25 Dhjetor 2025

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka dhënë detaje nga hetimet që po zhvillon SPAK për aferën e Bankers Petroleum, pasi Prokuroria e Fierit shpalli moskompetencë.

Pjesë nga biseda:

Klodiana Lala: Prokuroria e Fierit, pasi firmosi urdhër arrestet dhe shpalli në kërkim aksionerë të tjerë, shpalli moskompetencën dhe e dërgoi në SPAK, pasi u gjet përballë dy momenteve. Prokuroria e Fierit pretendon se ka gjetur elementë që implikojnë zyrtarë të lartë shtetëror deri në nivel ministrash dhe momenti i dytë, të gjithë personat e përfshirë në këtë aferë, dyshohet se kishin vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe Prokuroria e Posaçme e ka pranuar këtë çështje penale dhe ka regjistruar veprat penale, krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar, fshehje e të ardhurave, pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, shpërdorim detyre, moskryerje e detyrave nga organeve tatimore, korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Në mënyrë të përmbledhur, nga zyrtarët e lartë rezultojnë dy emra, ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili dyshohet të ketë favorizuar kompaninë Bankers. Zoti Ahmetaj është në arrati dhe ndoshta mund të ketë reagimin e tij për këtë çështje, por pretendohet se ka patur në mënyrë të vazhdueshme kontakte me administratorët e Bankers dhe bëhet fjalë për dhënien e disa tokave për shfrytëzim.

Nga ana e administratorëve dhe drejtorëve të Bankers, i është kërkuar të punësohet në ministrinë që drejtonte, në kohën që bëhet fjalë për veprën penale. Ahmetaj ishte ministër.

Ola Xama: Sipas Prokurorisë së Fierit është gjetur që, kur është zbërthyer telefoni i zotit Leonidha Çobo, është gjetur kërkesa për inicimin e një VKM, e cila do të jepte për shfrytëzim tokat e pafrytshme, më pas këtë tokë e ka marrë një kompani e lidhur me Leonidha Çobon, e cila më pas ia ka dhënë me qira Bankersit. E ka marrë me vlerë të lirë dhe Bankersit ia ka dhënë 700 mijë euro në vit.

Klodiana Lala: Zyrtari tjetër i lartë, është ish ministrja Anila Denaj, bëhet fjalë për mosveprime nga ana e saj pasi ka një gjobë në vlerën 120 mln euro, që fillimisht është vënë gjobë dhe detyrimet shkojnë në total, por po hetohet roli i zonjës Denaj në raport me aferën Bankers. Nuk ka ende emra të regjistruar, Ahmetaj dhe Denaj nuk janë regjistruar tek personat nën hetim, por po hetohet roli i tyre. Prokuroria e Fierit ka ngritur dyshime për këta të dy, sepse disa nga veprat penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës, mund të gjenden edhe për zyrtarë të tjerë dhe ministra të tjerë të mëparshëm, por për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar që nga 2004, disa nga veprat penale janë të parashkruara nga ligji.

Pjesa e dytë, po hetohet një bankë e nivelit të dytë në Austri. Çfarë bënin, drejtuesit dhe administratorët e Bankers, përveçse frynin faturat në miliona euro, pra për punime të pakryera, shërbime të pakryera, ata nuk paguanin, dilnin me humbje, nuk paguanin taksa dhe tatime në shtetin shqiptar, duke shkaktuar dëm të llahtarshëm, deri në 5 miliardë mos gabohem, është i përllogaritur deri tani.

Ndërkohë, të gjithë llogaritë e Bankers, apo kompanitë e tjera, ishin të boshatirusa. Por prokurorët kanë gjetur që një bankë e nivelit të dytë në Austri, kryente pagesa preferenciale në drejtim të personave të caktuar. SPAK ka kërkuar përmes një letër porosie në këtë bankë të nivelit të dytë, të gjithë pagesat që janë kryer për të parë, janë funksionarë publikë, zyrtarë të lartë, janë kompani, etj. Përmes letër porosisë do të kuptohet më pas, edhe me qartësi emrat apo pesonat që kanë marrë pagesa .

Myslim Murrizi: Është banka Raiffeisen.

Ola Xama: Bankat kanë detyrimin të raportojnë rastet e aktivitetit të dyshimtë, qoftë për evazion dhe qoftë për pastrim parash. Bankers, kur paguan zyrtarë të lartë, dyshohet se një pjesë të pagesave e ka për të korruptuar dhe kur kalon në bankë… Minimalisht banka duhet ti kishte raportuar.

Klodiana Lala: Nuk janë bërë nga banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Selia e bankës nga e cila janë kryer pagesa preferenciale janë në Vjenë.

Skandali tjetër i madh, vetëm në një transaksion, është bërë 110 mln euro në offshore, në Hong Kong, Iralandë dhe vende të tjera, ku paratë kanë shkuar nga Shqipëria dhe askush nga institucionet, tatimet, doganat, institucionet financiare të hetimit, inteligjenca financiare, nuk kanë ngritur alarmin, për të thënë, që si ka mundësi që paratë e Bankers po shkojnë në offshore? Vetëm një transfertë kanë kaluar 110 mln euro. Imagjino sa mln euro janë kaluar. Është e pamundur të kthehen, sepse me kompanitë offshore nuk dihet përfituesi fundor.

Prokuroria thotë se mënyra se si kanë operuar, kanë qenë hallkat zinxhir, duke qenë veprimtari kriminale e vazhdueshme, e zgjatur në kohë, mes të njëjtëve persona dhe mes të njëjtave kompanish të përfshira, kemi dyshime thotë prokuroria e posaçme, që gjendemi përpara një grupi të strukturuar kriminal.