botë të gjitha etapat, që ka kaluar restaurimi. Ka objekte që nga 1960 që janë restauruar dhe deri sot. Aty në atë muze ka dhe restaurime të vjetra, që nuk janë të kohës dhe ne kemi ndërhyrë në mënyrë që të jenë më të paraqitshëm objektet. Por aty ka dhe objekte të parestauruara, që kanë domosdoshmëri për t’u trajtuar në laborator në mënyrë që të ngrihen në nivelin që kërkon muzeumi, gjë e cila nuk është bërë dhe se shpjegoj dot pse, sepse ne jemi treguar të gatshëm për punën”, pohon restauratori Frederik Stamati.

Muzeu nuk ka kapacitetin për objektet

Kushte të tjera për Muzeun e Arkeologjisë janë kërkesë e kohës, por ideja për një godinë të re mbrohet fort nga specialistët. “Me gjendjen që ka sot ai muze duhet një investim i plotë ose një godinë e re, që të kemi një muze i ri arkeologjik me të gjitha parametrat e duhura teknologjikë të kohës dhe të jetë bashkëkohor. Ne kemi pas kërkuar dikur që të ishte te Piramida, por kjo nuk u bë. Muzeu sot është i vogël dhe nuk po përballon dot volumin e objekteve arkeologjike që duhen ekspozuar”, tregon mes të tjerave restauratori Frederik Stamati. Në një reagim të saj edhe arkeologia Lida Miraj u shpreh se zëri i specialistëve duhet dëgjuar dhe kanë të drejtë kur flasin për gjendjen dhe kushtet që ndodhen sot muzetë në vend, edhe Muzeu Arkeologjik në Tiranë ka probleme që duhen trajtuar për objektet dhe infrastrukturën. Më herët, specialistë të arkeologjisë janë shprehur se në vitin 1985 është bërë një rikonstruksion i plotë i këtij muzeu, pas Kuvendit të Dytë të Studimeve Ilire. Nga ajo kohë herë pas herë janë bërë rifreskime të objekteve arkeologjike, shtohen materiale të reja arkeologjike, por është një muze që nuk është me kushtet për kohën. Muzeu Arkeologjik i Tiranës është i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeale. U hap në 1 Nëntor 1948 si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavioni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Ky muzë prezanton kërkimet e zbulimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë./

Nga: Julia VRAPI