
Specialistët: IKTK larg detyrave dhe perspektivës së mbrojtjes së monumenteve, këshillat nuk mund të krijohen me…

Nga Julia Vrapi
Ruajtja, dokumentimi, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore ka vënë herë pas here institucionet përgjegjëse përballë kritikave. Specialistë të fushës së trashëgimisë kulturore, që kërkojnë mbrojtje institucionale , restaurim dhe jo ndërhyrjeje të paligjshme shprehen me kritika për Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), që është në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore. Por problem për specialistë e studiues është dhe përbërja e këshillave, që krijohen për trashëgiminë kulturore. Piktori Adrian Devolli, i cili që nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës shpreh kritika për mënyrën se si zhvillon aktivitetin sot IKTK, që sipas tij nuk ka as specialistë si dikur. “Dikur kishim Institutin e Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” me specialistë, por tani është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore një institucion që ekziston tani vetëm de juro, de facto nuk bën asgjë.
Nuk ka specialistë dhe as studiues si dikur”, shprehet Devolli. Piktori Adrian Devolli, i cili nga viti 1979 deri më 1987 ka qenë restaurator pranë IMK-së, më pas deri më 1991 ka qenë pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, ku është marrë me shumë vepra, shprehet se këshillat që krijohen për trashëgiminë kulturore nuk duhet të jenë me nëpunës të Ministrisë së Kulturës. Sipas tij projektet e ndërhyrjes në monumentet e kulturës kërkojnë vetëm specialistët, që të gjykojnë. “Kush i miraton projektet? Sepse që të bëhet një projekt duhet të shkojë që të marrë aprovimin ose jo. Kur bëheshin dikur projekte u shpjegonin arsyet dhe pasi ishin mbledhur të gjitha dokumentacionet, se si duhet të ndërhyhet, fazat e ndërhyrjes, etj, ku dhe aty ku prezantohej projekti bëheshin edhe vërejte dhe në fund fare arrihej në një rregullim të projektit. Sot kush do ta bëjë? Kush i aprovon këto projekte atje? Kush janë specialistë, që e gjykojnë nëse bën apo jo ky projekt? Këshillat për trashëgiminë kulturore nuk mund të bëhen me nëpunës ministrie”, thotë Adrian Devolli.
Gjendja e IKTK shkak i politikës
Studiuesi Jaho Brahaj, i cili herë pas here ka folur për problemet në trashëgiminë kulturore shpreh gjithashtu kritika ndaj IKTK-në apo dhe Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale. Sipas studiuesit Brahaj, IKTK nuk ka plan studimi se cilat do të jenë objektet që do vendosen e vlerësohen si monument kulture, ndërsa shpreh dhe vërejtje për përbërjet e këshillave për trashëgiminë kulturore në institucione. “IKTK larg detyrave dhe perspektivës së mbrojtjes së monumenteve. Gati është inekzistent dhe është kthyer hipotekues i prishjes dhe i heqjes së monumenteve të kulturës nga lista. Nuk di të ketë plan studimi cilat do jenë objekte trashëgimi kulturore, që do vendosen dhe vlerësohen me këtë status në territorin e Shqipërisë. Por këtu është dhe faji i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, që kryesisht kanë mbledhur punonjës të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve që varen nga ministria, që në fakt duhej të ishin specialistët më të mirë qoftë nga institucionet jashtë saj Pothuaj është bërë një qark i mbyllur brenda Ministrisë së Kulturës, që edhe në diskutimet ato mbrojnë interesat meskine të vogla nganjëherë edhe në shërbim të bizneseve të ndërtimit ose të bizneseve të tjera që hapen në monumentet e kulturës”, shprehet Brahaj.
Studiuesi Brahaj edhe më parë ka shprehur kritika në drejtim të Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore për problemet e ndryshme me të cilat përballet trashëgimia kulturore në vend, ku një ndër to dhe ndërhyrjet pa kriter. Por edhe pse IKTK-në e sheh larg detyrave, Brahaj thotë se shkak për çfarë ndodh është i politikës. “Instituti ka specialistë edhe me diapazon për detyrimet, sipas kërkesave që ka ky institucion, por vetë qerthulli politik në të cilin neve po kalojmë në këto periudha e ka degraduar institutin në një qark të mbyllur, i cili mund të bëjë çdo gjë edhe në prishjen e në heqjen nga lista të monumenteve të kulturës, nuk ka hapur një perspektivë për monumentet e kulturës, që të jenë në shërbim qoftë të mbrojtjes dhe atyre vlerave që ne i kemi të veçanta, qoftë të mbrojtjes së monumenteve të kulturës edhe fizikisht”, thotë Brahaj. Reagimi i piktorit dhe restauratorit Adrian Devolli dhe i studiuesit Jaho Brahaj për çfarë ndodh me trashëgiminë kulturore dhe rolin e institucioneve është në vijim të atyre më parë edhe nga specialistë të tjerë.