“Situata është menaxhuar shumë keq”, mjeku Flamur Topi apel të fortë qytetarëve: Këto dy veprime të vlefshme ju mbajnë larg virusit

27 MARS 2020

Doktori i njohur, Flamur Topi në një lidhje skype në emisionin “Rreze Dielli” ka folur për situatën e krijuar nga koronavirusi në Shqipëri dhe botë.

Ai thotë se situata në botë është keqmenaxhuar pasi shkenca duhet të kishte nxjerrë mësim që prej 17 vitesh më parë, kur bota u përball me Sars.

“Situata në botë është menaxhuar shumë keq. Shkenca botërore ka patur kohë të mjaftueshme 17 vjet që nga sarsi në 2002, mund të ishin përgatitur për një vaksinë të përafërt, megjithatë misioni i shkencës është të parashikojë. Mund të kishte studiuar virusin sars, megjithatë shkencëtarët e kanë marrë lehtë” shprehet mjeku.

Ai thotë se këtë herë shkenca botërore duhet të marrë mësim, në mënyrë që në të ardhmen të mos kemi një valë më të ashpër epidemie.

“Shkenca botërore duhet të nxjerrë mësime që të mos kemi një valë më të ashpër tjetër. Nuk përjashtohet të kemi një vale më të ashpër nëse nuk krijojmë një vaksinë për të mundur ‘sars cov 2.’ Kjo do të thotë që struktura ishte e ngjashme. Shkenca do ishte më pranë vaksinës nëse do të ishte marrë më me seriozitet Sars në 2002. Nuk do të kishim këto jetë të humbura, nëse do kishte ndodhur kjo. Situata është shumë e rënduar në Evropë” shprehet Flamur Topi.

Përsa i përket këshillave kryesore, ai thotë se prekja sa më pak e parave, larja e duarve janë këshilla të vlefshme që ju mbajnë larg virusit.

Gazeta Sot