28 Korrik 2026

Raporti i fundit i hartuar nga struktura OSAC e Departamentit amerikan të Shtetit fokusohet në detaje te kërcënimin nga krimi në Shqipëri.

Në raport vërehet se shkalla e përgjithshme e krimit në Shqipëri u rrit nga viti 2024 në vitin 2025 me rreth 17%. Nxitësit më të mëdhenj të kësaj rritjeje të raportuar janë krimet e lidhura me drogën dhe mashtrimet.

Raporti i DASH për Shqipërinë: SPAK, rol kyç në ndjekjen penale të korrupsionit në nivel të lartë
Krimet kundër pronës panë një rritje me rreth 3%, por grabitjet ranë me 21%, duke vazhduar një zhvendosje në të gjithë vendin drejt krimeve jo të dhunshme dhe jo konfrontuese. Krimi i dhunshëm, përfshirë vrasjet, gjithashtu ra për të pestin vit radhazi, duke rënë me rreth 3% në vitin 2025, sipas raportit.

Më tej, raporti thekson se krimi i organizuar ka një ndikim të dukshëm në Shqipëri, ku strehohen një rrjet organizatash kriminale të përfshira në trafikun e drogës, zhvatjen, ryshfetin, pastrimin e parave, prostitucionin dhe trafikimin e qenieve njerëzore.

“Shumë nga armët dhe eksplozivët e paligjshëm të Evropës burojnë nga ose kalojnë tranzit nëpër Shqipëri, dhe autoritetet e kanë zhvendosur vëmendjen e tyre për të ndërprerë rrjetet e trafikimit të armëve”,-shkruhet në raportin amerikan.

Ndër të tjera, vlerësohet se krimi rrugor është i zakonshëm në zonat urbane, kryesisht natën. Më të dukshmet janë vjedhjet e banesave dhe automjeteve të pabanuara, grabitja e çantave dhe mashtrimet në rrugë.