23 Janar 2023

Qeveria parashikon që të miratojë një ligj të ri për fondet e pensioneve private duke sjellë një seri ndryshimesh për një treg që ende mbetet anemik në vend.

Vetëm një numër i vogël qytetarësh derdhin kontribute vullnetare për të përfituar një pension privat shtesë.  Argumenti bazë se pse po bëhen këto ndryshime lidhet me nxitjen dhe zgjerimin e këtij tregu por edhe me qartësimin e disa aspekteve që lidhen me menaxhimin e fondeve.  Projektligji është përgatitur nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Përfitimet

AMF propozon rritjen e përjashtimit nga taksat, si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve, ndërsa kërkon që pensionet të mos tatohen as në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi. Për të nxitur investimet e punëmarrësve (por edhe të punëdhënësve të tyre) në fonde të pensioneve private, ligji aktual parashikon incentiva fiskale, në formën e përjashtimit të kontributeve nga tatimi mbi të ardhurat personale.

Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi, pra përpara se të llogaritet tatimi mbi të ardhurat. Kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësitë tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Sipas projektligjit të propozuar nga AMF, kufiri maksimal mujor, për lehtësitë tatimore, do të jetë deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi. Konkretisht, sot përjashtimi nga tatimi do të shtrihej deri në një shumë kontributesh prej 30 mijë lekësh në muaj. Sipas burimeve nga tregu, kjo formulë është propozuar nga drejtuesit e shoqërive administruese dhe është pranuar nga AMF.

Lehtësitë tatimore

Nëse propozimi i AMF miratohet, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte në 360 mijë lekë në vit, ose 80% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh (Për personat mbi 50 vjeç përjashtimi shkon në 44% më shumë krahasuar me kufirin aktual). Sipas ligjit aktual, kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk vlerësohen si të ardhura personale të anëtarit. Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional vlerësohen shpenzim operativ, deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës, të barabartë me 250 mijë lekë dhe kjo shumë vlerësohet shpenzim i zbritshëm, për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit.

Projektligji i ri propozon që, edhe për kontributet e punëdhënësit, vlera e njohur si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të bazohet në pagën minimale. Me vlerën në fuqi të pagës minimale, përjashtimi nga tatimi për kontributet e punëdhënësit do të arrinte në 360 mijë lekë në vit, ose 44% më shumë krahasuar me nivelin maksimal që njeh ligji aktual. Duke mbledhur kontributet e punëdhënësit dhe atij të punëmarrësit, projektligji parashikon një përjashtim tatimor mbi kontributet e një individi, sa dy paga minimale, shumë që aktualisht përkthehet në 60 mijë lekë në muaj, ose 720 mijë lekë në vit. Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Ky përjashtim ruhet edhe në projektligjin e ri.

Gayeta Sot