Shpërthime të fuqishme në magazinën që u përfshi nga flakët në Shkozet, situata jashtë kontrollit

30 Korrik 2026
Situata në magazinën e përfshirë nga flakët në zonën e Shkozetit, në Durrës, është rënduar ndjeshëm, teksa nga objekti vijojnë shpërthime të fuqishme që kanë detyruar zjarrfikësit dhe policinë të tërhiqen nga perimetri i rrezikut.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, brenda magazinës ndodhen sasi të konsiderueshme fishekzjarresh, gjithashtu edhe materiale të tjera të cilat po shpërthejnë njëri pas tjetrit, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Pas disa shpërthimeve më të vogla, janë regjistruar edhe 2-3 shpërthime shumë të forta, ndërsa detonimet vijojnë ende.
Burime nga terreni bëjnë me dije për SYRI se zjarri dyshohet të ketë nisur pasi dy kabllo të tensionit të lartë u këputën dhe ranë mbi çatinë e magazinës. Në momentin e incidentit, brenda godinës ndodheshin punëtorë, të cilët janë larguar, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse ka persona që mund të kenë mbetur ende në ambientet e objektit.
Flakët janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe era e fortë, duke përfshirë në pak minuta të gjithë magazinën. Tymi i dendur me ngjyrë të zezë, kafe dhe jeshile ka ngritur dyshime për djegien e materialeve kimike që ndodheshin brenda.
Për shkak të rrezikut ekstrem, policia ka krijuar një perimetër sigurie dhe ka urdhëruar largimin e të gjitha automjeteve dhe qytetarëve nga zona. Gjithashtu, është bllokuar qarkullimi në të dy korsitë e autostradës pranë vendngjarjes, ndërsa mjetet zjarrfikëse janë tërhequr për të shmangur rrezikun nga shpërthimet.
Si pasojë e dëmtimit të linjave të tensionit të lartë, energjia elektrike është ndërprerë në të gjithë qytetin e Durrësit. Mungesa e energjisë ka sjellë probleme edhe në rrjetet e telefonisë dhe internetit, duke vështirësuar komunikimin në zonë.
Aktualisht, situata mbetet jashtë kontrollit. Shpërthimet vijojnë pa ndërprerje dhe ndërhyrja e zjarrfikësve është pezulluar deri në uljen e nivelit të rrezikut, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg zonës së incidentit.
