Skandali me Bordin e Paqes, Parlamenti miratoi një marrëveshje fantazëm, votimi për propozimin e Trump nul pasi…

Begaj jep autorizimin qe vetem Edi Rama perfaqeson Shqiperine ne Bordin e Paqes
29 Janar 2026
Skandali me Bordin e Paqes, Parlamenti miratoi një marrëveshje fantazëm, votimi për propozimin e Trump nul pasi nuk ka një dokument të firmosur midis presidentit SHBA dhe Edi Ramës
Parlamenti i Shqipërisë duket se është përfshirë në një skandal të rëndë institucional, për të cilin përgjegjësia kryesore politike bie drejtpërdrejt mbi Kryeministrin Edi Rama. Shkak është bërë procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri, Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes, një iniciativë e ndërmarrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe që në thelb përfaqëson një sinjal pozitiv për pozicionimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Anëtarësimi në një strukturë të tillë do të duhej të ishte një lajm i mirë për vendin dhe një hap drejt forcimit të rolit diplomatik të Shqipërisë. Por mënyra se si Kryeministri Rama po e luan këtë proces lë shumë për të dëshiruar.
Në vend që ta trajtojë këtë anëtarësim si një akt serioz shtetëror, ai po e përdor politikisht, duke e shndërruar në një instrument për interesat e tij personale. Rama po e përdor ftesën e Presidentit Donald Trump si “armë” politike për të çarë izolimin trevjeçar që i kanë vendosur amerikanët. Kjo përpjekje për rehabilitim personal po paguhet me koston e ligjshmërisë parlamentare. Fakti që Rama nuk ishte në Davos në Zvicër, aty ku liderë botërorë firmosën marrëveshjen në prani të Presidentit të SHBA-së, tregon qartë se Shqipëria ende nuk ka siguruar një pranim real.
Ndërkohë që vende të tjera e konkretizuan anëtarësimin me firmë zyrtare, Shqipëria zgjodhi rrugën e improvizimit. Kuvendi votoi një marrëveshje fantazëm pa pasur përpara dokumentin e firmosur, duke e kthyer procesin në një akt formal pa substancë. Pa firmën e Kryeministrit shqiptare dhe presidenti Trump, çdo ratifikim mbetet nul nga pikëpamja juridike.

Prapaskenat
Por skandali thellohet edhe më shumë nga procedura parlamentare e ndjekur. E ashtuquajtura procedurë e përshpejtuar nuk u përdor për efikasitet, por për të anashkaluar rregullat. Komisioni përgjegjës parlamentar u mblodh pas seancës plenare të enjten që shkoi, duke përmbysur rendin kushtetues të shqyrtimit ligjvënës. Deputetët u vunë përballë një fakti të kryer, pa kohë reale për të analizuar dokumentet. Shqyrtimi nen për nen, i detyrueshëm për marrëveshje që krijojnë angazhime shtetërore, u reduktua në një formalitet bosh. Edhe afatet kushtetuese për procedurën e përshpejtuar u injoruan. Për më tepër, marrëveshja e miratuar në Kuvendin e Shqipërisë të enjten e javës që shkoi deri dje nuk ishte botuar as në Fletoren Zyrtare.

Begaj jep autorizimin qe vetem Edi Rama perfaqeson Shqiperine ne Bordin e Paqes
Në thelb, Kuvendi u shndërrua në një vulë politike për një vendim të marrë paraprakisht nga Kryeministri. Ky veprim krijon një precedent të rrezikshëm dhe e ekspozon vendin ndaj rrëzimit të aktit në Gjykatën Kushtetuese. Anëtarësimi në Bordin e Paqes padiskutim është një sukses diplomatik për Shqipërinë. Por mënyra se si u menaxhua ky proces e kthen atë në një shembull të keq të përdorimit të politikës së jashtme për qëllime të brendshme. Në fund, problemi nuk është ideja e Bordit të Paqes, por loja politike e Edi Ramës, e cila po zhvillohet në kurriz të institucioneve dhe të vetë shtetit shqiptar. Megjithatë mbetet të shihet më konkretisht se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Reagon juristi
Ndërkohë edhe Partia Demorkatike thekson se mungesa e firmës së kryeministrit Edi Rama në marrëveshjen për Bordin e Paqes e bën juridikisht të pavlefshme ratifikimin e saj në Kuvend. Kjo për shkak se marrëveshja duhej që të firmosej nga Rama në Davos, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me Presidentin Trump, siç bën shtetet e tjera përfshi dhe Kosovën në Davos. Por mungesa e firmës së Ramës në këtë marrëveshje e bën ratifikimin e saj të pavlefshme nga Kuvendi. Këtë e ka shpjeguar dhe kreu i grupit parlamentar i PD-së Gazment Bardhi, i cili është edhe jurist në profesion gjatë fjalës në Kuvend para se të votohej marrëveshja të enjten që shkoi.
Bardhi theksoi se bazuar në dokumentet e vëna në dispozicion të deputetëve, Presidenti i Republikës ka autorizuar Kryeministrin për të nënshkruar marrëveshjen në fjalë. Por sipas Bardhit, në dosjen e sjellë në Kuvend mungon firma e kreut të qeverisë, gjë që e bën procedurën e ratifikimit në parlament të pakuptimtë nga ana juridike. “Menjëherë, përmes autorizimit numër 224 fraksion 1, datë 21 i pari 2026, ashtu siç ne shpjeguam në hyrje të kësaj seance, Presidenti i Republikës, që është i vetmi autoritet që nënshkruan marrëveshje sipas Kushtetutës në emër të Republikës së Shqipërisë, ka autorizuar Kryeministrin e Republikës që të nënshkruajë marrëveshjen në fjalë, të miratuar në parim me vendim të Këshillit të Ministrave.
Dhe pyetja ime konsiston: A e ka nënshkruar marrëveshjen Kryeministri? Sepse Kuvendi hyn në procedurë miratimi pasi Kryeministri të ketë nënshkruar këtë marrëveshje. Në dokumentacionin që ju na keni sjellë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk rezulton që Kryeministri ta ketë nënshkruar marrëveshjen. Marrëveshjen e ka nënshkruar Vjosa Osmani, Presidentja e Republikës së Kosovës, sot në Davos me Presidentin Trump, dhe e kanë nënshkruar edhe vendet themeluese, sot në Davos, në prezencë të Presidentit Trump.
A mund ta dimë pse Kryeministri i Republikës së Shqipërisë është sot këtu dhe nuk është në Davos për të nënshkruar marrëveshjen me Presidentin Trump? Që më pas t’i jepte mundësi Kuvendit të Shqipërisë që të ratifikonte marrëveshjen e nënshkruar. Dhe ku bazohet procedura që po ndjek ky Kuvend? Tani ne e kuptojmë që s’shkonte dot ta nënshkruante se s’e kanë pranuar, por ku bazohet procedura që po ndjekim?,” shpjegoi Bardhi.
Gazeta Sot
